Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nuk pranon kurrsesi humbjen e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në bashkinë e Kuçovës ku përfaqësoheshin nga kandidati Lefter Maliqi.

Gjatë një takimi me kryetaren e PL-së në Kuçovë, Erisilda Hoxhën, Meta tha se rezultati i zgjedhjeve për bashkinë e Kuçovës do të kontestohet deri në fund dhe nuk do të pranohet kurrsesi, duke shtuar se qytetarët kanë zgjedhur Maliqin si kryebashkiak dhe jo Kreshnik Hajdari i Partisë Socialiste.

“Mirënjohje pakufi për Erisilda Hoxhën, Kryetaren e Partisë së Lirisë në Kuçovë dhe gjithë ekipin e mrekullueshëm mbarëopozitar, që fituan zemrat e shumicës të qytetarëve të Kuçovës, të cilët zgjodhën Lefter Maliqin Kryebashkiak. As dhuna policore, as krimet zgjedhore gjatë fushatës dhe ditën e votimeve nuk i zmbrapsën në betejën për Ndryshim. Masakrën elektorale në Kuçovë do ta kontestojmë deri në fund dhe kurrë nuk do ta pranojmë. Gjurmët e krimeve zgjedhore janë të mirëdokumentuara dhe nuk do të anashkalohen kurrë”- shkruan Meta në një reagim të bërë.

Ditën e djeshme, Lefter Maliqi i koalicionit Berisha-Meta për bashkinë e Kuçovës, dorëzoi në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve një kërkesë ankimore ku kërkohej rinumërimi i votave për kryebashkiak në bashkinë ku kandidonte ku një prej pretendimeve të tij ishte se në kutitë e fundit kishte patur mijëra vota të pavlefshme të cilat ishin numëruar si të vlefshme për rivalin e tij.

Ndërsa ditën e djeshme gjatë mbledhjes së kryesisë të PL-së, Meta bëri të qartë se do të përgatiteshin të gjithë hapat ligjorë për të kontestuar rezultatin në bashkitë ku koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ ka pësuar humbje. Ai tha se gjatë procesit zgjedhur, ndaj qytetarëve është ushtruar presion dhe se qeveria ka përdorur të gjitha mjetet për të ndikuar në mënyrë të paligjshme zgjedhjet vendore të 14 majit.