Meta: Më 2013, s'kemi
vendosur për koalicion

Meta: Më 2013, s'kemi<br />vendosur për koalicion
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta në një intervistë për emisionin "BUGAJSKI HOUR" është shprehur se do t'i qëndrojë marrëveshjes me Berishën deri në fund, pra deri në zgjedhjet e vitit 2013. Ndërkohë që lideri i LSI ka nënvizuar se për një koalicion të mundshëm me PD apo me PS në zgjedhjet e vitit 2013 apo pas këtyre zgjedhjeve është herët për të folur dhe për këtë vendosin forumet drejtuese të partisë, ku të fillojë fushata elektorale. Ai nuk ka munguar të shprehet se është shumë e rëndësishme që presidenti të zgjidhet direkt nga populli.

A mendoni, përsa i përket procesit të zgjedhjes së presidentit, duhet të bëjë Shqipëria zgjedhje direkt presidenciale, si shumica e vendeve në Europë?
Unë jam plotësisht i mendimit se çështja e zgjedhjes së Presidentit nga Parlamenti si në të kaluarën apo dhe në rastin e fundit, tregoi se është e domosdoshme që ky të jetë një proces më transparent dhe natyrisht që të jetë i tillë rruga më e mirë do të ishte ajo që Presidenti të zgjidhej drejt për drejt nga qytetarët. Absolutisht që një zgjedhje e drejt për drejtë nga qytetarët mendoj se do ti jepte atij dhe një autoritet më të madh moral po dhe gjithçka do ta bënte më transparente dhe nuk do të ishte një harxhim i panevojshëm i kohës, përkundrazi do të kishte një ushtrim tjetër demokracie dhe transparence.

Sa mbështetje gjen në parlament zgjedhja direkte e presidentit? A e mbështesin këtë çështje shumica e partive, apo e deputetëve?
Ne këtë çështje e kemi ngritur dhe kur u bënë ndryshimet e fundit kushtetuese, atëherë të dy partitë kryesore ishin në unison për të bërë këtë ndryshim me idenë për të evituar krizat e panevojshme që mund të vinin nga imponimi në Kushtetutë i zgjedhjes së Presidentit në të gjitha raundet me 60 përqind plus 1 të votave, ndërkohë që nuk erdhi asnjë krize e tillë as në vitin 2002, kur u zgjodh për herë të parë zoti Moisiu, as në vitin 2007, kur u zgjodh zoti Topi. Megjithatë unë besoj se mund të arrihet një konsensus për këtë çështje në të ardhmen pra, pa shtuar kompetencat e Presidentit, të jepet mundësia qytetarëve që të votojnë, po t'u jepet mundësia dhe kandidatëve të ndryshëm që të shpalosin alternativat e tyre, jo para kryetarëve të partive por para qytetarëve.

Presidenti ka kompetenca të rëndësishme, me fjalë të tjera, emërimi i drejtorit të SHISH, i Prokurores së Përgjithshme, duhen më shumë kompetenca kushtetuese për presidentin e ri?
Unë mendoj se Presidenti ka kompentenca dhe ka mundësi për të luajtur rolin e tij në forcimin e institucioneve të pavarura, dhe në mendimin tim besoj se para ndryshimeve të rëndësishme zgjedhja e Presidentit drejt për drejtë nga qytetarët do të ishte një element tjetër pozitiv në mënyrë që qytetarët të mos krijojnë idenë se Presidenti po zgjidhet pas kuintave dhe po zgjidhet dikush që u intereson dy tre apo katër politikanëve të caktuar. Kemi rastin e Maqedonisë, kemi dhe raste të tjera ku pak a shumë kompetencat janë të njëjta e Presidenti zgjidhet nga qytetarët.

Mesa kuptoj, ka një detantë mes jush dhe Partisë Socialiste, me Edi Ramën. Si mendoni, do arrini aleancë me ata, apo me PD?
Duke iu kthyer dhe një herë insistimit tuaj për çështjen e zgjedhjeve të parakohshme dua tu sqaroj se në sajë të ndryshimeve që iu bënë Kushtetutës së Shqipërisë 4 vjet më parë, është bërë pothuajse e pamundur që të ndryshohet qeveria në Parlament për arsye se mocioni i mosbesimit është bërë pothuajse i pamundur për të qenë i suksesshëm, por nuk dua të hyj në detaje të mëtejshme. Pra, në një farë mënyre vetë drejtuesit e opozitës aktuale e kanë çimentuar qeverisjen në Parlament. Së dyti, për zgjedhjet e vitit 2013 unë e kam theksuar dhe ne si LSI e kemi nënvizuar vazhdimisht se do ti qëndrojmë marrëveshjeve me PD-në deri në fund të këtij mandati. Ndërsa lidhur me atë se çdo të bëjë LSI në zgjedhjet e vitit 2013, se si ajo do të paraqitet, akoma më tepër se çfarë do të bëjë LSI pas vitit 2013, natyrisht që kjo është një përgjigje e cila nuk mund të jepet sot kursesi, sepse nuk mund të jetë një përgjigje personale, dhe e imja si kryetar i kësaj force politike. Do të jetë rezultat i një analize në kohën e duhur, pranverën e vitit të ardhshëm, por në çdo rast LSI do të punojë më ngushtë me ato forcat politike që do punojnë më shumë për integrimin europian të Shqipërisë.

Do thonit se SHBA janë të angazhuara, e teprojnë me ndërhyrjen, apo s'ndërhyjnë sa duhet, apo është pikërisht ajo e duhura?
Unë do doja të perifrazoja në rast se dhe ai do më mirëkuptonte, po s'kam kohë që ta pyes dhe ja kërkoj mirëkuptimin në distancë. Një njeri të njohur këtu në Shqipëri dhe politikan i njohur, avokat Spartak Ngjela, i cili ka bërë mos gaboj rreth 17 vite burg gjatë sistemit komunist, i cili për këtë çështje thotë, pra pas viteve '90 kur i kam thënë pse po ndërhyn, apo pse po vepron ky ambasador apo ai ambasador. Ai thoshte që unë kam bërë 17 vjet burg që të ndërhynte ambasadori i SHBA në politikën e brendshme të Shqipërisë. Shqipëria tashmë është një vend i lirë, është një vendi integruar, një vend që nuk ndërton më bunker për tu mbrojtur nga imperializmi amerikan. Absolutisht që unë tek ky angazhim i SHBA po dhe i BE shoh vetëm elemente pozitivë. Ky bashkëpunim mes Shqipërisë dhe SHBA, Shqipërisë e BE, ka objektiva të përbashkët të cilat janë në radhë të parë në interes të qytetarëve shqiptarë, në interes të objektivave që kanë SHBA për paqen dhe stabilitetin në këtë pjesë të Europës.

Marrë nga Shqiptarja.com

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ E nis dhe e mbyll aksionin, Edon Zhegrova shënon me Lille në Francë

VIDEO/ E nis dhe e mbyll aksionin, Edon Zhegrova shënon me Lille në Francë