Kompania “Meta” ka nisur heqjen e fëmijëve australianë nën 16 vjeç nga platformat Instagram, Facebook dhe Threads, vetëm një javë para se të hyjë në fuqi ndalimi zyrtar për adoleshentët në rrjetet sociale.

Gjigandi i teknologjisë tha muajin e kaluar se kishte filluar të njoftonte përdoruesit e moshës 13 deri në 15 vjeç se llogaritë e tyre do të fillonin të mbylleshin nga 4 dhjetori.

Pritet që rreth 150,000 përdorues të Facebook-ut dhe 350,000 llogari në Instagram të preken nga masa. Threads, platformë e ngjashme me X (ish-Twitter), mund të aksesohet vetëm përmes një llogarie në Instagram, shkruan BBC.

Ndalimi i rrjeteve sociale për të miturit, i pari i këtij lloji në botë, hyn në fuqi më 10 dhjetor nw Australi. Sipas ligjit të ri, kompanitë do të përballen me gjoba deri në 49.5 milionë dollarë australianë nëse nuk marrin “masa të arsyeshme” për të ndaluar fëmijët nën 16 vjeç të hapin ose të mbajnë llogari në platformat e tyre.