Në fjalën përshëndetëse të mbajtur në këtë pritje, Ilir Meta u shpreh se parimet e lirisë, drejtësisë dhe sundimit të ligjit janë shtyllat kryesore, mbi të cilat funksionojnë shoqëritë demokratike. “Në këtë drejtim edhe vendi ynë ka shënuar progres substancial, duke pasur parasysh të kaluarën e shkeljeve dhe dhunimin flagrant të të drejtave të njeriut nga e cila vinim.
Qytetarët tanë janë përpjekur, janë organizuar dhe kanë protestuar për të ndryshuar jo vetëm ligjet, por dhe mentalitetin e zakonet e kaluara të shoqërisë”, tha kryetari i Kuvendit. Meta shtoi se falë këtyre përpjekjeve, por edhe falë mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, sot shqiptarët janë në gjendje të gëzojnë liritë dhe të drejtat politike, ekonomike dhe shoqërore. “Ne kemi punuar shumë së bashku për të bërë ligje rregullatore, të drejta dhe gjithëpërfshirëse.
Kemi punuar shumë që të afrojmë publikun te Parlamenti, t’i sigurojmë akses publikut në të gjitha dokumentet parlamentare, pasi mendojmë se një qasje e fortë dhe e shëndetshme kundrejt transparencës dhe përfshirjes së publikut në veprimtarinë e Kuvendit i mundëson shoqërisë civile, mediave dhe organizatave jofitimprurëse për të debatuar, hetuar, por edhe sfiduar mënyrën e vjetër të ushtrimit të pushtetit”, theksoi z. Meta.
Progres-raporti
Duke folur për progres-raportin e fundit të Komisionit Evropian, kryetari i Kuvendit tha se funksionimi i mekanizmave mbrojtës të të drejtave të njeriut mbetet ende një sfidë për shoqërinë tonë.
“Duhet më tepër vëmendje për procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, më tepër përkushtim ndaj kushteve të jetesës për grupimet vulnerabël siç janë komuniteti rom dhe egjiptian, apo edhe për të gjithë ata qytetarë që vuajnë përjashtimin social dhe diskriminimin.
Duhen forcuar mekanizmat institucional për mbrojtjen e fëmijëve dhe viktimave të dhunës në familje. Këtu kam parasysh shumë gra dhe nëna, të cilat kanë nevojë për dorën mbrojtëse të shtetit, sidomos në zonat më të thella”, vijoi z. Ilir Meta.
Roli i Kuvendit
Kryetari i Kuvendit deklaroi se po bëhen përpjekje për të rritur rolin mbikëqyrës të Kuvendit dhe se në të gjitha përpjekjet për të përmirësuar standardet e aktivitetit parlamentar në mbrojtje të të drejtave të njeriut në vendin tonë, roli dhe përkushtimi i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri ka qenë i jashtëzakonshëm.
“Gjatë kësaj legjislature kemi miratuar ligje të rëndësishme për personat me aftësi të kufizuara që lidhen me sigurimet shoqërore, aksesueshmërinë, me shërbimet e kujdesit shoqëror dhe me punën vullnetare. Komisionet e përhershme kanë qenë gjithnjë të hapur për konsulta të vazhdueshme me organizatat e personave me aftësi të kufizuara.
Përgjegjësia për të arritur përfshirjen dhe aksesueshmërinë nuk i përket vetëm komunitetit të personave me aftësi të kufizuar, por na përket të gjithëve, pasi ka ende shumë pengesa për njerëzit me aftësi të kufizuara që të ushtrojnë plotësisht të drejtat e tyre themelore”, tha ndër të tjera kryetari i Kuvendit, Ilir Meta në fjalën e tij përshëndetëse.
dy.b/shqiptarja.com