Pas liderit demokrat Lulzim Basha, edhe presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Fehmi Telegrafit, themelues i Partisë Demokratike në Berat. Meta shkruan se Telegrafi ishte një prej ikonave dhe autoriteteve të zhvillimit të sportit dhe peshëngritjes. Kreu i shtetit i shpreh ngushëllimet familjes, kolegëve por edhe qytetarëve të Beratit të cilët siç thotë ai, krenoheshin me personalitetin e tij.
"Të dashur miq!

Me hidhërim të madh mora sot lajmin e ndarjes nga jeta të Profesor Fehmi Telegrafit, njërit prej ikonave dhe autoriteteve të zhvillimit të sportit tonë të peshëngritjes.
Personalisht do të ruaj gjithmonë nderimin më të madh për këtë edukator e frymëzues të shumë kampionëve e rekordmenëve të Shqipërisë si Vasil Hoco me shokë, të cilët arritën rezultate të jashtëzakonshme, që e çuan përpara sportin e peshëngritjes në nivel kombëtar e ndërkombëtar.
Po kështu Profesor Fehmiu kontribuoi për ekipet tona kombëtare dhe sukseset e tyre.
Në këtë ditë të vështirë jam pranë familjes së tij, kolegëve e ish-sportistëve, si edhe qytetarëve të Beratit, të cilët krenoheshin me personalitetin dhe sukseset e tij!", shkruan Meta.
Postimi i plotë i Metës

