Kam disa kohë që lexoj dhe rilexoj veprat e një dijetari të mrekullueshëm, që ka vdekur në Himarë më 3 qershor më 1694. Është fjala për Nil Katalanin (italisht : Nilo Catalano). Nil Katalani ka qenë italian. Ka lindur më 1637-n në fshatin e Sicilisë, të quajtur Terra Di Massa. Në moshën 22- vjeçare veshi petkun e murgut bazilian në manastirin e famshëm të Grotaferrates afër Romës.

Në këtë manastir në shekuj meshonin arbëreshë. Më 1995-n unë e kam vizituar manastirin  Grotaferrates, e kam takuar gjithashtu priftërinj arbëreshë, si dhe dy studentë shqiptarë nga Vlora, që kishin ardhur këtu. Më vonë Katalani u dërgua në manastirin bazilian të fshatit Munxifci, ku jetonin arbëreshë si lektor dhe mësues i rishtarisë, por dhe vikar i abatit. Këtu ky italian i Sicilisë u natyralizua mrekullisht me gjuhën shqipe. Librat e Bogdanit, Budit dhe të Bardhit, krijuan një magji të pashtershme mbi personalitetin e tij.

Në moshën 48 vjeçe Katalani u rikthye përsëri në manastirin e rinisë. Ai nisi të shkruajë gjuhën shqipe me alfabetin tonë të vjetër të Veriut, alfabet i tipit latin, i ftillëzuar që nga Gjon Buzuku më 1555-n. Para vitit 1677 ai dërgohet nga Propoganda Fide në brigjet e Shqipërisë dhe konkretisht në Himarë. Aftësitë e tij të mëdha gjuhësore, karakteri i tij erudit, e bënë Katalanin drejtuesin e misionit bazilian në Himarë. Ai i dashuroi si askush shqiptarët dhe gjuhën shqipe.

Qe vetë Papa i Romës, që mori vendimin për ta çuar  Katalanin në Shqipëri dhe madje e emëroi si Kryepeshkop të Durrësit më 4 janar 1693 në Kolegjin e Propagandës në Romë. Në ceremoninë solemne, mori pjesë dhe një nga kardinalët më të mëdhenj të kohës, i quajtur Barbarigo i Ri. Kështu Katalani nisi misionin e tij të pavdekshëm në Himarë. Kishte me vete një shqiptar, të quajtur Filothe Zasi, 16 vjet më të ri se veten. U nisën me anije nga Lece në Himarë. Katalani u vendos në Dhërmi “vend i shëndetshëm dhe plot ujëra”, siç shkruhet në relacion.

Përveç Zasit shqiptar, atë e shoqëronte dhe një italian nga Friuli afër Venedikut, i quajtur Lorenc Mariotti. Që të tre nisën të predikonin në fshatrat e bregdetit, pastaj në Dukat, në Shën Vasil, në Nivicë, në Tërbaç, në Kuç, në Zhulat, që bënin pjesë në krahinën e quajtur të Himarës, e cila në këtë lak kohor përmblidhte tërë Labërinë, me gjithsej 40 qendra të banuara, siç del në dokumentet e shkruara të shekujve XI - XVII. Predikimi i këtij misioni të çuditshëm bëhej në gjuhën shqipe.

Ai shkroi libra dhe manuale në shqip. Ai sa zbriti në Dhërmi “krijoi shkollën e të rinjve dhe të fëmijëve duke i mësuar të gjithëve në shqip Doktrinën e Krishterë”. Dhërmiu më 1694-n kishte 1850 shtëpi. Shkolla shqip e Katalanit kishte 80 nxënës, gjë shumë e madhe për kohën.

Shkolla e Dhërmiut kish nxënës nga Dukati dhe Tërbaçi, madje kishin ardhur nxënës për të mësuar shqipen edhe nga Vithkuqi, pranë Korçës, 5 ditë udhë larg. Përveç shkrimeve biblike, nxënësit mësonin edhe arithmetikën dhe disa shkenca të tjera. Shkollë u ngrit edhe në Himarë, drejtuar nga shqiptari Filothe Zasi, por turqit e dëmtuan egërsisht në nëntor 1694. Himara në atë kohë kishte 1430 frymë. Katalani predikoi shqip edhe në fshatin e Pilurit me 500 banorë dhe në fshatin Vuno me 600 banorë. Në Vuno Katalani u sëmur për vdekje. Paria shqiptare e Himarës e mbronte Katalanin nga sulmet e peshkopeve grekë të Janines.

Kjo pari kish interës të ruante miqësinë me italianët e viseve të Pulias përtej detit dhe donte ta kishte mire më Vatikanin. Është për t’u habitur, por edhe shqiptarët myslimanë të kësaj krahine ishin të afruar ngushtë rreth misionarëve bazilianë. Lorenci i shkuan Propogandës në Romë se Nil Katalanin e sëmurë vendosën ta dërgonin në Korfuz për mjekim. I hipën varkës në Porto Palermo, por jo larg, i sëmuri vdiq në duart e Zasit, pra qenë të detyruar ta kthenin në Dhërmi dhe natën ta kalonin në plazh.

Ishte 3 qershor 1694. Një ditë më vonë u ngjiten në fshat, ku edhe e varrosën. Më 18 qershor 1694 pleqtë e Himarës i shkruanin Romës për këtë fatkeqësi. Në këtë leter thuhet se Katalani u sëmur në Vuno më 17 maj dhe vdiq me 3 qershor. U varros në kishën e Shën Thanasit brenda Sancta Sanctorum. Mësuesi, siç e quanin pleqtë e Himarës u varros me tërë veshjet peshkopale dhe u bënë tërë shpenzimet për përshpirtjen d.m.th me grurë të zier dhe verë, që u shpërnda, si dhe në mosha të tjera sipas zakonit të vendit, ashtu siç i përkiste një bariu të tillë shpirtëror.

Letra dërgohet nga Dhërmiu. Midis atyre që kanë nënshkruar është dhe protonoteri apostolik Zaharia Dimuci nga Himara, Dhimitri, protopapë i Dhërmiut, si dhe Kristofor Nina po nga Dhërmiu, i dekoruar si kavalier nga Papa dhe kolonel i Venedikut. Dokumenti ruhet në Arkivin e Propogandës dhe është botuar për të parën herë nga Nil Borgia.

Një studiues arbëresh i shek.XVIII Pjetër Pompili Radotta, në një libër të tij historik me tri vëllime flet dhe për një portret në pikturë të Katalanit të vitit 1693, që ka në fund një "elogio" në latinisht.  Nil Katalani është një figurë e madhe e kulturës. Ai ka lënë vepra gjuhësore të një rëndësie të veçantë.

Më 1831 Krispi shkruan se në Bibliotekën e Seminarit Shqiptar të Palermos gjenden në dorëshkrim Fjalori shqip-italisht si dhe italisht-shqip si dhe një sprove gramatikore me autor Nil Katalanin. në dorëshkrimet e Katalanit. Skiroi më 1918-n përmend edhe dorëshkrimin e dy poezive me 8 vargje nga italishtja dhe dorëshkrimin e këngës popullore shqiptare mbi Pal Golemin. Katalani është i pari nga folkloristët, që ka mbledhur këngën e Pal Golemit, nga më të famshmet në folklorin shqiptar.

Dhimitër Shuteriqi, por edhe Jup Kastrati i kanë studiuar dorëshkrimet e Katalanit dhe i kanë vlerësuar shumë lart. Këta e tregojnë Katalanin si një dijetar të një formati të madh.  Studiuesi arbëresh Nil Borgia ka thënë se Katalani i hartonte vetë librat në shqip, i botonte dhe i shpërndante falas. Një nxënës i njohur i Katalanit, që dhe Dhimitër Gjileku nga Dhërmiu, që sipas Neofit Radinës, e shkruante në mënyrë elegante gjuhën shqipe sepse ishte shqiptar.

Ky Dhimitër e përktheu në shqip Katekizmin. Në shkollat shqipe të Himarës ka punuar dhe një Kostandin Onufri, i cili dërgoi në Palase Dr.Krisafidin, që çeli shkollën shqipe në shtëpinë e Kapedan Lekës. Në Dhërmi kjo shkolle mbrohej nga ana e Kavalier Ninos. Më vonë përmendet në Dhermi Kamil Xhovani, i cili dha mësim në Dhërmi, Himarë, etj.

Por këta misionarë të gjuhës shqipe u panë me sy të keq nga peshkopi grek i Janinës, që varej nga Fanari, i cili i mallkoi shkollat shqipe. Të dhënat historike tregojnë se për tre shekuj në fshatrat e Himarës kishte shkolla shqipe. Këto shkolla qenë të njëkohshme me ato, që u hapën në Shqipërine Veriore nga Bogdani dhe Budi dhe misionarë të tjerë katolikë. Kështu që pas vdekjes së Skënderbeut dy janë qenë qendrat koncentrike, ku mësohej gjuha shqipe në formën e një institucioni arsimor:

Veriu i Shqipërisë dhe Himara, shumë shekuj më parë sesa të çelej shkolla shqipe në Korçë, për të cilën mrekullisht këndoi Naim Frasheri.  Himara si një qendër kryesore e arsimit shqip i ka bërë kështu një nder kolosal arsimit shqip dhe kombit shqiptar. Përse të mos ngrihet në Himarë Muzeu Kombëtar i arsimit shqip, që përfshin gati tre shekuj gjatë sundimit të urryer otoman? Duhen harruar shkollat shqipe të Himarës për arsye të injorancës së sotme?

Në revistat autoritative “Studi Orientali” dhe “Studi Albanesi”, një dijetar si Nil Borgia ka botuar dokumente të nxjerra nga arkivat e Vatikanit shumë të rëndësishme për Himarën, që përfshijne shekujt XII-XVIII. Por shkollat shqipe janë përndjekur egërsisht dhe mallkuar, qoftë nga Patriarkana e Stambollit, qoftë nga dhespoti i Janinës. Një histori e nxjerrë nga dokumentet e jep akademiku Dhimitër Shuteriqi "kur erdhi dhespoti i Janinës dhe pa nxënësit në shkollë dhe dëgjoi meshën nga prifti Kostandin Onufri, ju vërsul dhe e kapi nga mjekra brenda në kishë të Dhermiut".

Kjo e vërtetë historike duhet mohuar? Nëse një italian si Nil Katalani u bë një misionar dhe dijetar i shqipes, mos vallë ne duhet ta përdhosim varrin e tij në kishën e Shen Thanasit në Dhërmi? A nuk është ky varr një monument i jashtëzakonshëm? A nuk duhet nderuar pafundësisht? Mos vallë duhet të
sillemi si ksenofobe ndaj këtij italiani, i cili qe më i qyteteruar dhe me humanist sesa shumë njerez, që jetojnë sot?


Ksenofobia primitive që deformon historinë

Mungesa e diturisë, mungesa e leximit të historisë në të gjithë pasurine e saj të skajshme dhe të pamohueshme, do të ishte në të vërtetë, jo vetëm thjesht një provë demoniake e injorancës, por nuk do t'i shërbente aspak të ardhmes, e cila nuk është vetëm një nocion politik dhe ekonomik, por gjithnjë e me shumë një nocion kulturor. Pa këtë nocion kulturor nuk do të kishte kuptim asgjë. Nuk do ta kisha të vështirë që të shkruaja një libër për Himarën pikërisht si një monument ekumenik, emancipues dhe dlirësues për të gjithë pa përjashtim.

Çdo grindje arkaike, çdo fundementalizem fetar, çdo keqkuptim i politizuar do të na bënte një dëm të pallogaritshëm dhe do të ishte një shembull keqndjelles sipas një fryme të Nemesis, që i ka sytë e mbyllura dhe nuk di të dallojë të vërteten nga gënjeshtra, humanzimin planetar, por dhe ballkanik nga nacionalizmat e vjetëruara, kelthitëse dhe të gjëmshme ballkanike.  Historia e Himarës nis me vetë jetën njerëzore në Himarë. Mrekullitë natyrore të Himarës kanë përbërë statusin e një mjedisi të pashembullt, ndoshta në krejt brigjet ballkanike të Adriatikut dhe të Jonit.

Shumë të vërteta janë të fshehura dhe janë pjesë e kancelarive të botës, kryesisht të bregut italik, por edhe të spanjollëve dhe anzhuineve të Evropës Perëndimore për Himarën. Këto dokumente mbushin biblioteka të tëra. Por përtej kureshtisë dhe studimit të specialistëve të thukët, të gjithëve u interëson një njohje sa më e saktë e së kaluarës, pa të cilën do të kishim një të tashme të vajtueshme, apo dhe një të ardhme fataliste ngjyrë gri.  Himara mund të konsiderohet si vendi tipologjik kundër ksenofobisë.

Është e habitshme që këto vitet e fundit kanë mundur të depërtojne ide  ksenofobiste të huaja në Himare. Ky ksenofobizëm e mbyll karakterin e hapur të Himarës.  Plotfuqishmëria e Himares është në karakterin e saj të hapur. Ksenofobizmi ka një karakter primitiv që nuk i takon absolutisht të ardhmes.

Karakteri i hapur i Himarës përkon me konceptet e reja të globalizmit botëror, kurse ksenofobizmi ballkanik ka kahjen e një të kaluare të errët. Himara nuk është e hapur vetëm për Jugun, nuk është e hapur vetëm për Veriun, por Himara është e hapur sidomos për Evropën Perëndimore, me brigjet italike, pa përjashtuar edhe Lindjen. në shumë pikëpamje karakteri i hapur i Himares, të kujton tipologjinë e ishujve dhe bregdetit dalmatin, kryesisht të Kroacisë.
 

Bazat e qytetërimit venecian të Himarës
 
Himara dhe brigjet dalmate kanë të perbashket detin dhe kryesisht lidhjet me Italinë, historikisht dhe kulturalisht me Venedikun. Një tipologji ndërlidhëse e brigjeve dalmatine dhe Himarës prej shume shekujsh, e ka ftillesën në raportet shekullore të bregdetit shqiptar me Venedikun në antikitet, por sidomos në mesjetë. Kjo duket në stilin e shtëpive të ashtuquajtura dalmato-venedikase, në rikonstruktimet e kështjellave si dhe në reliefet në luanin e Shën Markut, që është emblema venedikase në të gjithë kohërat.

Por kjo karakteristikë venedikase e krijuar historikisht nuk e ka mohuar, por e ka përforcuar identitetin e shqiptarëve të Himarës dhe ka qene një nga format hapëse më të plleshme dhe më të shumanshme të Himarës në Evropën Perëndimore.  Pa mohuar dhe dimensionin kulturor grek të ndërthurrjeve mesjetare, kryesisht në lidhje me ishullin e madh të Korfuzit, i cili deri në kohën e Napolon Bonapartit ishte pjesë përbërëse e Republikës së Venedikut.

Qe Napoloni, i cili shënoi vdekjen e Republikës së Venedikut, si një entitet në vetvete. Pra ndikimet venedikase tek shqiptarët e Himares qenë gati të njëjta në një kuptim edhe te grekët e Korfuzit. Venediku me lidhjet e tij të kryehershme me Kostandinopojën ka qenë një qendër shumeetnike, globale, tejet e hapur, ku ka qëlluar edhe riti i kishes lindore ortodokse, madje dhe i botimeve të ungjijve në greqisht, apo dhe i veprave hagjeografike për shenjtorët shqiptare, të porositura për shembull nga tregtarët e qytetit të Elbasanit dhe të shtypura tipografikisht në Venedik. Kjo që thashë ka lidhje edhe me artin afreskor dhe ikonografik. Kjo ka lidhje me një temë të jashtëzakonshme të historisë së artit, që lidhet me të ashtuquajturën shkollë ikonografike "kreto-venedikase".
 
Emra shqiptarësh në kishat e Himarës, Dhërmiut e Vunoit
 
Unë jam marrë një jetë të tërë me ikonografinë shqiptare dhe kam botuar libra shkencorë për Onufrin, gjeniun e shekullit XVI dhe për ikonografë të tjerë shqiptarë. Mund të them që ndikimi ikonografik i shkollës kreto-venedikase ka qenë më i vonë në Shqipëri dhe jo aq shumë zoterues. Kurse shkolla shqiptare e ikonografisë, ka qenë e madhërishme dhe e veçantë.

Miku im, dijetari mesjetarolog, i ndjeri Theofan Popa gjithë jetën ja kushtoi një vepre të tij me rëndësi epokale. Ai mblodhi tërë mbishkrimet e kishave të Shqipërisë, duke i pajisur me shënime historike e shkencore. Theofan Popa ka meritën e padiskutueshme të mbledhjes se mbishkrimeve kishtare dhe në zonën Himarë-Delvinë. Çfarë mësojmë nga këto mbishkrime?

Një pllakë në murin verilindor të kishës së shen Sergit dhe Bakut në Himarë mban vitin 786, pra i përket shek.VIII. një mbishkrim në manastirin e lindjes së Shën Mërisë në Dhermi flet për një lutje ndaj Perëndisë, nga një i quajtur Guzi në emër të gruas dhe fëmijeve të tij me 1756. Në kishën e Shën Thanasit në Dhërmi është një mbishkrim i vitit 1671 ku përmenden emrat e banoreve: Deda, Nikollë Leka, Dhimo Theodori, Nikollë Deda dhe bijve të tyre Gjini dhe Kokali. Duket qartë se këta jane emra shqiptaresh.

Një tjetër mbishkrim i vitit 1751 permend emrat e priftërinjve Ilia Leka nga Dhermiu dhe Anton Stara Gjika, që kanë qene në kishën e Ipandisë në Himare. Në këmbanen e kishes se Shen Thanasit në Piqërras, është dhe një mbishkrim ku thuhet "Dhuratë me shpenzimet e kryeqindësit, kapedan Dhimitër Gjikës, bërë në Napoli më 1763.  Në kishën e Shën Spiridonit në Vuno të Himarës më 1873 pikturon një lutje një grua e quajtur Lule Dhima. Vetëm gratë shqiptare deri më sot në botë janë quajtur Lule.

Në Manastirin e Shën Mërisë mbi Athali të Himarës më 1795 është bërë në afresk një poezi e çuditshme, ku flitet për varrin e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Kjo poezi është në greqisht dhe unë e kam botuar një herë tjetër të botuar në shqip, por ajo që është e rëndësishme është që jo rastësisht sillet në kujtesë nga ana e banorëve të Himarës, figura e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Në një gur të murosur në portën jugore të kishës në Qiparo të Himarës është gdhendur "1796 Usta Koti".

Është emri i kryemjeshtrit, që e ndërtoi kishën dhe viti i ndërtimit. Në një ikone në Qeparo të Himarës është një mbishkrim i vitit 1798, i një të quajturi Gjikë Pasi. Por ajo më e çuditshmja dhe më e befasishmja është një ngjarje e përjetesuar në mbishkrimin e një këmbane në këtë zone. Mbishkrimi në greqisht i këmbanës thotë: "Në kujtim të ushtarëve vullnetarë shqiptarë (stratioton alvaniton- në origjinal, shënimi im M.Z), të Mbretit të dy Sicilive, që ranë në betejë nga katundi Lukovë, Muzinë, më 1813, bërë prej meje Raponci".

Ky mbishkrim i shkruar me gërma të përziera latine dhe greke dokumenton faktin historik të njohur për repartet e Himarës, që kanë sherbyer në ushtrine e Ferdinandit të Napolit, Mbretit të dy Sicilive. Një tjetër mbishkrim i çuditshëm është një kupë prej argjendi në kishën e Manastirit mbi Piqerras, ku shkruhet frëngjisht "Ecole s-t Catherine", pra "Shkolla e Shën Katerines". Ky fakt i fundit shpreh poliglosinë, shumësinë e gjuhëve të huaja dhe të kulturave evropiane në zonën e Himarës.

Nuk po vazhdoj më tej. Por unë nuk dua të bëj ndarje me thikë, sepse nuk ka kufij të mbyllur në qarkullimin e kulturave. Ashtu si ikonografia ka më tepër karakter ekumenik dhe jo etnik, ashtu mund të them se dhe ritet e kishës perëndimore dhe lindore nuk mund të kenë boshllëk dhe humnera të frikshme, ose të pakapërcyeshme.

Por nuk është shkencore që në emër të kishës të bëhen përcaktime etnike. Ortodoksizmi nuk i përket vetëm grekërve, por edhe shqiptarëve, edhe sllavëve, edhe italianëve, madje ky ndikim mund të arrijë deri në Indi dhe në Amerike. Ortodoksizmi nuk ka qene pasaportë etnike për të gjitha këto vende dhe popuj, sepse fetë në thelb në thelb nuk jane etnike, por ndëretnike. Ngatërrimi i qëllimshëm i këtyre koncepteve është një marrëzi dhe çdo marrëzi është e pakuptimtë dhe pa perspektivë. 
kisha dhermi

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 23 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)