Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka dërguar  telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-Kreut të Komunitetit Musliman, Haxhi Selim Muça.
 
Meta ka vlerësuar punën dhe përkushtimin që Muça ka dhënë për ringritjen e besimit mysliman në Shqipëri.

"Me hidhërim të thellë mësova për lajmin e ndarjes nga jeta të Haxhi Selim Muçës.

Haxhi Selim Muça ishte një nga pionierët që punuan fort‎ e me përkushtim për ringritjen e besimit mysliman në Shqipëri. Duke nisur që nga fillimet e viteve ‘90, duke vazhduar me detyrat e ndryshme që ka mbajtur në strukturën e komunitetit mysliman e deri në Kryesinë e tij si kryetar, Haxhi Selim Muça ka qenë një shembull për t’u kujtuar i punës, i fjalës dhe i besimit. 

Kohët e ndryshimeve të mëdha kanë nevojë për njerëz të mëdhenj. Haxhi Selim Muça ishte një njeri që madhështinë e gjente tek besimi dhe përkushtimi në besim.
Ikja e tij ka dëshpëruar të afërmit dhe familjarët e ngushtë, miqtë e bashkëpunëtorët e tij të shumtë, ‎sepse është ikja e një njeriu të mirë. 

Komuniteti Mysliman, besimtarët myslimanë,pordhe miqtë e shumtë të të gjitha besimeve, do ta ndjejnë mungesën e tij.‎ Ngushëllimet e mia më të sinqerta për të gjithë ata. Ngushëllimet më të ndjera për familjarët e tij të afërt"
, ishte mesazhi i Metës.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com