Po ashtu, mungonte socialistja Arta Dade që është jashtë Shqipërisë, ndërsa nga PDIU nuk ishin të pranishëm Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda. Në këto kushte, Ruçi kërkoi pak minuta kohë dhe shkoi pranë kryetari të grupit parlamentar të LSI-së, Luan Rama i shqetësuar për mungesën e deputetëve të partisë së tij.
“Ku e ke grupin parlamentar?”-i tha Ruçi. Ndërkohë, të dy deputetët kryesues grupesh filluan telefonatat. Nga LSI mbërriti në sallë Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili që është ndërkohë edhe deputet dhe Ylli Shehu. Nga PS erdhi brenda në sallë Ilir Pendavinji dhe në këtë mënyrë u arrit kuorumi i nevojshëm për të miratuar disa marrëveshje të rëndësishme.
Detaj interesant që u interpretua ishte fakti se Ilir Meta e drejtori seancën plenare derisa mori pjesë në seancë kryeministri Rama, ndërsa u largua kur ai mori fjalën. Leskaj e zëvendësoi Metën gjatë fjalës së gjatë të Ramës, ndërsa kryetari i kuvendit u kthye në detyrë sapo Rama mbaroi fjalën kryeministri.
Kështu, u miratua projektligj “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit për zhvillimin e integruar urban dhe të turizmit” dhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga ministria e Financave, “Huamarrësi”, dhe KFV Frankfurt am main “KFV”, për programin e menaxhimit të mbetjeve të ngurta, rajoni Vlorë”.
Arta Dade, përmes një njoftimi për shtyp të Kuvendit tregon se ku ndodhet që nuk mori pjesë në votim. Më 23 dhe 24 shkurt 2017, në Qendrën e Kongreseve “Hofburg” të Vjenës, po mbahet Takimi i 16-të Dimëror i Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE).
Merr pjesë delegacioni Parlamentar i Kuvendit të Shqipërisë kryesuar nga Arta Dade, e cila gjatë fjalës së saj, në cilësinë e Kryetares së Ekipit të Asamblesë për Moldavinë, caktuar nga Kryetari i radhës së OSBE-së, ish Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Steinmeier, prezantoi aktivitetin e këtij grupi si dhe një raport mbi punën dhe vlerësimet e Misionit të Vëzhguesve Afatshkurtër të zgjedhjeve në Moldavi, që ajo kryesoi në cilësinë e Koordinatores speciale të caktuar nga AP e OSBE.
Takimi i dimrit do të mbyllet me dt. 24 shkurt me një debat të posaçëm, që do të zhvillohet gjatë sesionit të përbashkët të komiteteve, me temë “Mbrojtja e të drejtave të njeriut në kohë krize”. Gjithashtu, Dade mori pjesë në darkën që delegacioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kryesuar nga Roger F. VVicker, ku senatori informoi të pranishmit për bashkëpunimin e mëtejshëm të administratës së re Amerikane me OSBE-në dhe NATO-n.
Silva Caka: Fëmijët të ekspozuar ndaj rreziqeve, duhet ndërhyrje
Kuvendi miratoi dje projektligjin “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve”. Duke folur në emër të grupit të LSI-së për këtë çështje, deputetja Silva Caka tha se aktualisht fëmijët janë të ekspozuara ndaj rreziqeve dhe ndërhyrja përmes këtij ligji ishte i nevojshëm. “U bë tashmë shumë kohë që të drejtat e fëmijëve artikulohen nga shumë aktorë e faktorë vendas e ndërkombëtarë, që ushtrojnë veprimtaritë e tyre në fushën e të drejtave të njeriut, kryesisht në atë të të drejtave të fëmijëve. Kjo sigurisht e ka një arsye: situata e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri dhe mbrojtja e tyre është në nivel të ulët alarmant. Sot më shumë se kurrë, fëmijët janë pre e të gjitha llojeve të shfrytëzimit, sot më shumë se kurrë fëmijët janë pre e vetëvrasjeve për shkak të talljes masive në shkollat tona, sot më shumë se kurrë fëmijët janë pre e përdorimit të armëve, sot më shumë se kurrë fëmijët janë pre e konsumimit të alkoolit, duhanit dhe kanabisit, sot më shumë se kurrë fëmijët janë pre e vrasjes së tyre, madje jo rrallëherë jeta u merret nga ata që duhet të japin jetën e tyre për të mbrojtur fëmijët. Rasti më i fundit dhe një ndër më të tmerrshmit që më kanë zënë veshët, ishte ai i masakrimit të foshnjës 40 ditëshe nga babai i vet”,-tha Caka. Deputetja e LSI-së shtoi se pas miratimit të këtij ligji, sfida e vërtetë është në terren. “Në këtë situatë ku ndodhen fëmijët tanë, ishte absolutisht e nevojshme ndërhyrja e shtetit, me mekanizmat e tij ligjorë dhe institucionalë, të cilët së pari duhet të ndryshonin kuadrin ligjor në Shqipëri, kuadër i cili deri tani ka qënë i paplotë, i vakët dhe pa mekanizma mbështetës konkretë, të cilët e kanë bërë ligjin aktual një letër pa vlerë”,-tha Caka.
Ilir Pendavinji: Opozita duhet të kishte vrapuar drejt parlamentit
Deputeti socialist i Korçës, Ilir Pendavinji akuzoi dje opozitën se nuk është e shqetësuar për ligjet e rëndësishme për të ardhmen, por proteston vetëm për karriget e pushtetit. Deklarata u bë teksa në parlament diskutohej pr.ligji për mbrojtjen e fëmijëve. “Ligji i sotëm është nga ata për të cilin edhe opozita duhet të kishte vrapuar drejt parlamentit, të diskutonte dhe të kontribuonte si me diskutime ashtu edhe me mendime se si mund të përmirësojmë sistemin mbrojtës të fëmijëve, por ata nuk kanë kohë të merren me fëmijët dhe me pjesën më të rëndësishme të shoqërisë, ata që do të merren me fatet e vendit. Ata janë më shumë të shqetësuar për vendet dhe karriget e pushtetit për të cilat po bëjnë edhe këtë protestë”,-tha Pendavinji. Projektligji trajton për herë të parë aspektin e mbrojtjes së fëmijëve, duke parashikuar masat mbrojtëse që jepen nga strukturat e pushtetit vendor dhe gjykatat, duke u bazuar edhe në Planin Individual të Mbrojtjes. Në çdo bashki do të ketë 1 punonjës të mbrojtjes së fëmijëve për 3000 fëmijë, të cilët duhet të jenë detyrimisht punonjës socialë. Punonjësi i mbrojtjes së fëmijëve merr autoritetin që kanë punonjësit e tjerë në të gjitha vendet e përparuara, duke bërë që interesi më i lartë i fëmijës të prevalojë mbi çdo interes tjetër, përfshirë edhe atë prindëror. Ashtu si në vendet europiane, ku punonjësi i mbrojtjes së fëmijëve ndërhyn kur merr njoftimin se fëmija po abuzohet apo është në rrezik, edhe projektligji parashikon se nëse fëmija merret në mbrojtje, e drejta e prindërimit do të ndërpritet.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com