TIRANE, 17 dhjetor/ATSH/. - Kryetari i Kuvendi, Ilir Meta, mori pjesë në panairin blegtoral "Gjeli i Detit, Zadrima 2014" të zhvilluar në Fishtë të Lezhës.
Në këtë aktivitet, Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga ministri i Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, Drejtoresha e Agjencisë së Pagesave (AZHBR), Suela Popa, deputetët  Gjovalin Kadeli dhe  Agron Çela, Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha si dhe përfaqësues të institucioneve vendore.
Kryetari i Kuvendit bashkëbisedoi me disa prej fermerëve dhe blegtorëve të kësaj zone, ndërsa i garantoi për mbështetjen e vazhdueshme nga ana e institucioneve shtetërore për zhvillimin e mëtejshëm të këtij aktiviteti.
Nga ana e tij, ministri i Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, i njohu fermerët me mundësitë e reja që afron paketa e re fiskale për fermerët dhe për blegtorët.
Në panair merrnin pjesë me dhjetëra rritës të gjelit të detit, ku u zhvillua edhe një konkurs i gjelave të detit. Panairi synon jo vetëm promovimin e këtij produkti të konsumit, por dhe afrimin së bashku të rritësit dhe konsumatorit.
Zona e Zadrimës në qarkun Lezhës është e njohur në të gjithë vendin për rritjen e gjelit të detit, ndërkohë që ka filluar edhe eksportimi i tyre edhe jashtë vendit, duke promovuar në këtë mënyrë edhe traditën shqiptare. /a.ke/