Mesazhi real i Berishës për Samitin e 6 dhjetorit

Mesazhi real i Berishës për Samitin e 6 dhjetorit

Të martën Evropa zbret në Tiranë në një format sa unik, aq edhe të papërsëritshëm në historinë tonë si shtet. Mbi 30 delegacione nga kontinenti dhe rajoni do të diskutojnë temat më të mprehta të aktualitetit, ku spikasin konflikti në Ukrainë dhe procesi i afrimit të Ballkanit në Bashkimin Evropian.

Duhet të kthehesh 23 vjet pas, për të gjetur një paradë të tillë liderësh të kontinentit në Tiranë. Ishte koha e luftës në Kosovë kur Shqipërinë e vizituan të gjithë të fuqishmit e kohës, në solidaritet me fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër regjimit të Millosheviçit. Fatmirësisht sot Evropa mblidhet në një Ballkan ku s’ka më luftra. Jo të nxehta të paktën!

Në mesin e këtij eventi historik, ka një ngjarje të brendshme politike, e cila ka krijuar jo pak zhurmë e potere në Tiranën politike e mediatike. Natyra jonë egocentriste e ka fryrë kaq shumë çeshtjen e protestës që opozita pritet të mbajë në 6 dhjetor paralelisht me Samitin evropian, sa po merr më tepër peshë ato që do të thonë apo do të bëjnë Xhelal Mziu dhe Petrit Vasili atë ditë, sesa ato që do të deklarojnë Macron, Scholz apo të tjerët për fatin e rajonit dhe të kontinentit.

Berisha po shpenzon shumë që krijojë një gogol në sytë e evropianëve që do të vijnë në Tiranë. Po përpiqet t’u thotë se po i shkelin në derë një perversi, hajduti, përdoruesi e trafikanti droge, dhunuesi dhe terroristi që quhet Edi Rama. Sa më i lartë niveli zyrtar i Samitit, aq më e nxirë tabloja që po pikturon Sali Berisha në sytë e të huajve, aq më ekstreme gjuha e tij. Gjithçka e kuptueshme, gjithçka e justifikueshme me standartin e një njeriu të cilit i dhemb shumë fakti që Tirana do të jetë epiqendra politike e kontinentit.

Është krejt e natyrshme të mos e dojë këtë reklamë mediatike globale, këtë spot të madh politik e elektoral për Edi Ramën. Është e kuptueshme ta hidhërojë ky Samit në këtë kohë kur po e gjen të vështirë të ngjisë copat e thyera të pasqyrës opozitare dhe të përmirësojë imazhin e prishur nga statusi non grata në sytë e të huajve. E natyrshme dhe e kuptueshme gjithçka, por sërish e gabuar. Tragjikisht e gabuar për të dhe të tjerët rreth tij.

Berisha beson se duke i shkuar në ekstrem sjelljes së tij, si në planin verbal ashtu edhe në atë të kacafytjes eventuale me policinë në gardhin e zonës së sigurisë të Samitit, ai do të afishojë në sytë e Macron dhe Scholz se është gjallë politikisht, se ka në dorë diçka dhe se pa fjalën e tij nuk mund të ketë marrëdhënie normale të Perëndimit me Shqipërinë.

Në fakt strategjia opozitare e sfidës së hapur dhe refuzimit për të negociuar po krijon një efekt të kundërt nga ai që shpresojnë ish-kryeministri dhe ish-Presidenti. Duke sfiduar çdo logjikë që lidhet me sigurinë e aktivitetit dhe duke përdorur një gjuhë që s’ka asnjë lidhje me kodet dhe standartet e sjelljes e të komunikimit të 27 shefave të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, Sali Berisha dhe Ilir Meta vetëm sa po ju kujtojnë edhe një herë evropianëve se në Shqipëri nuk kanë një partner tjetër të qëndrueshëm përveç Edi Ramës. Ja kanë lënë gjithë skenën kryeministrit aktual, e për vete kanë marrë shishet me benzinë dhe nuk duan t’ja dinë çfarë ndodh nesër. Reklamë më të mirë për Ramën zor se bën dot kush në këtë vend!

Në të mirë ose në të keqe, evropianët kanë rastin të kuptojnë se instikti i vjetër autodestruktiv që mbijeton tek opozita shqiptare, hedh në fakt në erë urat e bashkëpunimit të nesërm të kësaj opozite me ndërkombëtarët. Kanë rastin të kuptojnë se nëse do ju duhet t’i bien telefonave të opozitës në një moment urgjence, s’do t’ju përgjigjet askush pasi do të jenë rrugëve apo duke u marrë me revolucione imagjinare.

E ndërsa Berisha është i qartë në pakthyeshmërinë e statusit të vet si person i padëshërueshëm për dy prej shteteve më të mëdha të Perëndimit që nuk do të jenë nesër formalisht në Tiranë, ai po ju jep edhe të tjerëve në Evropë mesazhin se nuk di të vlerësojë dhe të vetëpërmbahet as përballë situatave shumë të veçanta siç është Samiti i 6 dhjetorit. Dëshëron jo të protestojë, por thjesht të sfidojë në mënyrë inatçore. Ky është mesazhi i tij real për Samitin.

Duke u përpjekur ta shesin Edi Ramën si djepin e shejtanit dhe si simbolin e gjithçkaje të keqe që i vjen ndërmend një njeriu, krerët e opozitës nuk ju shpjegojnë dot njëherësh shqiptarëve sesi të gjithë këta liderë të kontinentit mblidhen pikërisht në shtëpinë e “Lugatit”. Nuk arrijnë dot të shpjegojnë diçka që në fakt është e pashpjegueshme. Sepse Evropa e Bashkuar ka një standart krejt tjetër sjelljeje ndaj burrave të këqinj: kur i konsideron të tillë nuk ju shkel në derë, i bojkoton! Jo se Rama është ndonjë shenjt, aspak e vërtetë. Por kur Berisha i jep gojës pa fre kundër tij, prodhohet ai që rëndom quhet efekt bumerang. Dhe ndodh pastaj që kancelari Scholz vjen e i jep dorën në shtëpinë e tij një njeriu që ti ke sharë nga mëngjesi në darkë, pa ja vënë veshin llafeve të tua. Rezultati?! Ke bërë një vrimë në ujë! Prandaj siç thotë me të drejtë proverbi, gjuha kërkon fre, sepse kocka s’ka por kocka thyen…

 

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

5 këshilla si të shtroni tryezën për Krishtlindje

5 këshilla si të shtroni tryezën për Krishtlindje