Piloti australian i garave të shpejtësisë, Joey Mawson, është personi i akuzuar për përdhunimin e njërës prej infermiereve të Michael Schumacher në rezidencën e shtatë herë kampionit të botës në Formula 1. Një aktakuzë pretendon se Mawson sulmoi infermieren në rezidencëne familjes Schumacher në Gland të Zvicrës.
Mawson thuhet se është mik i djalit të Schumacher, Mick, i cili vetë është një pilot që arriti në Formula 1 dhe dyshja kanë garuar kundër njëri-tjetrit gjatë karrierës së tyre. Mediat zvicerane raportuan se një gjyq filloi të mërkurën për të dëgjuar pretendimet e bëra në një aktakuzë prej 1 faqe e gjysmë të hartuar nga Zyra e Prokurorit Publik të Distriktit të La Côte.
Procedurat u shtynë për “një datë që do të caktohet më vonë” pasi Mawson nuk u paraqit në gjykatë. Patrick Michod, avokati i ankueses, thuhet se kundërshtoi shtyrjen, duke argumentuar se provat kundër të pandehurit ishin “të pakontestueshme”.
Mawson, dy herë fitues i Kampionatit Australian të Pilotëve S5000, aktualisht po vuan një ndalim tre-vjeçar nga sportet motorike pas një testi pozitiv për drogë në maj 2023. Ai pranoi se kishte marrë substancën e ndaluar meldonium, por tha se e kishte bërë këtë pa e ditur se ishte e ndaluar, as me qëllim përmirësimin e performancës së tij në drejtim.
Ai ende nuk ka komentuar publikisht mbi pretendimet për përdhunim, por raportohet se mohon çdo shkelje. Raporti shton se Mawson pretendoi se kishte një marrëdhënie të ngushtë dhe konsensuale me viktimën e supozuar dhe se ata ishin puthur më parë në një klub nate në Gjenevë.
Akuzat datojnë që nga viti 2019, me një padi penale të paraqitur tre vjet më parë (2022).
Në aktakuzë thuhet se infermierja, një ish-kujdestare e drejtpërdrejtë për Michael Schumacherin që ndodhet në gjendje kritike, është përdhunuar ndërsa ishte shtrirë pasi kishte konsumuar disa kokteje me vodka.
Raportohet se përdhunuesi i saj i dyshuar ka qëndruar në shtëpinë e familjes Schumacher natën në fjalë. Asnjë anëtar i familjes Schumacher nuk është i përfshirë në këtë rast.
Në aktakuzë thuhet se sulmi i dyshuar ndodhi më 23 nëntor 2019, pasi infermierja dhe piloti u kryqëzuan në dhomën e bilardos së familjes Schumacher. Raportohet se ajo filloi të ndihej keq pasi piu disa kokteje me vodka dhe iu desh të shtrihej në dysheme përpara se disa nga kolegët e saj ta çonin në shtrat.
Në dokumentet e gjykatës thuhet se e kanë shtrirë infermieren “pa e zhveshur” dhe e kanë lënë në gjumë, me dritat ndezur.
Pak më vonë, piloti u kthye në dhomë dhe e përdhunoi dy herë, thuhet se këtë e pohojnë dosjet. Raportohet se piloti Mawson u ka thënë prokurorëve vitin e kaluar se kishte pasur një marrëdhënie konsensuale midis çiftit dhe se ata ishin puthur në një klub në Gjenevë.
Ajo u tha se mohoi se ai kishte qenë për të diçka më shumë sesa një mik familjar i Schumacherave.
Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1, Michael Schumacher, nuk është parë në publik që kur ra në koma pas një aksidenti me ski në vitin 2013. Ai ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm. / The Telegraph
Komente






