TIRANE-Atë që bëri dje për 60 minuta në konferencën për shtyp, Presidenti Ilir Meta po e vijon sërish sot, por këtë herë nga faqja zyrtare në Facebook duke vijuar luftën institucionale me qeverinë, por edhe ndërkombëtarët. Meraku është po i reforma në drejtësi, por edhe kriza politike. Kur na ndajnë pak ditë nga tre vjetori i miratimit të reformës në drejtësi në Kuvendin e Shqipërisë me 140 vota, Meta akuzon dhe ironizon duke ngritur pyetjen se cështja është nëse është 'Reforma apo Ramaforma'? Më pas Meta shpjegon se cfarë është sipas tij Ramaforma.

'Mirëmëngjes të dashur qytetarë! Reforma apo Ramaforma? Kjo është çështja. Po çfarë është Ramaforma? Përgjigje e thjeshtë: Zbatimi ”krijues” i Reformës. Timonieri ynë ka timon por s'ka frena, dhe si i tillë shquhet për “krijimtari” të papërmbajtshme. Pas pak po e nisim me Kryereformën në drejtësi meqënëse pas pak ditësh nisim festimet për 3-vjetorin e miratimit të saj me 140 vota, duartrokitje dhe puthje të papërmbajtura' shkruan Meta.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca kërkoi sot sërish dialog mes palëve për të kapërcyer situatën politike aktuale, por Presidenti Meta u kundërpërgjigj menjëherë duke u hedhur në sulm me 10 pyetje publike drejtuar kryediplomatit të BE-së në Tiranë, ndërsa e akuzon se nuk e ka mbështeur në nismën për të ulur palët.

Meta dje propozoi që në 13 tetor të realizohen zgjedhjet vendore, të përgjithshme dhe ato për President, tek të cilat do të kandidojë sërish. Ndërkohë që sulmoi hapur dhe ashpër ndërkombëtarët duke i cilësuar si; Qesharakë, ngatërrestar, intrigantë, lojë ambasadash, që sipas tij u tallën me shqiptarët. Megjithatë për propozimin e tij për tre zgjedhje në tetor dhe deklaratat e sotme pritet reagimi nga kreu i qeverisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:39
Kriza politike, Meta nuk kursen ambasadorin e BE-së: Kam 10 pyetje për ju, pse nuk më mbështetët për dialogun?


Presidenti Ilir Meta nuk ka kursyer ditën e sotme në deklaratat e tij që ka nisur në Facebook as ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, i cili po ditën e sotme bëri një tjetër thirrje që qeveria dhe opozita të angazhohen në dialog.

Meta i drejton 10 pyetje publike ambasadorit të BE-së, ku mes të tjerave e pyet se përse nuk e mbështeti Presidentin në iniciativën për dialog mes palëve. Kreu i shtetit shprehet se një nga shqetësimet dhe vërejtjet e tij për delegacionin e BE gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë se nuk ka bërë përpjekjet më të mira për të nxitur një dialog real midis palëve.

PYETJE PUBLIKE PËR AMBASADORIN SORECA
Presidenti i Republikës përshëndet nxehtësisht thirrjet e sinqerta të ambasadorit Soreca për “pjekuri politike dhe për angazhimin urgjentisht në një dialog politik për të kapërcyer situatën aktuale”. Me këtë rast Presidenti ka disa pyetje publike:
A ishit ju realisht për nxitjen e dialogut mes palëve më parë z.Ambasador?
A morët ju ndonjë nismë konkrete për vendosjen e këtij dialogu mes palëve?
A i kërkuat ju mbështetjen Presidentit për dialog, me qëllim që t’ja kursenim shfaqjen e shëmtuar të 30 qershorit Shqipërisë dhe së ardhmes së saj europiane?
A e dini ju që Presidenti mori një nismë për anullimin e zgjedhjeve me qëllim vendosjen e dialogut mes palëve?
Përse nuk e mbështetët ju Presidentin në këtë inisiativë publikisht?
A e dini ju që në 24 maj 2019 përfaqësuesit zyrtarë të grupit kryesor në Bundestag, deputetët Ëadephul dhe Schmidt, përmes një qëndrimi zyrtar kërkuan vendosjen urgjent të dialogut për zgjidhjen e krizës, madje u ofruan për moderimin e këtij dialogu me qëllimin e mirë për të ndihmuar në çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në dhe theksuan edhe rëndësinë e një date të re për zgjedhjet vendore, që të ishin demokratike dhe gjithpërfshirëse, si domosdoshmëri për të ndihmuar çeljen e negociatave?
A e dini ju që Presidenti menjëherë reagoi duke mbështetur këtë nismë dhe tregoi vullnetin e tij për të dekretuar një datë të re të zgjedhjeve, pas dakordësimit të palëve?
A e dini ju që Presidenti i Republikës ka dekretuar datën 13 tetor 2019, për zhvillimin e zgjedhjeve lokale gjithpërfshirëse? Çfarë qëndrimi keni ju?
A e keni sqaruar z.Rama se zgjedhjet pa opozitën nuk plotësojnë kriteret e Kopenhagës, shkelin parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe pamundësojnë çeljen e negociatave të
anëtarësimit në tetor 2019?
A e dini ju që po dje Presidenti ka theksuar, duke patur parasysh rëndimin e krizës politike në vend, që 13 tetori 2019 të jetë jo vetëm data e zgjedhjeve lokale, por edhe e atyre parlamentare dhe presidenciale, për t’i dhënë fund njëherë e mirë kësaj krize të thellë dhe të gjithanshme të përfaqësimit në vend?
Ju e dini shumë mirë, që ditën e parë që keni mbërritur këtu, se një nga shqetësimet dhe vërejtjet e mia për Delegacionin e BE gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë se nuk ka bërë përpjekjet më të mira për të nxitur një dialog real midis palëve.
Për pyetjet e tjera për Reformën në Drejtësi dhe Gjykatën Kushtetuese do vijoj më vonë, por dialogu, temat, mënyrat dhe objektivat e tij të përcaktura qartë janë prioriteti numër një për momentin, sipas mendimit tim. Përshëndetjet më të përzemërta dhe bashkëngjitur po ju kujtoj publikisht dhe qëndrimin zyrtar të Zv/kryetarit të Grupit parlamentar të CDU/CSU në Bundestagun gjerman, z.Johann Ëadephul.

DEKLARATA E ZV/KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR CDU / CSU, Z.JOHANN DAVID WADEPHUL:
"Pas vendimit të Presidentit, ekziston një situatë e re politike dhe të gjitha palët tani duhet të kërkojnë rrugën e pajtimit, duke përfshirë zgjedhjet lokale demokratike me kandidatë potencialë të shumëfishtë, që do të thotë se TË GJITHË DUHET TË PRANOJNË VENDIMIN E PRESIDENTIT dhe pastaj marrin pjesë në procesin politik. GJITHÇKA TJETËR DO TË JETË JO EUROPIANE dhe do të shtonte dyshimet në mënyrë të panevojshme sa i përket dobishmërisë së procesit të aderimit, duke krijuar kështu një bazë të re për bashkëjetesën paqësore të konkurrentëve politikë. Në Europë, çdo qeveri duhet të pranojë një opozitë kritike, dhe çdo opozitë duhet të pranojë një qeveri efektive. Kjo është një bazë esenciale për një shtet po aq të qëndrueshëm dhe demokratik. NËSE SHQIPËRIA DËSHIRON TË SHKOJË NË KËTË RRUGË DREJT EUROPËS, SIGURISHT QË DO TË MARRË NDONJË MBËSHTETJE NGA GJERMANIA. "

Ora 10:15
Meta tallet me Ramën: Ja ku bazohet 'Ramaforma', do të vijoj ciklin shpjegues

1562141759_1562139157meta1.jpg
Presidenti vijon breshërinë e akuzave kundër kryeministrit Rama për Reformën në Drejtësi. Meta duke ironizuar kreun e qeverisë shpjegon sipas tij se ku është bazuar ajo që ai e cilëson si 'Ramaforma'." Reforma në Drejtësi u bazua te Komisioni i Venecias. Po Ramaforma ku bazohet?!! Përsëri frymëzimi buron nga Venecia, por jo nga Komisioni, por nga Bienalja e Venecias. Pse? Sepse timonieri ynë është vetëm Artist" shkruan ai.  Por Meta nuk e mbyll me kaq, teksa shkruan se do të vijojë me një cikël të gjatë, shpjegues dhe çtensionues duke premtuar të tjera statuse në faqen e tij në Facebook.

Refleksione” mbi Ramaformat (Drejtësia e para). Reforma në Drejtësi me të drejtë u vlerësua nga mbi 90% e qytetarëve si domosdoshmëri ulëritëse për t’i dhënë fund korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, si dhe për të rritur besimin te sundimi i ligjit. Shumë misione ekspertësh ndërkombëtarë u angazhuan dy vite para miratimit të saj në Kuvend dhe shumë programe financimi vazhdojnë edhe sot. Por baza e konsensusit të arritur ishin vetëm rekomandimet e Komisionit të Venecias, që është institucioni më prestigjioz në Europë dhe i pranuar nga të gjitha palët, brenda vendit por dhe nga partnerët ndërkombëtarë. Për këtë Reformë u angazhuan profesorët më të mirë të Europës në të drejtën kushtetuese, të cilët bënë një punë të shkëlqyer për të garantuar një sistem drejtësie të pavarur dhe të pakapur nga politika. Profesionalizmi dhe paanësia e tyre garantoi konsensusin historik me 140 vota, duartrokitje dhe puthje të papërmbajtshme. Pra Reforma në Drejtësi u bazua te Komisioni i Venecias.

Po Ramaforma ku bazohet?!! Përsëri frymëzimi buron nga Venecia, por jo nga Komisioni, por nga Bienalja e Venecias. Pse? Sepse timonieri ynë është vetëm Artist. Ju të gjithë e dini arritjen më të freskët të Ramaformës në Drejtësi, pikërisht momentin kur Kolegji Zgjedhor duke shqyrtuar hallin e Idajetit trukoi se kishte rrëzuar Dekretin e Presidentit. Pas pak fillojmë me sqarimin e momentit historik të ndryshimit cilësor nga Reformë në Ramaformë. Ky do të jetë një cikël i gjatë, shpjegues dhe çtensionues. Pasi të përfundojmë me Ramaformën në Drejtësi, do vijojmë me Ramaformat në të gjitha fushat e jetës. Falëminderit për durimin tuaj" shkruan Meta.