Kryetari i LSI-se, gjate takimit me strukturat në qytetin e Lezhës
TIRANË, 17 Mars/ATSH/.- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Ilir Meta, gjatë një takimi të martën me struktura dhe mbështetës të saj në qytetin e Lezhës, deklaroi se zgjedhjet e 21 qershorit do të shoqërohen me një koncept të ri në shërbimin ndaj qytetarëve për shkak të ndryshimeve që do të sjellë reforma e re territoriale.
Duke vlerësuar transformimet që ka pësuar Lezha së fundi falë vëmendjes së qeverisjes socialiste, Meta u ndal tek një sërë projektesh që do të zbatohen në Lezhë, mes tyre ai i kualifikimit të qendrës së qytetit me një vlerë prej 3 milion dollarësh; projekti i shëtitores së Drinit, si dhe infrastruktura e periferisë së qytetit, një investim prej 2 milion dollarësh.Meta vlerësoi dhe projektin e trajtimit të diferencimit të mbetjeve në Lezhë, të cilin e konsideroi 'një model në shkallë kombëtare', ndërsa preku dhe projektin e saponisur për ujin e pijshëm, një financim prej 13 milion dollarësh, që do t'i japë një zgjidhje afatgjatë këtij problemi.
Meta tha se zgjedhjet e 21 qershorit e kanë të domosdoshme ta konsolidojnë këtë frymë ndryshimi, të cilën nuk mund ta realizojmë vetëm LSI, por do ta realizojnë në radhë të parë vetë lezhjanët.
Duke folur për reformën administrative-territoriale, kryetari i LSI-së preku dhe shqetësimin që ekziston në publik se do të dëmtohen shërbimet në njësitë e tjera të administrimit, në komuna. Por, ai shprehu bindjen se kjo reformë do të ndikojë pozitivisht, pasi këto njësi do të jenë pjesë e një bashkie me një vizion të plotë, të qartë dhe integral për zhvillimin e të gjithë Lezhës dhe absolutisht shërbimet nuk do të preken, vetëm do të përmirësohen.
Kryetari i LSI-së u ndal edhe në realizimin e parkut industrial, që do të krijonte mundësinë për nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja dhe rritjen e punësimit, ndërsa theksoi se zhvillimi i bujqësisë, blegtorisë dhe ushqimit në Bashkinë e re të Lezhës është një potencial i jashtëzakonshëm dhe i pashfrytëzuar deri tani./a.s/ /a.ke/