Presidenti Ilir Meta mesditën e sotëm ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov.

Gjatë prononcimit për mediat, presidenti ka shprehur keqardhjen për sulmin dhe për viktimat që kanë humbur jetën duke mbrojtur dinjitetin e tyre, ndërsa shtoi se Shqipëria është krah Ukrainës në këto momente të vështira. Ai tha se zgjidhja e kësaj situate është vetëm dialogu.

“Për të mbrojtur dinjitetin e tyre kombëtar dhe njerëzor, por dhe vlerat më të mira evropiane. Ndaj jemi në krah të Ukainës dhe presidentit Zelensky, jemi për të shprehur edhe një herë ngushëllimet për viktimat e pafajshme dhe të gjithë të lënduarit nga ky agresion i pabesë dhe i pajustifikuar. Natyrisht kemi bërë dhe do të bëjmë përpjekje me të gjitha vendet e tjera demokratike për të nxitur armëpushimin dhe rikthimin e dialogut si dhe rrugëve diplomatike të ndalimit të kësaj lufte. Ne besojmë se vetëm rruga e dialogut nga pozitat të barabarta është zgjidhja për këtë situatë dhe në këtë drejtim edhe përpjekjet tona si vend i NATOS dhe si vend që dëshiron të anëtarësohet në BE janë të qarta në një linjë të plot me NATO dhe BE.

Dua të falënderoi institucionet tona, kryekuqin e kuq, organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët që kanë shprehur solidaritetin. Shpresojmë që kjo situatë të tejkalohet sa më parë, por sigurisht ne do të jemi në krah të Ukrainës dhe brenda mundësive tonë do të marrim përgjegjësitë tona dhe do të ndajmë peshën e solidaritetit me vendet e tjera të BE dhe ato demokratike të të gjithë botës.”, tha Meta.

Ambasadori Shkuron tha se gjatë takimit me Metën, pati mundësinë të përcillte falënderimin e presidentit Zelensky dhe popullit ukrainas.

“Si ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, dhe para se të niste konflikti, kam ndjerë mbështetjen e zotit Ilir Meta. Pas nisjes së luftës, zoti president ka qenë ndër të parët që ka mbështetur Ukrainën. Sot gjatë takimit kam pasur mundësinë që të shpreh falënderimet e zotit president Zelensky. Kam shprehur dhe fjalitë falënderuese dhe nga populli ukrainas.”, u shpreh ambasadori.