Ndeshjet e fundit në grupin F kanë zgjidhur enigmat për ekipet që vazhdojnë në turin tjetër të Kupës së Botës. Argjentina dhe Nigeri kanë siguruar zyrtarisht biletat. Ndeshja mes dy ekipeve ka përfunduar me fitoren e Argjentinës me rezultatin 3-2, por humbja nuk i ka cenuar pozitat e Nigerisë.

Ashtu si në dy ndeshjet e para për Argjentinën lojtari më i mirë i ndeshjes ka qenë padyshim Lionel Mesi që ka shënuar 2 nga 3 golat. Sulmuesi iu deshën vetëm 3 minuta për të kaluar në avantazh Argjentinën duke dhënë përshtypjen se çdo gjë do të ishte e lehtë për ekipin e Sabelës. Por, festa zgjati vetëm 1 minutë, pasi Ahmed Musa barazoi rezultatin 1 minutë më pas. Megjithatë Argjentina nuk u pajtua me barazimin në pjesën e parë dhe shënoi në fund përsëri me Mesin duke shkuar në pushimin mes pjesëve në avantazh.

Pjesa e dytë nis shumë e mirë për afrikanët që përsëri arrijnë që të barazojnë me Ahmed Musa vetëm pas 2 minutave nga fillimi i pjesës së dytë. Amerikano-jugorët nuk pajtohen me barazimin duke kaluar sërish në avantazh 3 minuta pas golit të barazimit me Marcos Rojo. Fitorja e ngjiti Argjentinën në krye të grupit me 9 pikë të plota në 3 ndeshje. Ndeshja tjetër mes Bosnjes dhe Iranit përfundoi 3-1 për ballkanasit. Golat për ekipin e Safet Susic u shënuan nga Dzeko në minutën e 23 të pjesës së parë.

Në pjesën e dytë Pjanic dyfishon shifrat për Bosnjen. Reza 8 minuta nga fundi ngushton shifrat për Iranin duke ringjallur shpresën se mund të merrnin një rezultat pozitiv, por Avdija Vrsajevic 1 minutë më pas shënonin golin e sigurisë për ballkanasit që marrin fitoren e parë në një kampionat botëror në një ndeshje që vlen vetëm për statistika.



d.b/shqiptarja.com