PARIS-Në Paris është dita e Lionel Messit. Ylli argjentinas është prezantuar zyrtarisht në një konferencë për shtyp nga skuadra e tij e re dhe tashmë ka nisur një tjetër epokë në karrierën e tij. Pas largimit mes lotësh nga Barcelona të dielën dhe zyrtarizimit të transferimit të bujshëm tek francezët e PSG-së Messi ka rigjetur buzëqeshjen dhe u është prezantuar tifozë të rinj. Ylli argjentinas e pranon se ka qënë shumë e vështirë të linte Barcelonën por është gati dhe mëse i motivuar për të fituar të tjerë trofe me PSG-në:
“Lamtumira nga Barcelona ishte e vështirë pasi kalova atje shumë vite. Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe jam shumë i lumtur që jam tek PSG. Pritja që më dhuruan dje tifozët ishte një çmenduri e vërtetë.Unë dua të vijoj të fitoj në këtë klub shumë ambicioz,skuadra është e bërë dhe gati, ka futbollistë shumë të mirë. Së bashku do të luftojmë për të arritur objektivat”.
Messi që dje kaloi vizitat mjekësore dhe hodhi firmën në kontratën dy-vjeçare nuk e di se kur do të debutojë me skuadrën e re por mezi pret të stërvitet me shokët mbi të gjitha me ata të repartit të sulmit Neymar e Mbappe:
“Ndiej një gëzim të madh të luaj me Neymar e Mbappe. Verrati mund të behët Iniesta i PSG-së. Tifozët më pritën shumë mirë. Objektiv është fitimi i Championsit por nuk është e lehtë pasi jo gjithmonë fiton skuadra më e mirë” e mbyll ish kapiteni i Barcelonës.
Në Paris tashmë ka nisur Messi mania dhe fanella e tij me numrin 30-të po shitet me ritme të shpejta. Shumë i lumtur dhe krenar është shfaqur edhe presidenti i PSG-së Nasser Al-Khelaifi i cili e quan ditë historike për skuadrën dhe futbollin botëror prezantimin e një lojtari unik si Messi. Më pas drejtuesi konfirmon se e ardhmja e Mbappe është tek PSG./ Përgatiti Andi Kapxhiu