Mesjeta shqiptare, dorëshkrimi
i panjohur i Shuteriqit

Mesjeta shqiptare, dorëshkrimi<br />i panjohur i Shuteriqit
Dhjetë vjet nga humbja e Dhimitër Shuteriqit suplementi Rilindasi publikon nga arkivat shkrimi me titullin “Mesjeta shqiptare” i shkruar në korrik të vitit 1977, në Dhërmi ku trajtohet koncepti i Mesjetës Shqiptare, që shpesh cilësohet si kohë errësire.

MESJETA SHQIPTARE E DHIMITER SHUTERIQIT
Ç’është Mesjeta shqiptare gjer te Skënderbeu, një kohë errësire? Kohë e errët po, se e njohim pak e aspak. Kohë errësire jo dhe me kaq pak sa e njohim.
S’mund të jetë Mesjeta shqiptare kohë errësire, posa u krijua shteti i parë shqiptar, i njohur që më 1190. Pastaj do të vijonin  pushtime të tjera, po, gjer te ajo si “monarki e centralizuar” e Skënderbeut, që s’u shpall dot monarki; ishin krijuar dy shtete  jot ë vogla shqiptare, ai I balshajve, që arriti gjer në vlorë, ai i Topiajve që e kaërceu Shkumbinin. Kur isha fëmijë dhe për Ditë Shijoni, ekspozonin në Manastirin e Sh. Jon  Vladimirit trupin e  tij të balsamosur, mua më dhimbej së tepërmi se ishte rrëgjuar kaq shumë shenjti, po gjithashtu fantazia më pati bërë që një herë t’i them tim eti, se ai nuk ishte trupi i  Shën Joint, por i Karl Topisë, për të cilin e dija se kishte pas qenë varrosur në Shijon.

Ime gjyshe dëgjoi me llahtarë çka thashë e bëri kryq disa herë, duke kërkuar nga im atë  që të më rrihte, duke m’u kërcënuar se do të më rrihte vetë, ndërsa babai, me një buzëqeshje habie, cimbiste mustaqen. Nuk e dija se që  më 1272, Karli i I Anzhu i Napolit e kishte pas shpallur veten “Rex Albaniae”, gjë që do të thotë se Shqipëria nuk ishte cilido vend, që kishte pasur një shtet që më 1190 me një Progan në krye, pastaj me radhë të dy djemtë e tij, Gjinin e Dhimitrin, ky i vdekur aty nga viti 1215.

As nuk e dija se do ti gjendej shenja këtij shteti në ndonjë krahinë të Shqipërisë, pale se do t’ia zbuloja vetë, në Gëziq të Mirditës, te kisha e Shën Mërisë së Ndërfandës, një mbishkrim ku ruhet ende emri i Dhimitrit, dhe emrin Progon, që e ka marrë për emrin e t’et. (Injac Zamputi, duke e rilexuar mbishkrimin, gjen aty një Progon tjetër, pra gjen një trashëgimtar të tretë të Progonit të parë, dhe më pëlqen që i pari të jetë trashëguar më gjatë nga ç’e dinim, 26.6.77).

Andrea Vrana, kapedan i Arbrit, që kam zbuluar, në vitet 1265-66, pasardhës i tyre ishte, pas një Gulami të vitit 1253  që përmend Akropoliti? Ja përse  nuk dua ta shoh Mesjetën shqiptare si kohë errësire, siç e shohin Mesjetën përgjithësisht. Ajo pak dritë që shohim mbi të, fokusin e ka të fortë për mua, si një shtyllë drite.

Katastrofa e Kosovës e vitit 1389, ku,  bashkë me serbët humbën edhe shqiptarët  e ballkanasit e tjerë, për ne qe fillimi i madh i një qëndrese prej 90 vjetësh e pakta, gjer në rënien e Shkodrës më 1479, që edhe ajo nuk ra, por e dorëzoi Venediku.  Skënderbeu ishte kulminacioni i kësaj epoke.  Si mund të ekzistonte ai kulminacion, që bëri tërë Evropën të shohë nga Shqipëria, - dhe jo vetëm të shohë, pot ë përfitojë, që të mos e përmbysi vala osmane-, si mundi të ekzistojë ai pa një  përgatitje të fortë, e pakta që nga Shteti i Arbërit?

S’ishte një mesjetë errësire mesjeta shqiptare, le të jetë ende e dritësuar pak. U krijuan në këtë kohë librat e para shqip, që përmend  Brokardi më 1332, pra që janë shumë më të vjetra ato libra “të ndryshme”, të cilat flasin për një letërsi. Është koha kur krijohet epoka jonë legjendare. Koha kur do të krijohet edhe epoka jonë historike, të cilën, në vitin e Skënderbeut, e gjejmë të zhvilluar.  Barleti na flet për ekzistencën e saj, arbëreshët e Italisë ruajtën fragmente. Kultura shqiptare, që do të përfaqësohej në humanizmin evropian me një Barlet,  të cilit “Historinë e Skënderbeut” ia përktheu tërë Evropa në gjuhët e saj ose ia përshtati, humanizmi shqiptar ishte vazhdë e asaj Mesjete  dhe e epokës së Skënderbeut.

Onufri, Buzuku, Budi, për të mos përmendur të tjerë, ishin yj të mëdhenj në terrenin e mesjetës që ngulej rëndë në Shqipëri një shekull më parë.
 
Dëshira e madhe e çlirimit e vetëdijes, e identitetit etnik, prej asaj vlage të hershme buronin dhe prej epokës së djeshme. Bardhi ishte një gjuhëtar e historian humanist. Mazrek Plaku ishte i ndërgjegjshëm më 1633, se shqiptarët kishin qenë një popull shumë i madh, por i kishin rrudhur fqinjët me  vërshimet e tyre. Përmendet rrallë ky pohim I hershëm e kaq aktual i një Mazrreku arqipeshk të Tivarit, që e kishte shëtitur veriun  shqiptar anembanë, që e njihte historinë e lashtë të  vendit dhe gjykonte pa drojë tezën e Enea Pikolominit, e cila do të qëndronte e fortë gjer në shekullin e XVIII, se “albanezët” vinin nga Albania e kaukazit.

Po dëshira për dije të këtyre humanistëve shqiptarë,  në kohën e errësirës më të rëndë që ka qenë ajo e pushtimit osman, ato dëshira do të sillnin tek iluminizmi shqiptar i shekullit XVIII, bashkëkohës i Iluminizmit Evropian, e te Rilindja Shqiptare e shekullit të XIX, bashkëkohëse e Rizorxhimentove.
Sidoqoftë, mbi mesjetën shqiptare do hedhur shumë e më shumë dritë, gjë që kërkon më shumë punë, më shumë guxim e më pak paragjykime.
 
7.’77
Dhërmi.


Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.07.2013
 
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Elisa Spiropali flet si kryetare e Kuvendit, mesazh opozitës: ​​​​Nuk do më keni përballë por në krah, do jem vullnetmirë

Elisa Spiropali flet si kryetare e Kuvendit, mesazh opozitës: ​​​​Nuk do më keni përballë por në krah, do jem vullnetmirë