Presidenti i Republikës, Ilir Meta, po merr pjesë sot në Samitin e Krerëve të Shteteve të Procesit të Brdo-Brijunit, Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës, i cili po zhvillohet aktualisht në Shkup të Maqedonisë. Në këtë Samit marrin pjesë si të ftuar të posaçëm Presidenti i Këshillit Evropian, zoti Donald Tusk , si dhe Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov.

Presidenti Meta e konsideroi shumë të rëndësishme pjesëmarrjen e Presidentit Tusk në Samitin e Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, shenjë e vëmendjes dhe mbështetjes gjithnjë e në rritje të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor. Kreu i Shtetit gjithashtu vlerësoi vizitën dhe mesazhet inkurajuese që Presidenti Tusk përcolli gjatë vizitës së tij në Tiranë, të cilat duhet të nxitin të gjitha institucionet shqiptare drejt arritjeve konkrete në zbatim të 5 prioriteteve kyçe.

Presidenti Meta pohoi se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë dhe angazhimin e shprehur qartë për kaluar në fazën e vështirë të negocimit drejt anëtarësimit. Gjithashtu Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka edhe vendimi për liberalizimin e sa më të shpejtë të vizave me Kosovën, një hap i merituar që do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve kosovarë drejt hapësirës Shengen.

Ndërkohë Meta ka postuar edhe në faqen e tij nëTwitter: 

Pata një takim të ngrohtë dhe miqësor me #Presidentin e Këshillit Europian, @eucopresident. Inkurajim për të përshpejtuar thellimin e reformave në 5 prioritetet kyçe. Në pritje të mesazheve pozitive nga #Samiti i Sofies dhe mbledhja e #Keshillit Europian në qershor.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta