Dy kryeparlamentarët Meta e Pajovic vlerësuan cilësinë e shkëlqyer të shkëmbimeve e marrëdhënieve politike e ndërparlamentare mes dy vendeve dhe ndanë bindjen se në kuadër të proceseve integruese euro-atlantike, dy parlamentet duhet ta intensifikojnë bashkëpunimin e tyre edhe më tej.
Kryeparlamentari malazez ka shprehur mirënjohjen për pjesëmarrjen e tij në Tiranë në seancën parlamentare të ratifikimit të protokollit të aderimit të Malit të Zi në Traktatin e Atlantikut Verior nga Kuvendi i Shqipërisë më 23 qershor, ndërkohë që Meta vlerësoi instalimin e sistemit të përkthimit simultan të gjuhëve shqipe e malazeze në Parlamentin e Malit të Zi si një shenjë e qartë e vëmendjes që autoritetet malazeze tregojnë ndaj pakicës nacionale autentike shqiptare në vendin fqinj.
''Për mua personalisht, është një kënaqësi e madhe që më jepet mundësia dhe nderi të mbaj fjalimin e parë në gjuhën shqipe, në përurim të sistemit të përkthimit të përhershëm simultan në gjuhët shqip dhe malazeze (dhe anasjelltas) i cili do të përdoret gjatë zhvillimit të seancave parlamentare në Malin e Zi. Ky është një hap vizionar dhe një gjest domethënës që duhet përshëndetur, ndaj në emër të Kuvendit të Shqipërisë dua t’ju falenderoj, t’ju përgëzoj e t’ju uroj sa më shumë suksese në realizimin e vizionit tuaj për një Mal të Zi sa më modern e të integruar në strukturat euro-atlantike”, u shpreh Meta.
Duke evidentuar rolin vendimtar të shqiptarëve në momente kyçe shtetformuese e integruese euro-atlantike për Malin e Zi, Kryetari i Kuvendit Meta solli në vëmendje nevojën për gjetjen e zgjidhjeve konkrete të disa kërkesave të pakicës shqiptare të Malit të Zi që lidhen me decentralizimin e pushtetit lokal në Tuz, me shfrytëzimin e resurseve natyrore për nevojat buxhetore të komunave lokale apo me ligjin e të mirave detare për Ulqinin si dhe të çështjeve që lidhen me përdorimin e simboleve kombëtare dhe gjuhës amtare shqipe.
Meta u shpreh se Shqipëria i mbështet kërkesat legjitime të pakicës shqiptare që forcojnë më tej demokracinë e Malit të Zi dhe njëkohësisht theksoi se Kuvendi i Shqipërisë është i ndjeshëm për sa i përket të drejtave e kërkesave të pakicës malazeze në Shqipëri. Në këtë kuadër, Meta shprehu angazhimin e tij për të mirëpritur në Kuvend një përfaqësi të kësaj pakice me vullnetin e sinqertë për t'iu përgjigjur objektivisht kërkesave e nevojave të tyre, sipas standardeve bashkëkohore evropiane.
Në lidhje me ratifikimin e protokollit nga Kuvendi i Shqipërisë për aderimin e Malit të Zi në NATO, Meta nënvizoi: “Aderimi i Malit të Zi në NATO si dhe avancimi drejt përfundimit pa vonesa të proceseve integruese euro-atlantike për të gjithë vendet e rajonit tonë, janë kyçe për forcimin e perspektivës së paqes dhe stastabilitetit për gjithë Evropën Juglindore”.
Në momentin që Meta po hynte në parlamentin e Malit të Zi deputetët e Demokracisë së re Serbe dhe Partisë Popullore Dekmokratike, të njohura për prirjen e tyre proserbe kanë protestuar me pankarta kundër njohjes së Kosovës. Deputetët e këtyre partive kanë kanë shpalosur pankartën në të cilën shkruhej: ‘’Populli i Malit të Zi nuk u njeh, Kosova është zemra e Serbisë’’. Ky qëndrim i drejtohej kryeparlamentarit shqiptar për të cilin deklaronin se është i mirëpritur dhe për kryeministrin malazez Millo Gjukanoviq të cilit i atribuohet ‘’faji’’ i njohjes së Kosovës nga Mali i Zi.
“Për sa i përket mesazhit që disa deputetë të opozitës dhanë me rastin e vizitës time këtu në Mal të Zi, kam edhe unë një mesazh për ta nga Parlamenti i Malit të Zi. Duke i siguruar ata se ne jemi të përqendruar për të punuar së bashku për të ardhmen e rajonit tonë dhe me të gjithë vendet e rajonit dhe padyshim edhe me Serbinë. Me këtë rast dua të theksoj se çdo ditë marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë përparojnë dhe njohin progres të admirueshëm. Ne jemi të angazhuar që në pak vite t’i çojmë marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë në atë nivel të shkëlqyer që janë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Sepse vetëm në këtë mënyrë mund të garantojmë një të ardhme të sigurt të qytetarëve tanë e të gjithë vendeve tona në rajon”, deklaroi Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë.
Pas takimit, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mbajti një fjalë përshëndetëse në Parlamentin e Malit të Zi ku i pranishëm ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier.
Fjala e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta në Parlamentin e Malit të Zi
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com