Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka treguar debatet me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, njëherazi kryetare e LSI-së. Në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu në Opinion, Meta ka thënë se me Kryemadhin ka shpeshherë debate që janë pa arsye.
“Sigurisht që debatojmë, por nganjëherë debati është i kotë për arsye sepse secili ka mendjen e vet pavarësisht nga debate. Ne e pranojmë njëri-tjetrin ashtu siç është. Secili ka individualitetin e tij dhe jemi mësuar me këtë.”-është shprehur Meta.
Presidenti ka folur edhe për marrëdhëniet me kryeministrin Edi Rama. Meta ka thënë se me Ramën ka marrëdhënie të mira personale, por që sipas tij, ato që vlejnë janë raportet institucionale.
“Kjo është diçka e parëndësishme. Unë kam pasur marrëdhënie shumë të mira, kemi pasur edhe marrëdhënie problematike. Në detyrën që jam, për mua historitë e së kaluarës dhe raportet personale me asnjë nuk vlejnë. Për mua vlen sjellja institucionale, qëllimi i përbashkët për të cilin duhet bashkëpunuar.
Prioriteti im në raport me të gjithë në këtë detyrë është bashkëpunimi institucional. Çfarëdolloj çështje që të diskutohet nuk ka rëndësi. Kjo nuk i intereson askujt se çfarë pimë ne, kafe apo kakao në kuptimin personal, apo se çfarë shakaje bëmë.”-u shpreh Meta.
Meta ka rrëfyer se me kryeministrin Rama do pranonte të bënte ecje në Jug.
“Meqenëse ai kalon më shumë kohë në Jug, pasi edhe ka pasione, edhe ka ato lidhjet më të shpeshta, për të lehtësuar atë, pa për mua në çdo kohë, kudo në Veri ose në Jug”, tha Meta.
I pyetur nëse ka ndikuar që Kryemadhi të bëhej kryetare e LSI-së, Meta tha se nuk ka ndikuar në këtë çështje.
“Nuk besoj se ka qenë e nevojshme që unë të ndikoj për një gjë të tillë. Përkundrazi ashtu siç kam bindjen që nuk ka qenë një pozitë që edhe Monika vetë e ka kërkuar apo që e ka planifikuar.
Nuk besoj se në politikë bëhen dhurata të tilla, aq më tepër dhuratë për të qenë kryetar i një partie në opozitë.”-tha Presidenti.
Më tej, Meta tha se nuk e përjashton mundësinë e një mandati të dytë si president
“Unë as nuk e përjashtoj dhe as nuk e planifikoj. Thjesht jam duke përqendruar të gjitha energjitë e mia për realizimin me sukses të këtij mandati”-tha Meta.