TIRANË- Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është shprehur i pakënaqur nga drejtësia e re, sipas së cilit është e lidhur ngushtësisht me politikën.

“Drejtësia e re ka pësuar një metamorfozë antikushtetuese. Duhet përmbysje politike që të ketë një drejtësi të pavarur”, tha Meta.

Ai është ndalur të flasë edhe për tensionet në veri të Kosovës, duke theksuar se zgjidhja është dialogu.

“Apelojmë për dialogun, si e vetmja rrugë jo vetëm për normalizimin e situatës, por edhe për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, me njohjen reciproke dhe integrimin në BE-së”, u shpreh kryetari i Partisë së Lirisë.

I shqetësuar Ilir Meta u shfaq edhe për raportet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, vecanërisht për koncesionet që sipas tij po falimentojnë vendin.

"Koncensionet korruptive dhe PPP-të po e mbysin ekonominë, duke rënduar ndjeshëm buxhetin e shtetit, rritur në mënyrë katastrofike borxhin publik dhe praktikisht duke falimentuar Shqipërinë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, sikundër edhe opozita ka paralajmëruar më herët, ka ngritur së fundmi alarmin e kuq për nivelin e lartë të rrezikut që paraqesin kontratat koncesionare  në ekonominë shqiptare dhe kryesisht në stabilitetin fiskal. Këto praktika shumë të dëmshme për ekonominë e vendit, sikundër projektet korruptive të Partneriteteve Publike-Private (PPP) për investime në infrastrukturë do të pengojnë efikasitetin e investimeve publike dhe do të bëhen shkak për të krijuar detyrime shumë të mëdha, të cilat mund të dëmtojnë seriozisht qëndrueshmërinë e borxhit", tha Meta.