VLORË-  Në përgjigje të sugjerimit të ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim që t'u bëhet Vetting kandidatëve për deputet, presidenti Ilir Meta shprehet se vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme mund të pastrojnë vendin nga politikanët e korruptuar. Nga Vlora, në konferencën shkencore për 100-vjetorin e Luftës së Vlorës, kreu i shtetit tha se nuk e ka ende një datë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pasi fillimisht po pret propozime nga krerët e partive. Ndalur te ftesa që i bëri dje kryeministrit Edi Rama, Meta nuk e komentoi më gjatë nëse ai i është përgjigjur apo jo, duke thënë se të gjithë janë të mirëpritur.

" Data e re e zgjedhjeve? Do duhet të dëgjoj përfaqësuesit e forcave politike dhe më pas do flasim me siguri Kam kërkuar takime me të gjithë kryetarët e partive dhe më pas do të kemi vlerësimet përfundimtare. Ka ardhur koha që përmes zgjedhjeve të lira të pastrohen në vendin tonë dhe të kemi institucione demokratike, zgjedhjet e ndershme pastrojnë politikën nga politikanët kriminal dhe të korruptuar që për interesa të ndryshme kërkojnë të mbajnë peng shtetit", tha Meta.

Ai është ndalur të flasë dhe për çështjen e detit, duke thënë se është treguar shumë institucional në reagimin e tij, teksa theksoi se të njëjtën gjë duhet të bëjnë të gjithë aktorët politik.

"Sjellja ime ka qenë dhe do të jetë gjithmonë, shtetërore dhe kushtetuese dhe i ftoj të gjithë të jenë të kujdesshëm në sjelljen e tyre aq më tepër në publik, që qoftë edhe pa dashje të mos përdoren në dëm të Shqipërisë", tha presidenti.

Pyetur nga gazetarët për ngritjen e KQZ-së së re, kreu i shtetit tha se nëse ka vullnet çdo gjë e lehtësisht e zgjidhshme "Nëse ka vullnet të gjitha çështjet janë shumë të thjeshta, nëse ka vullnet për zgjedhje demokratike,nuk shikoj arsye që të mos zgjidhen, këto janë detaje, nëse nuk ka vullnet atëherë flasim një ditë tjetër", përfundoi ai.