TIRANE, 17 Dhjetor/ATSH/- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i dërgon letër ngushëllimi Kryetarit të Parlamentit të Pakistanit, Sardar Ayaz Sadiq dhe Kryetarit të Senatit të Pakistanit, Syed Nayyer Hussain Bokhari.
Meta i shprehu ngushëllimet për humbjen e dhjetëra jetëve të fëmijëve dhe të stafit të shkollës Peshawarit në Pakistan pas sulmit terrorist. Meta thekson në letrën dërguar homologut të tij pakistanez se tragjedia ka prekur dhe gjithë qytetarët shqiptarë dhe opinionin tonë publik.
Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit shprehu solidaritetin e plotë me popullin e Pakistanit në këtë moment të vështirë dhe se Shqipëria i dënon pa hezitim akte të tilla barbare, të papranueshme për botën tonë. "Bota ka qenë dëshmitare e një akti brutal të papranueshëm dhe të pakuptueshëm për ne që ka marrë jetë të pafajshme padrejtësisht. Ju siguroj për mbështetjen e plotë të Shqipërisë në luftën tuaj kundër terrorizmit dhe shpresojmë që së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë të ç'rrënjosim shkaktarët e kësaj dhune të egër", shkruan kreu i Kuvendit në mesazhin drejtuar autoriteve pakistaneze./a.gjonaj//a.ke/








