Meta nga Berlini: Shqipëria duhet ta kapë këtë moment të rëndësishëm

Meta nga Berlini: Shqipëria duhet ta kapë këtë moment të rëndësishëm

Ilir Meta

Deutsche Welle: Z. President, ju ndodheni aktualisht në Berlin. Cili ishte qëllimi i vizitës suaj në Gjermani?

Ilir Meta: Kjo vizitë ishte në funksion të pjesëmarrjes në takimin ndërkombëtar të Berlinit, organizuar nga parlamenti gjerman, Bundestag. Unë pata kënaqësinë edhe të mbaj një fjalë përshëndetëse dhe të jepja disa mesazhe. Përveç kësaj vizita ishte e lidhur me disa takime që pata mundësinë të zhvilloj me disa përfaqësues të grupeve të ndryshme parlamentare kryesore këtu në Bundestag, që përgjigjen për politikën e jashtme të fraksioneve të tyre, duke patur parasysh se Shqipëria ndodhet në një moment mjaft të rëndësishëm, ku ne aspirojmë dhe kemi vullnetin për të çelur negociatat sa më shpejt, brenda këtij muaji mundësisht.

Deutsche Welle: Pikërisht në këtë moment kaq të rëndësishëm për Shqipërinë, vendi ndodhet në një ngërç në politikën e brendshme. A kanë shprehur një qëndrim bashkëbiseduesit gjermanë të partive politike me të cilët jeni takuar sot në Berlin?

Ilir Meta: Do të theksoj rëndësinë që gjithë përfaqësuesit e fraksioneve parlamentare që kam takuar, si të CDU/CSU apo edhe të SPD dhe grupeve të tjera, janë pozitivë për sa i takon mbështetjes për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Sigurisht që situata politike në Shqipëri është një situatë jofavorizuese, por është e rëndësishme gjithashtu që ata në mënyrë mjaf të sinqertë kanë treguar vullnetin edhe për të ndihmuar në kapërcimin e këtij ngërçi dhe në dhënien e një kontributi për të vendosur një dialog politik sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që Shqipëria ta kapi këtë moment të rëndësishëm historik për të. Por jo vetëm për Shqipërinë, besoj edhe për të ardhmen e Bashkimit Europian dhe gjithë rajonit tonë në BE.

Deutsche Welle: Në harkun kohor të një jave ose dhjetë ditësh, ka pasur një akord intensiv vizitash të politikanëve drejtues nga Shqipëria, pozita apo opozita. A ka Gjermania një koncept për ta mbështetur politikën shqiptare, për të gjetur rrugëdalje nga kriza aktuale?

Ilir Meta: Unë besoj se ekziston një vullnet i sinqertë. Tani është e rëndësishme për palën tonë, pra për Shqipërinë dhe forcat kryesore politike të maxhorancës dhe të opozitës, që të reflektojnë urgjentisht për të mos e humbur këtë moment historik për gjithë vendin tonë dhe qytetarët tanë, të cilët pa dallime bindjesh partiake mezi presin një lajm pozitiv.

Deutsche Welle: Dy ditë para se të vinit ju në Berlin, gazeta bulevardeske më e madhe në Gjermani, „Bild“, botoi protokollet e përgjimit nga prokuroria, që kanë shkaktuar edhe një breshëri reagimesh në median shqiptare dhe politikën shqiptare, gjithashtu. Fjalëkyçi i të gjithë këtyre artikujve është korrupsioni, për të cilin edhe opozita akuzon dhe lufton në protestat e saj. A ishte edhe kjo një temë në bisedat që keni pasur në Berlin?

Ilir Meta: Kjo nuk ka qenë aspak një temë në bisedat e mia, për sa i takon çfarë është pasqyruar në media të caktuara në Gjermani. Por natyrisht ka qenë temë angazhimi i vendosur për të përmbushur të gjitha pritmëritë në fushën e sundimit të ligjit, dhe së dyti rëndësia e jashtëzakonshme që kanë standardet demokratike të zgjedhjeve në Shqipëri, dhe kuptohet edhe ndëshkimi i gjithë personave përgjegjës apo të dyshuar për cënimin e integritetit të zgjedhjeve në të kaluarën. Këto kanë qenë mesazhe edhe të mëparshme të dhëna në mënyrë të vazhdueshme nga përfaqësues të grupeve të caktuara në Bundestag.

Deutsche Welle: Kur ju të ktheheni nesër në Tiranë, pra të shtunën, opozita do të mbajë protestën e tetë kombëtare në Shqipëri, kundër qeverisë dhe me kërkesën absolute prej së cilës nuk tërhiqet, për dorëheqjen e kryeministrit, duke kërkuar prej muajsh zgjedhje të parakohshme, por njëkohësisht edhe duke paralizuar jetën parlamentare në vend. A nuk ka pritur shumë gjatë presidenti pa reaguar me një ftesë konkrete për dialog mes palëve? Në mënyrë që zgjidhja të gjendet brenda vendit dhe jo me mbështetje nga Berlini, apo diku gjetkë në botë?

Ilir Meta: Ndoshta për koincidencë, në ditën që opozita bëri zyrtare vendimin e saj për të djegur mandatet, unë pata rastin që edhe atë ditë të isha në Berlin për të takuar presidentin gjerman Steinmeier, dhe dhashë një intervistë për Deutsche Wellen, dhe për fat të keq ftesa ime, apo thirrja ime nga të dy palët nuk u dëgjua, në mënyrë që opozita të bënte një hap pas, të mos shkonte drejt zyrtarizimit të këtij vendimi, por edhe maxhoranca të bënte dy hapa pas në mënyrë që të evitohej një përshkallëzim i mëtejshëm i ndarjeve dhe i një krize më të gjerë institucionale dhe përfaqësimi në vend. Por sidoqoftë, asnjëherë nuk është vonë. Unë në mënyrë të vazhdueshme kam nxitur vendosjen e dialogut, por për fat të keq të dy palët kanë vendosur disa kushte që e kanë bërë të pamundur një tryezë apo një takim zyrtar, pasi kryeministri Rama dhe kryetar i Partisë Socialiste, ashtu sikurse kam ndjekur edhe mbrëmë, do doja shumë të isha korrekt, ka qene qartesisht refuzues per rishikimin e dates me mirekuptim midis dy paleve per te garantuar zgjedhje gjitheperfshirese demokratike. Ashtu sikurse edhe zoti Basha dhe përfaqësuesit e tjerë të opozitës kanë vendosur si parakusht që zoti Rama të mos jetë në një tryezë të tillë në cilësinë e kryeministrit. Megjithatë, përpjekjet e mia do të jenë të palodhura, por edhe çdo kontribut i partnerëve tanë për rivendosjen e këtij dialogu dhe të këtij besimi, është jo vetëm i mirëpritur por është edhe i domosdoshëm.

Deutsche Welle: A mund të mbahen zgjedhjet lokale në këtë situatë, ndërkohë që datën e votimeve ju e keni përcaktuar konform kushtetutës. A ka mundësi shtyrjeje të datës së zgjedhjeve, brenda kuadrit kushtetues?

Ilir Meta: Nuk do të dëshiroja të shprehesha sot për këtë çështje. Ne i dime edhe përvojat e mëparshme që vendi ynë ka pasur kur ka ekzistuar vullneti dhe përgjegjshmëria për stabilitetin e vendit, për të ardhmen e tij demokratike dhe plotësisht europiane, gjithnjë janë gjetur zgjidhje të mençura. Dhe në këtë drejtim unë nuk do të ndaloj së angazhuari institucionin e presidentit dhe natyrisht personalisht deri në fund për të shmangur çdo alternativë që nuk i shërben jo vetëm stabilitetit të vendit por edhe e largon në horizonte të padukshme mundësinë e çeljes së negociatave apo anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Unë besoj se të dy palët kanë për detyrë t’i përgjigjen vullnetit të gjithë qytetarëve shqiptarë, i cili është në shifra të jashtëzakonshme mbi 90 e ca përqind, për t’ i dhënë këtë mundësi historike Shqipërisë që të çeli së afërmi negociatat me Bashkimin Europian dhe unë besoj, se nëse kjo gatishmëri nga të dy palët do të reflektohet në orët dhe ditët që vijnë, edhe mbështetja nga Bundestagu do të jetë e plotë dhe kjo do të jetë shumë e rëndësishme për kurorëzimin me sukses të këtij qëllimi madhor për vendin tonë.
Së dyti, dua të theksoj se është shumë e rëndësishme për opozitën, meqenëse nesër është paralajmëruar një protestë tjetër e madhe kombëtare, sikurse e përmendët edhe ju, se sa e rëndësishme është vetëpërmbajtja dhe demostrimi tërësisht paqësor, në mënyrë që kauza e tyre për të pasur zgjedhje me standarte të vërteta europiane, të ketë mbështjetje maksimale brenda dhe jashtë vendit. Prandaj, edhe një herë do të apeloja për udhëheqësit e opozitës që të marrin të gjitha përgjegjësitë për të garantuar një manifestim të standardeve europiane, të mos provokohen nga askush brenda tyre por edhe përballë tyre, në këto orë në këto ditë të rëndësishme për vendin tonë.

Deutsche Welle: Zoti president, kemi një situatë të tillë në Shqipëri: Përpos krizës në politikën e brendshme, kemi edhe vakumin juridik. Sistemi juridik është pothuajse jofunksional, pa Gjykatë Kushtetuese, pa Këshill të lartë të Drejtësisë dhe problemi me Gjykatën e Lartë. A mundet presidenti të japë një këshillë në këtë drejtim, a mund të dilet nga ky vakuum? Sepse si mund të pretendohet hyrja në Bashkimin Europian, kur një sistem juridik është jashtë funksionit aktualisht në shtetin e Shqipërisë.

Ilir Meta: Dua t’ ju siguroj juve dhe të gjithë ndjekësit e Deutsche Welle-s, se presidenti i ka bërë të gjitha përpjekjet e tij që kurrë Shqipëria të mos ishte në një situatë të tillë, që reforma në drejtësi të ecte me ritme edhe më të shpejta, dhe njëkohësisht ne të mos kishim një vakuum të tillë. Megjithatë nuk do të doja të komentoja sot. Çështja më e rëndësishme është që Shqipëria e ka nisur këtë reformë madhore. Natyrisht që kërkohet një konsolidim i zbatimit të saj dhe një besueshmëri në rritje që kjo reformë po jep rezultatet e saj në drejtim të sundimit të ligjit, të luftës kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit, dhe të gjithë duhet të riangazhohen për suskesin e saj të plotë, sepse suksesi i saj lidhet me të gjitha prioritetet kyçe jo vetëm të çeljes së negociatave, por edhe të vazhdimit të rrugës sonë për anëtarësimin në BE.

Deutsche Welle: Ndërkohë që është dhënë një rekomandim pozitiv nga Komisioni për çeljen e negociatave, brenda Unionit konservator në Gjermani, një nga vendet promotorë të BE, ndërkohë qershori konsiderohet shumë shpejt për të dhënë dritën e gjelbërt për negocitata me Shqipërinë. Keni marrë ndërkohë ndonjë mesazh shpresëdhënës nga Berlini në këtë drejtim?

Ilir Meta: Unë personalisht dallohem për realizëm në politikë dhe duke qenë se kam një eskperiencë relativisht të gjatë në veçanti në gjithë çështjen e integrimit europian për shkak edhe të gjithë pozitave, besoj se çdo orë tani, e fituar çdo ditë e fituar, në ndihmë të demostrimit të një maturie të klasës politike, të maxhorancës, qeverisë dhe opozitës nga ana tjerër, absolutisht që e bën shumë të afërt çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe natyrisht edhe për fqinjët tonë, tashmë Maqedoninë e Veriut, dhe për këtë vendoset këto orë, vendoset këto ditë. DW

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë