Policia e Shtetit i bën thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm nga disa mesazhe që mund t’i mbërrijnë në celularë apo me e-mail, ku i dërgohen faqe interneti të rreme, të ngjashme me faqen zyrtare të Policisë së Shtetit.

Njoftimet paraqiten sikur janë dërguar nga autoritete shtetërore, lidhur me pagesën e gjobave për shkelje të qarkullimit rrugor, kryesisht për tejkalim shpejtësie.

“Autorët kanë përdorur teknika të sofistikuara për të mashtruar qytetarët dhe për t’i orientuar drejt faqeve të rreme, ku u kërkohet vendosja e të dhënave bankare”, thotë policia – me qellim për të vjedhur paratë nga llogaritë.

Policia apelon që të mos klikohen linqe të dyshimta dhe të mos vendosen të dhënat bankare në faqe të pa verifikuara.

Çdo gjobë nga policia rrugore, verifikohet në portalin zyrtar e-Albania.