Në këtë takim, lideri i LSI-së shoqërohej nga kandidati i "Aleancës për Shqipërinë Europiane" për Bashkinë e Lezhës, Viktor Tushaj, Kryetari i Komunës së Shëngjinit, Salvador Kaçaj, deputetja e LSI-së në qarkun e Lezhës, Monika Kryemadhi dhe deputeti i PS-së në këtë qark, Arben Ndoka.
Në fjalën e tij, Meta vlerësoi punën e bërë deri më tani nga Kryetari i Komunës së Shëngjinit, Salvador Kaçaj.
"Për mua është kënaqësi e veçantë që jam këtu në Ishull së bashku me mikun dhe vëllain tim Salvadorin. Jemi miq të hershëm, sepse Salvadorin e kemi duartrokitur të gjithë kur luante me Kombëtaren, por edhe e kemi vlerësuar për punën dhe përkushtimin që ka drejtuar në zgjidhjen e shumë problemeve këtu në komunën e Shëngjinit, por edhe i ka dhënë një emër të rëndësishëm kësaj komune dhe vetë Shëngjinit duke u bërë edhe një qendër e rëndësishme e ardhjes së shumë personaliteteve ndërkombëtare. Nuk ka tender, nuk ka licencë e cila do të dëmtojë interesat e këtij komuniteti dhe aq më tepër atyre që merren me peshkim dhe këtë unë jua siguroj. Unë do të vij edhe pas 21 qershorit këtu dhe vazhdimisht, do t'i kërkoj ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit që është përgjegjës, të vijë këtu dhe të takohet vetë me të gjithë ata që merren me peshkimin. Çdo gjë që do të bëhet, do të jetë vetëm në interesin e tyre, në interesin e gjithë komunitetit", tha Meta.
Kreu i LSI-së tha se po punohet në bashkëpunim edhe me qeverinë franceze dhe me Bashkimin Europian për të realizuar në Shëngjin edhe një merkato bashkëkohore të tregtimit të peshkut që do të bëjë të mundur rritjen e jashtëzakonshme të vlerës së shitjes së peshkut dhe të të ardhurave që merren nga peshkimi.
"Ministri do të vijë në ditët e ardhshme dhe do të takohet me gjithë komunitetin që është i interesuar për këtë çështje. Ashtu sikurse shumë shpejt do të vitalizohet akoma më tej Porti i Shëngjinit. Së shpejti do të fillojë ndërtimi i një porti jahtesh që do t'i japë një dimension tjetër zhvillimit të turizmit dhe të shërbimeve në Shëngjin dhe në Lezhë, ku do të punësohen edhe rreth 200 veta në këtë port. Ashtu sikurse shumë shpejt, brenda pak ditësh do të inaugurohet fillimi i linjës së pasagjerëve nga Brindizi në Shëngjin dhe njëkohësisht shumë shpejt do të ketë edhe linja të tjera që do ta bëjnë Shëngjinin gjithnjë edhe më të rëndësishëm për zhvillimin, jo vetëm të këtij komuniteti, por të mbarë vendit. Unë besoj dhe projektet e tjera madhore janë prioritete të afërta, siç është lidhja e Shëngjinit me Velipojën, por edhe projektet më të vogla se kjo që i interesojnë në veçanti komuniteti tuaj si, rruga për tek "Hoteli i Gjuetisë", sistemimi dhe shtrimi i rrugës për në Barbullojë, dhënia fund njëherë e mirë përmes këtyre investimeve e përmbytjes së banorëve të Barbulloit apo qendër shëndetësore në lagjen e "Hotelit të Gjuetisë" e kështu me radhë", tha Meta, duke shtuar se të gjitha këto janë vepra dhe shërbime që do t'i ofrohen këtij komuniteti në të ardhmen.
Meta shprehu besimin tek një perspektivë shumë e mirë për Lezhën e cila ka resurse të jashtëzakonshme, dhe që të integruara tani në bashkinë e re dhe të madhe të Lezhës do t'i japin një dimension të ri zhvillimit dhe rritjes së mirëqenies për të gjithë komunitetin.
"Do të kemi zhvillim të industrisë dhe në krahun tjetër do të kemi zhvillim të bujqësisë e blektorisë. Ne do të punojmë që shumë shpejt të kemi të paktën dy qendra grumbullimi në rrethin e Lezhës të produkteve bujqësore dhe blektorale të cilat njëkohësisht do të shoqërohen me qendra të përpunimit të këtyre produkteve. Do ketë mbështetje dhe subvencione për të gjithë fermerët, sidomos për të gjithë ata që do të investojnë për sera, por edhe për çdo kulturë tjetër që ka leverdi të madhe sepse ne duhet të mbështesim dhe të orientojmë fermerët në zhvillimin e atyre kulturave që janë në traditën e zonës, por edhe që kanë interes edhe më të madh në treg në mënyrë që puna e tyre të shpërblehet me rezultate sa më të mira dhe me të ardhura sa më të larta", tha Meta.
Në vijim të fjalës së tij, Ilir Meta vlerësoi kandidatin e ASHE për Bashkinë e Lezhës duke theksuar se ai është një personalitet me eksperiencën e duhur dhe i cili mbi çdo gjë tjetër ka aftësinë për të dëgjuar, ka aftësinë për të bashkëpunuar.
"Unë mendoj që ky do të jetë çelësi i suksesit edhe për të ardhmen. Shumë projekte kanë nisur në Lezhë, shumë projekte janë bërë dhe janë në proces dhe këtu në Shëngjin dhe në të gjithë këtë komunitetin. Unë jam i sigurt që shumë të tjera, jo vetëm që do të përfundojnë pasi janë në proces, por shumë të tjera do të nisin, sepse faza më e vështirë e reformave mendoj që ka kaluar dhe tani do të prekim gjithnjë e më shumë rezultatet e kësaj ringritje ekonomike të vendit. Lezha ka resurse të jashtëzakonshme, sidomos në drejtim të zhvillimit të turizmit. Natyrisht që zhvillimi i turizmit i gërshetuar edhe me zhvillimin e bujqësi, të blektorisë, të industrive përpunuese, padyshim që do të bëjë të mundur që ne të ofrojmë shërbime më cilësore, por njëkohësisht të garantojmë punësim për të gjithë ata që dëshirojnë të punojnë. Të ofrojmë shërbim profesional për të rinjtë dhe për të rejat, për gratë në mënyrë që të ndihmojmë për të gjetur më shpejt vetveten në tregun e punës", tha Meta.
Kryetari i LSI-së tha se Bashkinë e re të Lezhës dhe këtë zonë e pret një e ardhme shumë më e mirë, pasi me mbështetjen e qeverisë dhe punën e pushtetit të ri vendor, shumë shpejt do të ketë rezultate të prekshme.
"Unë jam i sigurt që ne të gjithë sëbashku pa dallime partiake, do të japim të gjithë bashkisë së re të Lezhës një vend të veçantë, do t'i japim të gjithë komunitetit një mundësi për të gjetur vetveten sepse lezhjanët janë mjaft të aftë dhe janë mjaft të talentuar. Emigracioni gjithashtu ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, jo vetëm me të ardhurat që kanë sjell këtu, por edhe me njohuritë e me shërbimet. Është një fakt i njohur që restorantet nga më të mirat në Shqipëri ndodhen këtu në Lezhë dhe ky është një resurs i rëndësishëm dhe një atraksion i rëndësishëm për të gjithë ata që vizitojnë Lezhën dhe njëkohësisht njerëz me aftësi për të ndërtuar sipërmarrje të suksesshme. Ajo që duhet, është një mbështetje më e madhe, një nxitje më e madhe dhe ne të gjithë sëbashku do ta realizojmë këtë gjë. Unë besoj shumë në një të ardhme të shkëlqyer të këtij komuniteti sepse janë edhe vetë resurset këtu të cilat vetëm kërkojnë pak mbështetje dhe pak orientim nga na e qeverisë dhe nga ana e pushtetit vendor të Bashkisë së re. Me këtë bashkëpunim unë jam i bindur që ne shumë shpejtë do të kemi rezultatet të prekshme në interes të gjithë komunitetit tuaj", theksoi Meta.
Kandidati i "Aleancës për Shqipërinë Europiane" për Bashkinë e Lezhës, Viktor Tushaj, shprehu bindjen se buxheti i ardhshëm i bashkisë së madhe do të ketë një fuqi dhe një potencial shumë më të madh për t'ju shërbyer qytetarëve.
"Besoj se buxheti i ardhshëm i bashkisë së madhe do të ketë një fuqi dhe një potencial shumë më të madh për t'ju shërbyer qytetarëve, por edhe për të ndërtuar infrastrukturën për të cilën kanë nevojë qytetarët, për të ndërtuar ujësjellës me koncepte të tjera bashkëkohore, për të përmirësuar dhe rregulluar shërbimin me ujë të pijshëm, për të ndërtuar infrastrukturën që turizmi tashmë në Bashkinë e madhe të Lezhës të performojë, jo vetëm për të rritur mirëqenies e banorëve të Ishullit, të Shëngjinit, të Tales, por për të ndikuar në rritjen e zhvillimin ekonomik të të gjithë veriut të Shqipërisë sepse është një resurs i jashtëzakonshëm dhe i pa shfrytëzuar. 29 kilometra bregdet të lënë në mëshirën e fatit në shumë segmente të tij. Besoj se duke treguar modelin në disa segmente do të na bëjë që ne t'i kushtojmë atë vëmendje, të hartojmë ato projekte që do të bëjnë që ky resurs të ndikojë në rritjen ekonomike", tha Tushaj, duke shtuar se një vëmendje do t'i kushtohet edhe bujqësisë. "Unë ju garantoj se qeveria shqiptare do të vazhdojë të mbështesë projektet tona së pari sepse janë projekte me standarde të larta, por edhe sepse Bashkia e madhe e Lezhës, këto resurse të jashtëzakonshëm që ka në fushën e turizmit, në fushën e bujqësisë, në fushën e zhvillimit ekonomik, në sektorin e peshkimit etj, janë resurse të cilat do ta kthejnë në një eficenë shumë më të shpejtë zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies sonë", theksoi Tushaj.
Gjatë këtij takimi, Kryetari i Komunës së Shëngjinit, Salvador Kaçaj, tha se zgjedhjet vendore janë zgjedhje administrative dhe se Viktor Tushaj e meriton plotësisht fitoren për të drejtuar Bashkinë e madhe të Lezhës.
Kryetari i Komunës së Shëngjinit, Kaçaj, i akordoi medaljen e mirënjohjes trajnerit të njohur të peshëngritjes lezhjane, profesor Pandeli Lleshit, për kontributin e tij dhënë për vite për edukimin dhe stërvitjen e brezit të ri, medalje që iu dha nga Kryetari Ilir Meta. /atsh/