Meta i 'Pazarit të ri' që kërkon të vijë në qeveri

Meta i 'Pazarit të ri' që kërkon të vijë në qeveri

Ilir Meta

Ashtu sikurse kishte paralajmëruar Ilir Meta është hedhur direkt në aksion. Pas 24 korrikut, ditë kur la pas 5 vitet e tij si president republike, Meta është në veprim intensiv për të gjallëruar opozitën e vënë në gjumë për më shumë se 8 vjet nga Lulëzim Basha. Partisë që e themeloi vetë i ndryshoi emrin nga LSI në Partia e Lirisë. Ndryshimi i emrit u kombinua edhe me ndryshime në strukturën drejtuese dhe statutore të partisë.

Deri këtu gjithçka bën sens, në kontekstin politik dhe qëllimin për të krijuar një impakt elektoral në kushtet e reja të përballjes me mbipushtetin e Edi Ramës. Çka nuk ka ndryshuar, madje duket edhe më shumë i rënduar e deformuar është leksiku publik dhe politik i Metës. Ish Presidenti, që në takimin e fundit me strukturat Partisë së Lirisë për Tiranën foli më shumë si ish kryeministër, përdori një terminologji përveç se të frustruar edhe shumë agresive dhe jo të përshtatshme për staturën e një shtetari me eksperiencë të madhe e të gjerë institucionale. Terma të formës…unë i bie më fortit…apo unë e thyej në mes…nuk bashkëudhëtojnë me staturën e një politikani të maturuar në funksionet më të larta e të rëndësishme të shtetit

Forma dhe përmbajtja e mesazheve të Metës për të treguar dhe transmetuar vendosmëri dhe besim në strukturat partiake dhe përtej tyre, tejkaluan limitet dhe kaluan në zhargon rruge e komukim dukshëm anormal, duke vënë në pozitë shumë prej pjesëmarrësve në takim, një pjesë e të cilëve nuk e kanë të përshtatshëm, për rrjedhojë edhe të natyrshëm atë lloj komunikimi. Shpesh gjatë ligjëratës së Metës vihej re një lloj kontraktimi e përshtjellimi deri në befasie a surprizimi në fytyrat e shumë pjesëmarrësve në sallën, ku duartrokitjet që ndodhën në pak raste ishin disi të sforcuara dhe për deklarata totalisht populiste e pa themel. Idea se po frikëson Ramën dhe shpurën e tij qeveritare përmes paralajmërimeve publike, u duk se tulati dhe shkaktoi më shumë frikë e konfuzion te bashkëpunëtorët sesa te ata të cilëve iu adresoheshin mesazhet.

Por përtej gjuhës së rënduar të kërcënimeve, Meta ndoshta pa dashjen e tij ose në euforinë e fjalimit, pohoi se ndryshe ngasa predikon për një shtet ligjor, ka parasysh një shtet po aq autoritar dhe autokrat ku hija e njëshit i bën memecë gjithë të tjerët. Rasti i berberit ku qethej dikur kur ishte kryeministër e shfaqi dukshëm këtë element ndërsa rrëfente eksperiencat e bashkëqeverisjes me Edi Ramën. Meta foli edhe si prokuror edhe si gjykatës, edhe si urdhërues edhe si vendimmarrës në shtetin e ri të imagjinuar dhe promovuar prej tij. Mesazhi ishte i qartë, referuar edhe legjendës së lagjeve të Tiranës, se beteja që pritet të ndodhë, nuk është beteja për shtetin ligjor, por për sfidën kush është më i forti mes langove të politikës sonë.

Meta me ose pa dashjen e tij na shpërfaqi nivelin e rëndomtë të atyre që kanë patur, kanë dhe pretendojnë të kenë fatet e shqiptarëve në duart e tyre. Kjo gjuhë, kjo formë dhe kjo mënyrë që i vjen si ofertë shqiptarëve është edhe një autogol politik ndërkohë. Ajo çon ujë në mullirin politik e propagandistik të Ramës, i cili ska nevojë të replikojë fare pasi, monologu Ilir Metës, ishte autoreplika më e mirë që i duhet dhe i shërben atij. Ajo retorikë e Metës nuk është retorika e gjuha e Silva Cakës, Agim Neshos, Edmond Panaritit, Endrit Brahimllarit e shumë të tjerëve që me siguri më shumë se forcë e besim brenda vetes kanë ndjerë zhgënjim. Fytyrat e tyre e tregonin qartë sikletin që ndjenin, por që iu duhej ta kamuflonin dhe të mos e shprehnin.

Nëse qëllimi është pushteti, qëllimi justifikon mjetin. Koha do të provojë nëse Meta ka zgjedhur mjetin e duhur për të arritur pushtetin. Në fytyrat e bashkëpunëtorëve të tij nuk duket se ky mjet i zgjedhur nga lideri i tyre është mënyra e duhur, por në partitë ku komandojnë njishat nuk ka vend për të korrigjuar, por vetëm për të aprovuar. Edhe në këtë rast nuk pati surpriza, të gjithë ishin dakord me udhëheqësin!

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet që opozita të dalë me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme vendore?



×

Lajmi i fundit

Aksident në aksin Elbasan-Tiranë, shkoi në vendngjarje për një aksident, mjeti përplas efektivin e rrugores! Dërgohet drejt Traumës

Aksident në aksin Elbasan-Tiranë, shkoi në vendngjarje për një aksident, mjeti përplas efektivin e rrugores! Dërgohet drejt Traumës