Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta vijon që t'i cilësojë jo legjitime zgjedhjet e 30 Qershorit, ndërsa rithekson se zgjidhja e krizës politike kalon nga dekreti për zgjedhjet e 13 Tetorit. Në një intervistë për mediat italiane, "Il Giornale" nga Gjiri i Lalzit, kreu i shtetit shqiptar shprehet se dekreti i tij mund të kundërshtohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese dhe jo nga Kryeministri.

"Nëse nuk do të kisha nxjerrë dekretin për të shtyrë zgjedhjet në 13 tetor, një datë jo rastësore sepse procesi i pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian diskutohet më 18 tetor, një përplasje mes dy fraksioneve politike do të kishte qenë e pashmangshme.

Zgjedhjet e 30 Qershorit nuk ishin as kushtetuese, as ligjore, as legjitime, vetëm gjykata Kushtetuese mund të sfidojë dekretin e Presidentit dhe është për të ardhur keq që veprimtaria e tij të pezullohet nga vullneti i Ramës. Partia e kryeministrit ka zgjedhur të gjithë kryetarët e bashkive, por edhe anëtarët e këshillave bashkiakë, përfshirë qytetin e Tiranës".

Duke u ndaluar te kritikat kundër Soros, kreu i shtetit shprehet se nuk është populist, por realist. "Ne jemi një komb i vogël dhe duhet të jemi të kujdesshëm në një epokë globalizimi si ajo e tanishmja për të ruajtur vlerat që janë në bazë të Shqipërisë duke filluar nga identiteti ynë. Ne duhet të mbrojmë interesat tona kombëtare pa përfunduar në duart e lojtarëve ndërkombëtarë privatë. Unë nuk jam një populist, por një realist që dëshiron të mbrojë Shqipërinë".

Meta kërkon masa të forta për pastrimin e parave të drogës, ndërsa kritikon hetimet për dosjen e përgjimeve që publikoi 'Bild'. "Është e papranueshme që vitet e fundit nuk janë bërë hetime të thella për këto ngjarje, është një nga rastet më të këqija të funksionimit të shtetit të së drejtës, zgjedhjet e rregullta janë zgjidhja për zgjidhjen e këtyre problemeve. Ne gjithashtu kemi nevojë për masa të forta për të zhdukur problemin e drogës, fitimet që rrjedhin nga trafiku i drogës janë shumë më të larta në Shqipëri në krahasim me madhësinë e ekonomisë sonë në krahasim me kombet më të mëdha si Italia apo Gjermania".

Largimi i të rinjve është një tjetër problem që shqetëson Ilir Metën. "Duhet të krijohen perspektiva të ardhshme për të rinjtë. Çdo vit dhjetëra mijëra njerëz largohen nga vendi ynë, nëse vazhdojmë kështu do të pësojmë një depopullim të ngjashëm me atë të viteve nëntëdhjetë pas rënies së komunizmit. Nëse atë kohë ishte e kuptueshme, tani është e papranueshme sepse duhen përgjigje efektive nga politika".

Në fund kreu i shtetit shqiptar jep një mendim edhe për krizën politike në Itali. "Unë e ndjek me vëmendje evolucionin e krizës së qeverisë sepse stabiliteti i Italisë është i rëndësishëm për Shqipërinë, kombet tona kanë lidhje kulturore, shoqërore dhe ekonomike. Shumica e eksporteve shqiptare është drejt Italisë dhe gati gjysmë milionë shqiptarë jetojnë në vendin tuaj" përfundoi ai.