TIRANË- Presidenti Ilir Meta ka dekretuar ditën e sotme ligjin për faljen gjobave të vendosura deri në 17 prill në shkelje të aktit normativ të COVID-19. Që do të thotë të gjitha gjobat e vendosura deri në këtë datë për shkelje të rregullave të vendosura për shkak të situatës së pandemisë së COVID-19, janë falur dhe ato që kanë shlyer detyrimet do t'u kthehen pas. Ndërkohë, Meta ka dekretuar dhe 3 ligje të tjera.
"Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar shpalljen e 4 ligjeve: Ligjin nr. 45/2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe të protokollit zbatues në lidhje me asistencën financiare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë”. Kjo marrëveshje reflekton vullnetin e Republikës së Turqisë për mbështetjen e marrëdhënieve të qëndrueshme me Republikën e Shqipërisë, përmes një kontributi të drejtpërdrejtë për Forcat e Armatosura të vendit tonë.
Ligjin nr. 51/2020 “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit, nr. 16, datë 17.4.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për faljen e masave administrative me karakter ndëshkues të vendosura gjatë periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19””. Përmes këtij akti të gjitha masat ndëshkuese administrative të vendosura deri në datën 17 prill 2020 për shkeljen e rregullave apo të akteve nënligjore të nxjerra në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin e pandemisë Covid-19, dhe pasojat krijuara prej këtyre masave falen, ndërsa detyrimet e paguara për masat administrative gjobë, u kthehen qytetarëve.
Ligjin nr. 59/2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për politikën për zhvillim për aksesin e barabartë gjinor në mundësitë ekonomike”. Mbështetja e disa sektorëve për përmirësimin e politikave gjinore, do të jetë pa diskutim një ndihmesë e çmuar në fuqizimin e rolit të gruas në ekonominë shqiptare.
Ligjin nr. 60/2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes së përbashkët të prokurimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian, për të prokuruar kundërmasat mjekësore”, mundëson finalizimin e procedurave për bërjen të zbatueshme të marrëveshjes që reflekton angazhim të përbashkët për blerjen e kundërmasave mjekësore ndaj kërcënimeve serioze ndërkufitare për shëndetin. Qasja e përbashkët në negocimin e kontratave të kësaj natyre, do të ketë reflektim direkt në përgjegjësinë, disponueshmërinë dhe çmimin e produkteve mjekësore të prokuruara sipas termave të negocimit të kësaj marrëveshjeje", njofton presidenca.
Ndërkohë që kreu i shtetit ka kthyer ligjin për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Por cilat janë arsyet? Sipas Presidentit, ky ligj që ka në thelb procedurën për furnizimin me pajisje ushtarake, të klasifikuara, mallra apo shërbime cenon parimet e rëndësishme kushtetuese. Meta vijon më tej me argumentin se ky ligj shmangen procedurat e hapura për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë dhe ul ndjeshëm mundësia e biznesit vendas për pjesëmarrje.
"Mungesa e përcaktimit të qartë e shterues të fushës së zbatimit të këtij ligji sa i përket llojit të mallrave dhe shërbimeve që mund të prokurohen sipas përcaktimeve të tij, krijon hapësirë që jo vetëm të shmangen procedurat e hapura për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, por dhe të ulet ndjeshëm mundësia e biznesit vendas për pjesëmarrje në këto procedura prokurimi, ku kriter kryesor është pasja e CSI-së (Certifikatës së Sigurimit Industrial)".
"Mungesa e përcaktimit të qartë të fushës së zbatimit të këtij ligji sa i përket objektit jo shterues të mallrave dhe shërbimeve që mund të prokurohen sipas tij, cenon parimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike, barazisë përpara ligjit, me pasojë diskriminimin e operatorëve të ndryshëm në treg, duke rritur mundësitë për dëm ekonomik ndaj financave të shtetit. Krijon hapësira për përdorimin e procedurave që përcakton ky ligj, edhe për mallra e shërbime që jo domosdoshmërisht lidhen drejtpërdrejt me sigurinë dhe mbrojtjen. Një gamë më të gjerë mallrash dhe shërbimesh, që jo domosdoshmërisht lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë.
Ligji bën që të ketë një trajtim jo të barabartë dhe diskriminues për të gjithë operatorët ekonomikë në treg, ndryshe nga sa deklarohet në objektivat e kësaj nisme në relacionin shoqërues. Kjo mungesë qartësie, krijon një hapësirë për intepretim në praktikë duke i dhënë një mundësi të pakufizuar autoritetit kontraktor, që për prokurimin e një malli apo shërbimi, mundet në mënyrë abuzive ta kategorizojë atë si të lidhur me mbrojtjen dhe sigurinë, për të futur prokurimin nën një regjim të posaçëm ligjor, e të krijojë përjashtime pa shkaqe të përligjura.
Kjo mundësi që krijon Kuvendi përmes kësaj dispozite, përbën edhe gabimin më të rëndë në procesin legjislativ, pasi krijon hapësirë për shpërdorimin e fondeve publike, nën mbulimin e përjashtimit ligjor. Pikërisht ky është nga ato raste kur Kuvendi me një zgjedhje të keqmenduar ligjore i hap rrugën praktikave me risk të lartë korruptiv dhe klientelist" thotë Meta.
hajduut hajdut , nuk ka det qe mund te laje krimet e tuaja . vendy yt eshte ne Rec . le te shpresojme qe vete populli shqiptare e jape denimin e merituar .
PërgjigjuTe shfaqet si fantazme korrupsioni,me bllok ne dore, apo e nuhate se ka vend per abuzime, ti je hamshor i eurove prandaj nuk firmos tenderat, qe te te japin pjesen, s'ke faj te eshte bere paraja COVID-1990-2020.
Përgjigju