TIRANË- Presidenti Ilir Meta, në vijimësi të akuzave të tij, ka publikuar një e-mail, sipas së cilit tregon se ambasada shqiptare në Greqi i ka paralajmëruar autoritetet shqiptare për masa e marra nga shteti fqinj.

E-maili mban datën 5 gusht, dhe sipas Metës pavarësisht këtij informacioni, autoritet shqiptare nuk janë mobilizuar me qëllim që të parandalonin kaosin në Kakavijë. Ai nuk i kursen edhe ironitë për kryeministrit Edi Rama.

"Falënderoj autoritetet greke për korrektësinë e tyre!  Falënderoj Ambasadën e Shqipërisë në Greqi, që ka kryer me korrektësi shembullore paralajmërimin e menjëhershëm të Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, ende në detyrë, Rama. Edhe njëherë ndjesë të gjithë bashkëqytetarëve tanë, të cilët hoqën vuajtje çnjerëzore sepse Ministri ynë i Jashtëm, i cili është edhe Kryeministër, po pushon për shtatë palë qejfe", tha Meta.

Letra e publikuar nga presidenti Ilir Meta

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:49
Policia përgënjeshtron Metën: Qytetarët janë lajmëruar për kufizimet e qeverisë greke në Doganën e Kakavijës

Policia e Shtetit ka përgënjeshtruar presidentin Ilir Meta, i cili deklaroi se qeveria e ka ditur për kufizimet nga pala greke në pikën kufitare të Kakavijës, por nuk ka krijuar kushtet e nevojshme për emigrantët.

Meta publikoi një dokument të Ambasadës Shqiptare në Greqi, ku paralajmërohet që me datën 5 gusht 2020 se qeveria greke do të vendosë kufizime për qytetarët që do të kalojnë në doganën e Kakavijës dhe Kapshticës.

Ndërkohë Policia e Shtetit ka me datë 6 gusht 2020 ka njoftuar qytetarët shqiptarë për kufizimet që do të vendoseshin nga qeveria greke për emigrantët.

"Autoritetet policore greke, njoftojnë se duke filluar nga mbrëmja e sotme e në vijim, nga ora 22:00 deri në orën 06:00, Pikat e Kalimit të Kufirit Kakavije dhe Kapshticë nga pala greke do të jenë të mbyllura për udhëtarët dhe automjetet si në hyrje edhe në dalje të Greqisë.

Pikat e kalimit do të jenë të hapur për qytetarët dhe automjetet çdo ditë nga ora 06:00 deri në 22:00.

Policia e Shtetit fton qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që të shmangin lëvizjet dhe udhëtimet gjatë orarit që Pikat e Kalimit janë të mbyllura pasi mjetet dhe udhëtarët nuk do të lejohen nga Policia Kufitare që të parkojnë apo qëndrojnë në territorin doganor e kufitar.

Gjithashtu Policia e Shtetit njofton qytetarët se duke filluar nga data 16 Gusht 2020, shtetasit që hyjnë në Greqi nëpërmjet Pikës së Kalimit të Kufirit Kakavije dhe Kapshticë, do të karatinohen për 7 ditë.

Lejohet të kalojnë kufirin vetëm shtetas grekë, shtetas shqiptarë e të huaj me leje qëndrimi greke dhe minoritarë me kartën përkatese.

Shtetas të B.E-së apo me leje qëndrimi në vendet e B.E-së dhe vendet e tjera të treta nuk lejohet të hyjnë nëpërmjet P.K.K. Kakavije dhe Kapshticë për në Greqi.

Policia e Shtetit apelon që të gjithë qytetarët të ndjekin udhëzimet e autoriteve për lëvizjet në kufi si dhe të respektojnë me rigorozitet masat mbrojtëse me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19", njoftonte policia me datë 6 gusht.