Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, duket se nuk i ndal sulmet ndaj kreut të SPAK altin Dumani edhe nga burgu, ku ndodhet nën akuzat për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ditën e sotme, ai e cilëson Dumanin si mercenar të qeverisë.
'Dumani ka treguar bindshëm se është një mercenar i Edi Ramës dhe padyshim edhe i atyre lloj ndërkombëtarëve që e duan Ramën sepse shet sovranitet për të vjedhur pushtet dhe jo të gjitha për vete, por edhe për “amerikanët e tij” si Charles McGonigal një rast i provuar nga gjykatat aktuale në SHBA bashkë me Rossinët dhe shumë të tjerë', tha ai.
Nga qelia, Meta ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, ndërsa thotë se kauzat e forcës së tij politike nuk burgosen dot.
Meta ka bërë me dije 5 prioritetet e Partisë së Lirisë, ndërsa thekson se edhe qelia e tij mban numrin 5.
“Nuk burgosen dot kauzat e Ilir Metës dhe të Partisë së Lirisë dhe në radhë të parë sovraniteti. Po kështu 5 Prioritetet e saj madhore të miratuara në Konventën historike të 27 Prillit janë rruga e qartë dhe konkrete që i jep fund dramës së shpopullimit dhe që e kthen Shqipërinë në fuqi eksportuese. Çuditërisht sot vura re se numri i qelisë time ishte 5. Kjo do më ndihmojë edhe mua që çdo ditë të sqaroj më shumë 5 prioritetet tona që janë në interes të çdo familje shqiptare. Ndërsa për Reformën në Drejtësi se si Parti e Lirisë i qëndrojmë Reformës të votuar në Parlament me 140 vota dhe jo Ramaformës me 69 vota.', tha ai.