Meta: Mund t’i miratojmë 7 ligjet
me 84 vota, pakt me PS për Dibrën 

Meta: Mund t’i miratojmë 7 ligjet<br />me 84 vota, pakt me PS për Dibrën 
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka artikuluar dje dy mesazhe dekurajuese në adresë të opozitës shqiptare, e cila prej një viti, i ka përqendruar të gjitha shpresat, strategjitë dhe energjitë politike tek varka e Lëvizjes Socialiste për Integrim, si e vetmja rrugë për të shkurtuar numrin e viteve në opozitë.

Së pari, Ilir Meta, theksoi rëndësinë e konsensusit të opozitës për miratimin e 7 projektligjeve prioritare, por shtoi se mazhoranca mund t’i miratojë draftet në çdo moment me 84, 85 apo më shumë vota. Pra, edhe nëse opozita do të tentojë bllokimin e projektligjeve me shpresën për të krijuar mosmarrëveshje në koalicionin qeverisës, sikundër ndodhi me paketën kushtetuese, Meta paralajmëroi mundësinë e miratimit të akteve vetëm me votat e shumicës në pushtet.

Nuk e besoj që opozita në mënyrë të qëllimshme të bllokojë konsensusin dhe nuk ka asnjë arsye. Ata kanë marrë vetë angazhime edhe përpara partnerëve ndërkombëtarë që do të kontribuojnë në mënyrë konstruktive. Për të ushtruar çështjen e 84-85 apo më shumë votave, kjo nuk është një gjë shumë e rëndësishme, sepse mund të bëhet në çdo moment, por e rëndësishme është të mos cenohet ecuria, jo vetëm e konsensusit, por edhe të gjithë procesit përpara. PD apo opozita mund të ndjekë rrugë të tjera për të kontestuar këto ligje dhe tani kemi Kushtetutën e re. Mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, sikurse e ka bërë këtë gjë të qartë apo mund t’i drejtohet dhe Komisionit të Venecias. Në rast se për çështje të parëndësishme, jothelbësore nuk jep konsensusin e saj atëherë kjo do të jetë një përgjegjësi e PD-së, por unë besoj që është shumë herët të paragjykojmë”, ka deklaruar Meta.

Mesazhi i dytë
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta i konsideroi zgjedhjet në Dibër një çështje lokale, por Meta shtoi se Lëvizja Socialiste për Integrim ka një marrëveshje me Partinë Socialiste, të cilën do ta respektojë. Meta konfirmoi se dega e LSI do të mbështesë kandidatin e PS. “Zgjedhjet në Dibër nuk janë një temë kombëtare mendoj unë, por janë një temë krejtësisht lokale, janë zgjedhje aksidentale që po ndodhin atje. Së dyti, në vlerësimin tim, është e rëndësishme që ato të trajtohen si zgjedhje lokale nga të gjithë palët. Të zhvillohen të qeta, të jenë të lira, të ndershme, larg këtyre tensioneve dhe provokimeve të panevojshme. Dhe për sa i takon çështjes së LSI-së nuk dua t’ia lë të gjitha vështirësitë z. Vasili, mund të jap edhe unë një përgjigje për këtë çështje, shpresoj edhe në mirëkuptimin e tij. Këto janë çështje lokale dhe dega lokale e LSI-së ka pasur dhe ka marrëveshjet e saj me degën lokale të Partisë Socialiste dhe do të ecim duke i qëndruar këtyre marrëveshjeve”, tha Meta.

Miratimi i ligjeve
Kreu i Kuvendit u shpreh dje se projektligji për organet e qeverisjes gjyqësore dhe institucionet që do të luftojnë korrupsionin, mund të miratohen brenda datës 30 gusht.

Të shpresojmë të vazhdojmë në një frymë konstruktive, jo vetëm për këtë ligj për të cilin duhet të planifikojmë një seancë të suksesshme shumë shpejt në mënyrë, që edhe deputetët të njoftohen nga grupet parlamentare për pjesëmarrjen e tyre, por njëkohësisht vazhdon edhe puna dhe kërkohet të intensifikohen përpjekjet edhe për dy ligjet e tjera, për të cilat kemi rënë dakord që të diskutohen dhe miratohen brenda 30 gushtit, ato të qeverisjes gjyqësore dhe të Prokurorisë Speciale anti-korrupsion”, tha Meta.
Ftesa për opozitën

Meta ftoi përfaqësuesit e opozitës të japin mendimet dhe konsensusin për dy projektligjet. “Ftoj përfaqësuesit e opozitës që të përqendrohen edhe tek këto dy ligje për të dhënë mendimet e tyre në mënyrë që përsëri të kemi një mbledhje të komisionit për të dëgjuar mendimet e tyre, por edhe të ekspertëve ndërkombëtar lidhur me këto dy ligje. Shumë shpejt sikurse e thashë shpresojmë të fiksojmë datën për të miratuar ligjin për Vetting-un, por njëkohësisht edhe një datë tjetër për dy ligjet e tjera brenda 30 gushtit dhe më pas do të vazhdojmë edhe me ligjet e tjera në kuadër të 7 ligjeve të para dhe të paketës prej 40 ligjesh”, u shpreh Meta.

Për KED
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka vlerësuar vendimin e Presidentit Nishani, për të mos hedhur shortin për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësia, duke pritur miratimin e ligjit që do të përcaktojë kriteret. “Mendoj se Presidenti i Republikës ka vepruar në mënyrë të përgjegjshme. Në rast se ai nuk ka mundësi të ushtrojë mundësinë e tij, kjo është përgjegjësia jonë si Kuvend që duhet të plotësojmë kuadrin ligjor, që dhe Presidenti të ushtrojë mundësinë e tij. Pra, nuk është mungesa e vullneti të tij për të ushtruar këtë përgjegjësi kushtetuese, por është pamundësia për shkak të vakumit ligjor që unë shpresoj të përmbushet shumë shpejt nga Kuvendi dhe përfaqësuesit e grupeve janë të ndërgjegjshëm për këtë gjë”, tha Meta.

Dy shtyllat e reformës
Meta ka identifikuar dy elementet më të rëndësishëm të Reformës në Drejtësi. “Duhet të jemi të qetë dhe të shohim dallimet, diferencat për ne në çdo rast. Absolutisht që opinionet e Brukselit janë shumë të rëndësishme. Sepse dy mendoj unë janë shtyllat kryesore ku duhet të mbështetet suksesi i kësaj reforme: e para është konsensusi ose një klimë e përgjegjshme politike për të garantuar pavarësinë e institucioneve të reja të drejtësisë, pra që ato të jenë sa më pak të ndikuara nga përplasjet e forta dhe të tepërta politike. Dhe e dyta është Operacioni i Monitorimit Ndërkombëtar dhe ky është një garanci tjetër, duke pasur parasysh këtë klimë politike ende jo shumë të qëndrueshme dhe konstruktive”, deklaroi kryetari i Kuvendit.
 
 
Për Dibrën
“Këto janë çështje lokale dhe dega lokale e LSI-së ka pasur dhe ka marrëveshjet e saj me degën lokale të Partisë Socialiste dhe do të ecim duke i qëndruar këtyre marrëveshjeve”.
 
Miratimi
Për të ushtruar çështjen e 84-85 apo më shumë votave, kjo nuk është një gjë shumë e rëndësishme, sepse mund të bëhet në çdo moment, por e rëndësishme është të mos cenohet ecuria, jo vetëm e konsensusit, por edhe të gjithë procesit përpara”. 

Prononcim për mediat i Kryetarit të Kuvendit,  Ilir Meta 
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Rusia lëshon “shi” dronësh ndaj Kievit, Ukraina njofton se i asgjësoi! 6 orë bombardime, nuk raportohen viktima

Rusia lëshon “shi” dronësh ndaj Kievit, Ukraina njofton se i asgjësoi! 6 orë bombardime, nuk raportohen viktima