Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, i ka dërguar sot një letër krytarit të Parlamentit Gramoz Ruçi, për ndryshimet në kodin penal në lidhje me situatën, pasi pritet të votohen dënimet për shkëlssit e karantinës dhe ata që ndihmojnë në përhapjen e koronavirusit.
Meta kërkon nga parlamenti të zbuten dënimet, pasi ata duhen rishikuar si pasojë e konsultimeve që presidenti ka patur me disa grupe të organiozatave civile.
Letra e Metës
I nderuar Z. Ruçi,
Së pari, më lejoni t`ju falënderoj për angazhimin e treguar në mbledhjen e datës 15 prill 2020 të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Pjesë e diskutimit të kësaj mbledhjeje ishin dhe ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, e që lidhen me përballimin e situatës së krijuar nga Pandemia Covid-19.
Pas përfundimit të kësaj mbledhjeje, përmes shkresës së Kuvendit me nr. prot. 1108, datë 15.04.2020, u njoha zyrtarisht me Raportin e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, si dhe tekstin integral të miratuar nga ky Komision të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.
Pasi u njoha me këtë dokument, dhe u njoha gjithashtu me komentet e dhëna mbi këtë nismë (përmendur dhe në Raport) të Avokatit të Popullit, Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Fondacionit Shoqëria e Hapurt për Shqipërinë (OSFA), deklaratën e përbashkët të një grupi të organizatave të shoqërisë civile, ashtu siç bëra me dije ditën e djeshme në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në cilësinë e Presidentit të Republikës, nisur nga situata e jashtëzakonshme që po kalon vendi, vlerësoj të domosdoshme që përpara se Kuvendi të votojë sot në seancë plenare këtë projektligj, duhet patjetër të mbajë në konsideratë se ndërhyrja në Kodin Penal:
- duhet të respektojë detyrimet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe dispozitat kushtetuese që lidhen me procedurën e miratimit dhe parimet e të drejtat themelore të njeriut;
- duhet të rivlerësohen marzhet e sanksioneve penale, për ta sjellë normën e re në kushte proporcionale me gjendjen aktuale dhe vlerësimin e qeverisë për situatën e pritshme që mund të kalojë vendi.
Dispozitat e reja duhet të jenë të qarta, për të mos cenuar parimin e sigurisë juridike, me qëllim që e gjithë popullata të mos mendojë se mund të bëhet subjekt i procedimit penal në mënyrë të padrejtë, ashtu siç është krijuar tashmë ky shqetësim në mbarë opinionin publik, referuar ky shqetësim edhe nga aktorët që u është marrë mendimi gjatë procesit legjislativ, por dhe duke parë mungesën e qartësisë së propozimeve.
Paragrafët e dispozitave të reja, duhet të përcaktojnë qartë elementët e secilës figurë të veprës penale, veçanërisht subjektin, si dhe format e konsumimit të saj, duke bërë dallim të qartë mes dashjes dhe pakujdesisë, si dhe duke treguar kujdes në proporcionalitetin e dënimit në përputhje me pasojat që mund të vijnë.
Gjithashtu, duhet qartësuar se një subjekt nuk mund të procedohet penalisht, nëse nuk është proceduar më parë në rrugë administrative.
Këto sugjerime paraprake vlerësoj se duhet të konsiderohen nga Kuvendi i Shqipërisë përpara votimit të kësaj nisme të rëndësishme ligjore.
Me qëllim miratimin e një norme sa më objektive, proporcionale dhe të pranueshme nga të gjithë, kur bëhet fjalë për Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, më lejoni që në këto kushte të gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të cilën ndodhemi, t`ju përcjell bashkëlidhur një draft të përmirësuar të projektligjit të miratuar nga Komisioni përgjegjës për çështjet ligjore.
Kjo mënyrë e veçantë komunikimi përgjatë procesit legjislativ, synon vetëm mbrojtjen e interesit publik e të shtetasve, dhe rregullimin e jetës shoqërore në vend, përkundrejt parimeve kushtetuese dhe atyre ndërkombëtare.
Me lejoni t`ju garantoj për bashkëpunimin tonë deri në fund të këtij procesi,
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META
Neni 242/1
Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë zbatimit të masave të jashtëzakonshme apo gjendjes së epidemisë
Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, gjatë gjendjes së epidemisë apo gjatë zbatimit të masave të jashtëzakonshme, nga personi ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative dhe pa një shkak të ligjshëm, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.
Po kjo vepër, kur është kryer në ushtrim të aktivitetit tregtar, duke vendosur në rrezik të shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 (dy) vite.
Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinimin ose vetizolimin apo shkelja e rregullave të karantinës ose izolimit nga personi mbartës, ose jo i sëmundjes infektive, të cilit i është njoftuar individualisht ky detyrim nga autoritetet përkatëse shëndetësore, dënohet me burgim nga dy deri në tre vjet.
Neni 89/b
Përhapja me dashje e sëmundjeve infektive
Përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosveprimeve nga personi që është diagnostifikuar si mbartës i sëmundjes, dënohet me burgim nga 2 deri në 5 vjet.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose jetën e njerëzve dënohen me burgim nga 3 deri në 8 vjet.
Kur nga vepra, është shkaktuar vdekja e një ose më shumë personave, dënohet me burgim nga 5 deri në 10 vjet.