Meta: Dialogu politik shmang
vonesat në axhendën evropiane

Meta: Dialogu politik shmang<br />vonesat në axhendën evropiane
TIRANE - Kryetari i Kuvendit,  Ilir Meta priti sot Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Christian Danielsson, me të cilin biseduan mbi rekomandimet e progres-raportit të fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta shprehu mirënjohjen për punën e kryer nga Komisioni Evropian dhe vuri në dukje se rekomandimi pozitiv për çeljen e bisedimeve për anëtarësim në BE reflekton përpjekjet e Shqipërisë për të avancuar në rrugëtimin e saj evropian.

Në këtë kuadër, Meta theksoi se Kuvendi e ka lexuar progres-raportin me kujdes të veçantë dhe të gjithë rekomandimet e Komisionit do të reflektohen në Planin e Veprimit të Kuvendit të Shqipërisë.

Kryetari i Kuvendit nënvizoi gjithashtu se dialogu politik është shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e një klime bashkëpunuese në parlament me qëllim shmangien e vonesave të panevojshme për axhendën evropiane të vendit, e cila duhet të qëndrojë mbi axhendat e ngushta politike apo elektorale.

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Christian Danielsson e përgëzoi Kryetarin e Kuvendit, Meta për progresin e arritur dhe e siguroi atë për mbështetjen e plotë të Komisionit ndaj përpjekjeve të Kuvendit në drejtim të bashkëpunimit politik, garantimit të gjithë-përfshirjes dhe forcimit të bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe institucionet e pavarura.

Në përfundim, u diskutua mbi zhvillimet në rajon dhe u nda bindja se stabiliteti i Ballkanit ka rëndësi jo vetëm për qytetarët në rajon por edhe për sigurinë e të gjithë Bashkimit Evropian.

(er.nu/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Zjarr në ish-uzinën e përpunimit të naftës në Ballsh

Zjarr në ish-uzinën e përpunimit të naftës në Ballsh