Meta me Veselin: Pa Kosovën
s'do kishim shkuar në Europian
"Keqardhje për ndalimin e Haradinajt"

Meta me Veselin: Pa Kosovën<br />s'do kishim shkuar në Europian<br />
Shqipëria nuk do kishte shkuar dot në kampionatin europian të fubollit pa Kosovën.

Është kjo deklarata e kryeparlamentarit Ilir Meta, bërë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e tij nga Kosova Kadri Veseli, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë.

"Ne pa Kosovën nuk do të kishim shkuar kurrë në Evropianin e Francës. Kështu që është edhe një detyrim tjetër. Dhe dua të nënvizojë rëndësinë e madhe për ta forcuar stabilitetin në Kosovë dhe për t’i dhënë fund një lloj stanjacioni atje, sidomos në raport me proceset integruese, që mendoj që do të marrë fund ky lloj stanjacioni shpresojmë me miratimin, ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi", u shpreh Meta.

Meta theksoi mbështetjen e Tiranës zyrtare për ratifikimin sa më shpejt të marrëveshjes së demarkacionit të kufirit mes Kosovës e Malit të Zi, si një mundësi që kosovarët të mund të lëvizin lirshëm brenda BE-së. 

E ndërsa ka kërkuar mbështetje për dialogun mes Prishtinës e Beogradit, kryeparlamentari Meta shprehu keqardhje për ndalimin e liderit të AAK-së në Francë, çka sipas tij tregon mungesë vullneti nga lidershipi serb për të normalizuar marrëdhëniet. 

"Kemi vlerësuar mjaft sjelljen tepër të përgjegjshme dhe të urtë të udhëheqjes së Kosovës, të institucioneve të Kosovës, për të mos rënë pre e tentativave provokuese dhe zjarrndezëse. Sigurisht që, nuk mund të rrinim pa shprehur keqardhjen tonë për ndalimin e papranueshëm të ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj në Francë, që për fat të keq ilustron edhe mungesën e një vullneti nga lidershipi i Serbisë për normalizimin e plotë të këtyre marrëdhënieve dhe për të evituar çdo tensionim të tepërt dhe të panevojshëm", tha Meta. 

Edhe kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shprehur besimin në lirimin e shpejtë nga akuzat të ish-kryeministrit Haradinaj.

"I jemi mirënjohës kolegëve tanë në Shqipëri, që të gjithë i kanë dhënë përkrahje të fuqishme Kosovës. Ndërsa, Kosova në të njëjtën kohë është duke punuar fuqishëm që t’i krijojë perspektivë qytetarëve të saj pa dallim etnike. Në të njëjtën kohë shpresojmë që shumë shpejt ta kemi edhe Kolegun tonë nga partia opozitare, z. Ramush Haradinaj të liruar dhe të vijë e të marrë obligimet e veta në institucionet, të cilat i ka përkatësisht si lider i një nga partive kryesore opozitare në Republikën e Kosovës", deklaroi kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. 

Dy kryeparlamentarët thanë se diskutuan edhe mbi anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë si UNESCO dhe bashkëpunimin e institucioneve që drejtojnë për rrugëtimin europian të dy vendeve.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë