Meta kundërshton Kushtetuesen për zgjedhjet vendore? PS: Kjo punë ka marrë fund, morën mësimin e duhur! Fitoi e drejta e shqiptarëve për të votuar

Për Partinë Socialiste kundërshtimi dhe komentet që Presidenti i Republikës po i bën vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019 janë të kota. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se pasi foli Kushtetuesja tashmë mbetet vetëm bindja ndaj vendimit të saj.

"Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vetëm zbatohet. Çdo përpjekje është kot. Kjo çështje ka marrë fund këtu. Ky vendim është shumë i rëndësishëm pasi lidhet me kontestin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Pati një përpjekje për t'i hequr shqiptarëve të drejtën për të votuar. Çdo palë mori mësimet e veta. Demokracia vetë fitoi. E drejta e popullit për të vendosur është ajo që fitoi me 30 qershor", tha Balla.

Sa i përket ndryshimeve kushtetuese për afatet e vetingut, Balla tha se do të pritet vendimi zyrtar i Venecias.

"Kuvendi i Shqipërisë është i detyruar të presë opinion zyrtar të Komisionit të Venecias. Mos harroni se procedura parlamentare parashikon edhe disa afate nga raporti i Këshillit të Legjislacionit dhe Komisioni i Ligjeve deri në seancë plenare. Kjo është një çështje që do të marrë kohën e vet", tha Balla.

I pyetur nga gazetarët nëse PS u trembet sanksioneve të SHBA, Balla u shpreh se PS jo vetëm e përshëndet këtë nismë por sipas tij ka vendosur një standard të pamohueshëm në politikë.

“Unë e kam përshëndetur sot në Kuvendin e Shqipërisë vendimet e thesarit të SHBA për të vendosur sanksione financiare ndaj elementëve që destabilizojnë paqen në Ballkan. Ajo e djeshmja lidhet edhe me financime të partive të ndryshme politike në fushata elektorale dhe trafiqe. Në këtë këndvështrim mendoj se ajo që buron nga strategjia kundër korrupsionit është vijimi i administratës së mëparshme. Partia Socialiste jo vetëm e përshëndet. PS ka vendosur një standard të pamohueshëm në politikë. PS ka hequr mbështetjen dhe do vazhdojë të heqë mbështetjen kudo”, tha Balla.

Kujtojmë se Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 qershorit të vitit 2019, e cila rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Bashkive, të cilat pretendonin jo kushtetuetshmërinë e zgjedhjeve, presidenca e ka cilësuar si zhgënjyes dhe për interesa kundër popullit shqiptar. Nga presidenca, këshilltari i Ilir Metës për çështjet ligjore, Bledar Dervishaj, tha se Gjykata Kushtetuese me vendimmarrjen e saj, e la çështjen pa zgjidhje përfundimtare. Sipas Dervishajt, gjykata nuk pati vullnet ta zgjidhjet këtë çështje përmes  juridiksionit gjyqësor kushtetues, por ia la sërish çështjen, juridiksionit “politik. Dervishaj tha më tej se Gjykata Kushtetuese i mohoi bashkive të merrnin një përgjigje dhe se nuk përmbushi misionin e saj sublim.

Pas opinionit final të Komisionit të Venecias për zgjedhjet lokale të 30 qershorit të vitit 2019, Gjykata Kushtetuese u mblodh më 2 nëntor në seancën e ndërprerë plenare për të diskutuar.  Në seancë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të interesuara si nga Kuvendi,  nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Avokati i Popullit, dhe partia Bindja Demokratike. Gjithashtu është edhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, e cila ka bërë edhe kërkesën në Kushtetuese.  

Kujtojmë se Komisioni i Venecias u shpreh se Gjykata Kushtetuese nuk mund ta ketë në kompetencën e saj gjykimin si antikushtetues apo jo një proces zgjedhor si ai i zgjedhjeve vendore të vitit 2019, por kjo nuk e pengon që të ushtrojnë kontroll mbi legjislacionin zgjedhor. Komisioni i Venecias la në fuqi zgjedhjet e 30 Qershorit dhe nuk këshillonte Gjykatën Kushtetuese që t’i përsërisë zgjedhjet e 30 Qershorit.

Ndërkohë kujtojmë se 6 bashki janë pa kryetar, dhe mazhoranca nga ana e saj është shprehur e gatshme për një përballje të parakohshme elektorale lokale me demokratët. Presidenti Ilir Meta deri më sot ka refuzuar të dekretojë një datë për zgjedhje në ato bashki, të cilat humbën kryetarin rrugës, pasi nuk pranonte ta njihte 30 Qershorin,  por Partia Socialiste  pret që Presidenti të  ndryshojë qëndrim pas vendimit nga Gjykata Kushtetuese.

 

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Trafik i rënduar në Vlorë nga ardhja e emigrantëve për festat

Trafik i rënduar në Vlorë nga ardhja e emigrantëve për festat