TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe presidenti Ilir Meta, (i zhveshur tashmë nga roli i një kreu të shtetit) kanë sulmuar ditën e sotme qeverinë, sipas së cilëve nuk po teston mjaftueshëm popullësinë për COVID-19.

I pari që risolli në vëmendje shqetësimin për një numër më të lartë testimesh ishte presidenti Ilir Meta.

"Është shumë shqetësuese që Shqipëria është e fundit në Europë për numrin e testimeve të kryera. Testimi është veprim themelor sepse i hap rrugën gjurmimit dhe trajtimit të bazuar mbi diagnozë. OBSH ka qenë shumë e qartë që në momentin kur pandemia COVID-19 u shfaq, duke kërkuar: Testim! Testim! Testim! Kjo kërkesë është sot më urgjente se kurrë pasi rastet e të infektuarve, krahasuar me muajin prillin, janë rritur me mbi 11 herë", shkruan Meta.

Ndërkohë që pak orë më vonë, ishte kryedemokrati Lulzim Basha që artikulon të njëjtin mendim.

"Rritja e numrit të testimeve, rimbursimi i plotë për mjekimin në shtëpi kundër Covid, bonusi i premtuar dhe angazhimi i të gjithë mjekëve e infermierëve dhe shtimi i kapaciteteve spitalore janë 4 hapa URGJENTË në ndihmë të shëndetësisë dhe shqiptarëve të lënë në mëshirë të fatit", shkruan Basha.