GJIROKASTËR- "Je hero i Vorio Epirit"! Janë këto fjalët e nënës së Kostandin Kacifas, pranë varrit të djalit të saj, të vrarë rreth 6 muaj më parë në Bularat. Në meshën përkujtimore, të zhvilluar mesditen e sotme kanë marrë pjesë dhjetëra familjarë e të njohur, mes tyre ishte edhe konsulli grek. Nëna e 35-vjeçarit, mbi varrin e tij e qan si një hero të vrarë në luftë, ku të dëgjohet t'i drejtohet me fjalët e zemrës: jeta ime, o bir re për Vorio Epirin.

Ndërkohë në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë nga pala shqiptare u është refuzuar hyrja 12 grekëve, 6 prej të cilëve gazetarë.

Ata kanë deklaruar se vinin në Shqipëri për ceremoninë përkujtimore të Kacifas. Disa prej grekëve janë kthyer mbrapsht me argumentin se cënonin sigurinë publike, ndërsa të tjerët për mosplotësim të kushteve për të hyrë në vendin tonë.

Kostandin Kacifas u vra nga policia gjatë shkëmbimit të zjarrit në fund të tetorit të vitit të kaluar, ndërsa ngjarja shënoi tensione diplomatike mes dy vendeve. Ceremonia mortore u shoqërua me incidente në nëntor të 2018, ndërsa Shqipëria shpalli "non grata" 52 ekstremistë grekë.