TIRANE- Presidenca ka publikuar mbrëmjen e djeshme një video me pamje nga aktivitete të ndryshe ku ai ka marrë pjesë. Me mbishkrimin ‘Besëlidhje, Së bashku në 2 mars’, zëdhënësi i presidentit për mediat, Tedi Blushi publikon videon, ndërsa në fund të këngës ‘Për ty atdhe’ dëgjohet presidenti Ilir Meta teksa thotë se askush nuk duhet të provojë kokëfortësinë e tij për të mbrojtur vendin.

“Ky është atdheu i të gjithë shqiptarëve. Është mirë të mos e provojë askush kokëfortësinë time për të mbrojtur interesat e vendit tim”, thotë Meta në fund të videos.

Presidenti Ilir Meta thirri dje qytetarët në datë 2 mars në protestë në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Ilir Meta u shpreh se në këtë datë, ka thirrur popullin do të firmosë edhe dekretin e parë për çmontimin e grushtit të shtetit, por nuk specifikoi nëse do të shpërndajë parlamentin. Data 2 mars kur Meta i kërkon popullit të bashkohet me të në shesh për të lidhur besën përkon edhe me ditën e Besëlidhjes së Lezhës në vitin 1444, ku duket se është frymëzuar.