TIRANË- Spitali "Shefqet Ndroqi", i cili ka shërbyer si COVID/2 tashmë i është kthyer normalitetit, kjo për shkak se ka pësuar një ulje shumë të ndjeshme numri i të prrekurve me koronavirus që kanë nevojë për t'u shtruar në spital. Mjeku Perlat Kapisyzi, njëkohësisht drejtues i këtij spitali ka një mesazh për të gjithë qytetarët, një mesazh që shkon përtej kësaj situate pandemie.

Ai falenderon të gjithë komunitetin që u mblodhën bashkë për t'i duartrokitur, por shprehet që shpreson që e njëjta gjë të ndodhë edhe pasi të përfundojë situata e pandemisë,  pasi mjekët janë ata, të njëjtën si në kohë koronavirusi edhe pas saj.

"Do desha ta filloj me disa veti që personeli shëndetësor jo vetëm i “Shefqet Ndroqit”, por i gjithë republikës: qëndrueshmëri, guxim, vetëmohim dhe dhembshuri. Kanë qenë këto virtyte, me të cilët ne luftuam, përballuam këtë situatë. Janë këto virtyte, me të cilët ne realizuam jo vetëm kujdesin për pacientin, për kolegun, por edhe kujdesin për familjarët. Ne në këtë rast kontribuam në atë që u bë kryefjala e ditës: sheshimi i kurbës, por kontribuam edhe për të sheshuar çdo të pavërtetë për vlerat morale të personelit shëndetësor.

Të shpresojmë që është një sheshim i plotë. Është e vërtetë që komuniteti duartrokiti për ne, por kur pandemia të marrë fund edhe ne do duartrokasim për ata pacientë, që realisht kanë vuajtur, por edhe na kanë besuar, por edhe për komunitetin, i cili na duartrokiti, na mbështeti, na dha kurajo, na mbështeti dhe shpresojmë që të na duartrokasë edhe pas COVID, sepse ne jemi ato që kemi qenë, këto virtyte nuk u bënë për dy muaj. Ky është personeli shëndetësor”, shprehet ai.