Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka takuar sot ish-Presidentin e Republikës, Rexhep Meidani, në një restorant në zonën e ish Bllokut në Tiranë.

Takimi ka zgjatur rreth 2 orë. Mësohet se Meidani ka ndërprerë pushimet verore për tu takuar me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. 
 
Gjithashtu drekës së Metës dhe Meidanit i është bashkuar edhe ish-deputeti i PS, Koço Kokëdhima. Në një prononcim për mediat pas takimit, Kokëdhima tha se "takimi ishte mes miqsh socialist dhe jo politik".

Sipas tij, koalicioni PS-LSI ka probleme, por janë të zgjidhshme.  "Diskutuam mbi ngjarjet e fundit që kanë ndodhur. Koalicioni ka probleme por mund të zgjidhen. Dy partitë e koalicionit kanë fuqi t'i zgjidhin vetë problemet", është shprehur Kokëdhima. 

kokedhima
(Koço Kokëdhima, ish deputet i PS)

I dyti, pas Kokëdhimës, është larguar ish-Presidenti Rexhep Meidani, i cili nuk ka dhënë prononcim per mediat. Ndërsa kryetari i Kuvendit është larguar nga restoranti ku drekoi me Meidanin dhe Kokëdhimën rreth një orë më vonë.