Në 85-vjetorin e lindjes, Meta i jep kineastit të shquar Dhimitër Anagnosti dekoratën ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’: Në pleqëri njeriu sheh më shumë brenda vetes, sesa jashtë saj

Me rastin e 85-vjetorit të lindjes, Presidenti Ilir Meta çmoi sot me anë të një ceremonie solemne regjisorin dhe kineastin e shquar, Dhimitër Anagnosti me Dekoratën e lartë  “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin: “Në vlerësim të personalitetit gjenial, i cili dominoi në mënyrë të pamohueshme me veprat e tij të jashtëzakonshme historinë e kinematografisë shqiptare, duke e lartësuar dhe përfaqësuar atë me dinjitet brenda dhe jashtë vendit. Me mirënjohje ndaj mjeshtrit të artit filmik, i cili u dhuroi artdashësve shqiptarë dhe të huaj shpirtin e vet autentik, duke krijuar një sërë kryeveprash filmike, që do të shkëlqejnë në çdo epokë”.

Në fjalën përshëndetëse drejtuar regjisorit, familjarëve dhe kolegëve të tij, si dhe personaliteteve të artit të pranishëm, Presidenti i Republikës u shpreh se vepra dhe puna e tij ka qenë frymëzuese.

“Sot kam nderin e veçantë t’ju kem mysafirë në një ditë të shënuar, në 85-vjetorin e lindjes së ‘Artistit të Popullit’, Dhimitër Anagnosti! Emri dhe vepra juaj i nderuar zoti Anagnosti, si kineast, regjisor, skenarist e shkrimtar, por edhe si krijues mendimtar, dedikuar me gjithë përkushtimin e qënies tuaj popullit dhe Atdheut, është sot për të gjithë ne frymëzim.

Vepra juaj do të jetë edhe për gjeneratat e ardhshme, metaforë emblematike e historisë së artit kinematografik shqiptar, referenca dhe modeli i një brezi krijuesish idealistë e patriotë, që i bëni nder artit dhe kulturës tonë kombëtare. Kultura jonë kombëtare në tërësi dhe arti i kinemasë shqiptare në veçanti, kanë qenë me fat, që kanë në panteonin e tyre të nderit edhe emrin e veprën e Dhimitër Anagnostit. 

Me kontributin, përkushtimin dhe talentin e madh, z.Anagnosti na ka dhuruar vepra, që kanë shënjuar kulme të cilësisë artistike dhe që kanë përjetësuar mjeshtërisht njeriun shqiptar, jetën, shpirtin dhe historinë e tij. Filmat tuaj, edhe pse të krijuar në një kohë e në një kontekst historik të caktuar, jo vetëm që nuk janë peng i kohës, por falë vizionit e talentit tuaj, janë përherë në kohë, duke i paraprirë asaj. Përmes gjuhës së pasur filmike, ata përcjellin mesazhe universale nga një kohë në tjetrën, duke mbetur përherë aktualë.

Ne jemi sot këtu për të nderuar në 85-vjetorin e lindjes Dhimitër Anagnostin, por në fakt, duke nderuar Anagnostin, nderimi shkon edhe për të gjithë ata artistë e mjeshtra të mëdhej, që themeluan dhe ngritën filmin shqiptar.

Shkon për të gjithë ata punëtorë të palodhur të kulturës tonë kombëtare, që tek emri i Dhimitër Anagnostit, kanë njërin prej përfaqësuesve më dinjitozë, aq sa ashtu si italianët mburren me Felinin e tyre të madh, edhe ne shqiptarët të mburremi me Dhimitër Anagnosti.

Në vlerësim dhe me mirënjohje për veprën tuaj të jashtëzakonshme për kinematografinë shqiptare dhe për gjithë kontributin e shquar, për artin dhe kulturën tonë kombëtar, në ditën tuaj të lindjes, kam kënaqësinë t’ju vlerësoj me dekoratën e lartë ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’, të shqiptarit më të gjallë ndër shqiptarët e gjallë, të atij personaliteti që përcaktoi shekuj më parë identitetin dhe rrugën europiane të kombit tonë. Ta gëzosh i dashur Dhimitër! Gëzuar dhe ju paçim jetëgjatë!”, tha Meta.

Anagnosti së bashku me bashkëshorten, artisten e madhe të skenës shqiptare Roza Anagnosti kanë ndarë emocione me të gjithë.

“Eshtë një ditë e vecantë për mua. Kur njerëzit e artit dhe të kulturës jemi këtu dhe të falenderoj të gjithë njerëzit me të cilët kam punuar vite të tëra që bashkë kemi lëvizur nëpër vendin tonë dhe bëmë ato vepra të filmit sepse unë jam kineast. Dhe kineasti bën një vepër që jeton edhe në brezat që vijnë më pas. Në pleqëri njeriut i dobësohet shikimi se sheh më shumë brenda vetes, sesa jashtë saj”, tha Anagnosti ndër të tjera.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:03
Dhimitër Anagnosti merr dekoratën e lartë krah të shoqes, emocionon artistja: Me fat për një bashkëshort të tillë, për mua është 20 vjeç

Dhimitër Anagnosti është vlerësuar sot nga Presidenti i Republikës Ilir Meta me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, teksa së bashku me bashkëshorten, artisten e madhe të skenës shqiptare Roza Anagnosti kanë ndarë emocione me të gjithë.

“Eshtë një ditë e vecantë për mua. Kur njerëzit e artit dhe të kulturës jemi këtu dhe të falenderoj të gjithë njerëzit me të cilët kam punuar vite të tëra që bashkë kemi lëvizur nëpër vendin tonë dhe bëmë ato vepra të filmit sepse unë jam kineast. Dhe kineasti bën një vepër që jeton edhe në brezat që vijnë më pas”, tha Anagnosti ndër të tjera.

Ndërsa bashkëshortja e tij, Roza Anagnosti u ndal më gjatë për të lexuar mesazhin e tij, me shumë emocione dhe shikime dashurie ndaj kineastit 85-vjeçar, për të cilin tha se i duket ende si 20. Regjisori e quajti një ditë të veçantë duke falënderuar njerëzit me të cilët ka punuar në vite dhe presidentin Meta.

“Ky shkruan unë po ia lexoj dhe shpesh ia interpretoj. Diku dikur kam shkruar, në pleqëri njeriut i dobësohet shikimi sepse nis të shoh brenda vetes se sa jashtë saj.  Juridikisht jam i pavdekshëm sepse ADN. ime udhëton në përjetësi përmes brezave në vijim. I them këto rreshta që të bisedoj me fëmijët e mi, më fëmijët e tyre me breza më tej e më tej, për të kuptuar çfarë i jep jetës nxitje, energji e kuptim.
Si të jetohet ajo më mirë në kuptimin material, intelektual, moral dhe emocional. Duhet të bëjmë kujdes në ndërtimin e jetës, ta ngremë kokën hera herës nga problemet e përditshme dhe të shikojmë yllin polar për të mos humbur drejtimin e rrugëtimit.

Në këtë vend, në këtë truall ku brezat kanë derdhur energji fizike, intelektuale, morale, shpirtërore, rrezatohet një energji misterioze e shumëllojshme, që ta bënë jetën më të lehtë, më të plotë, më me kuptim, energjia e memories historike.

Përshëndes në mënyrë të veçantë që na dha një surprizë në këtë gëzim, në 85-vjetorin e Dhimitrit, se për mua ngel 40 vjeç gjithmonë. Zotin President të Republikës e falënderoj pa masë dhe të gjithë iniciatorët. Falënderoj pa masë të gjithë miqtë dhe artistë të shquar që janë sot në këtë sallë, se as Dhimitri nuk do të bënte ato vlera, artistë në të gjitha fushat, që kanë punuar dhe kanë bërë vlera të jashtëzakonshme, qoftë në art, në skenë dhe ekran, në pikturë. Këtu kam edhe një nga bregu gazetari, i cili është i biri i të famëshit, i yllit të polifonisë Lefter Çipës.

Pra ju falënderoj dy herë që në këtë kohë pandemie ju keni dhënë bashkë me Dhimitrin siç e tha kaq bukur Presidenti, sa mi shteroi ato fjalë me thënë të drejtën sepse është një titull shumë kuptimplotë për artistin ‘Gjergj Kastriot Skënderbeu’. Siç tha Presidenti emblemë e kombit tonë dhe të gjithë ju bashkë dhe të gjithë artistët që edhe këtu nuk janë të gjithë, por ju jeni përfaqësuesit më të denjë të tyre, keni mbështetur dhe i keni forcuar dhe jeni në vazhdimësi të integritetit tonë. Pra ju keni dhënë dashuri, emocion, po këtë asnjëherë nuk e bën pa publikun tonë të dashur që në çdo hap e në çdo moment ne na nderon. Unë jam me fat që kam pasur në krah një bashkëshort të tillë që bashkë kemi mbështetur njëri-tjetrin, në vështirësi dhe në të mirë, në gëzime dhe hidhërime. Bashkë me fëmijët tanë të cilët, Junën e kam këtu bashkë me bashkëshortin Tonin edhe dua të përmend edhe vajzën tonë Era, e cila është larg, por me zemër dhe shpirt është këtu. Na kanë lënë mundësi me mbarëvajtjen e tyre që ne të punojmë mirë dhe të vazhdojmë për popullin tonë me emocione, me një popull të mrekullueshëm që kemi.

Ju falënderoj për herë të dytë të gjithëve sepse kjo pandemi na krijoi një jetë tjetër dhe shpresoj që shumë shpejt të kalojë, që arti të marrë atë energji, se ky popull energjik nuk duron dot, nuk i mjafton vetëm buka, po do dhe emocionin, do dhe artin, do dhe kulturën edhe të gjithë këto.
Edhe njëherë Zoti President faleminderit shumë!”, tha aktorja.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e qeverisë gjatë vitit 2024?



×

Lajmi i fundit

Bilanci i 2024-ës, gazetarja Keti Banushi në '5 Pyetjet': Viti i SPAK! Po preken të paprekshmit! Alimehmeti: Korrupsioni nuk parandalohet me 20 prokurorë

Bilanci i 2024-ës, gazetarja Keti Banushi në '5 Pyetjet': Viti i SPAK! Po preken të paprekshmit! Alimehmeti: Korrupsioni nuk parandalohet me 20 prokurorë