Meta: Opozita axhendë politike
që nuk i shërben konsensusit

Meta: Opozita axhendë politike<br />që nuk i shërben konsensusit
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka akuzuar opozitën dhe kreun e saj, Lulzim Basha, se nuk ka në axhendë arritjen e konsensusit dhe zgjidhjen e ngërçit politik.

Për herë të parë që prej nisjes së ngërçit politik, Meta ka humbur qetësinë me Bashën pasi ky i fundit refuzoi paketën e “pajtimit” të sjellë nga ndërkombëtarët, ndërsa nuk mori pjesë as në tryezën e partive të thirrur nga vetë ai si Kryetar i Kuvendit.

Meta tha se axhenda politike e opozitës nuk i shërben zgjidhjes së situatës dhe as vetë opozitës, teksa shtoi se për fat të keq, opozita po barazon dialogun me ultimatumet. Refuzimi i vazhdueshëm i opozitës duket se e ka bërë Meta, njeriu “i qetësisë dhe dashurisë”, të humbasë durimin. 

Ai iu përgjigj edhe sulmeve të opozitës se kjo tryezë ishte fasadë për të manipuluar Kodin Zgjedhor. 

"Si kryetar i Kuvendit kam bërë të gjitha përpjekjet për t'u vendosur dialogu që nga dita e parë e vendosjes së çadrës dhe protestës së opozitës për këtë çështje, por është për të ardhur keq që opozita barazon dialogun me ultimatumin. Ju e dini falë përpjekjeve të bëra nga ndërkombëtarët, nga unë dhe LSI, janë bërë disa hapa përpara nga ana e mazhorancës aktuale për të krijuar një klimë sa më konstruktive dhe mirëbesimi, por kuptohet që axhenda ka një axhendë që nuk po i shërben këtij procesi dhe besoj se nuk do t'i shërbejë edhe vetë opozitës", u shpreh Meta. 

Deklarata e plotë e Metës:
"Nuk mund t’u lija pa ju përshëndetur për durimin, për vëmendjen tuaj dhe për shqetësimin tuaj për normalizimin e gjithë situatës lidhur me zgjedhjet.

Me këtë rast dua t’ju theksoj se ftova sot të gjithë partitë parlamentare që përfaqësohen në Kuvendin e Shqipërisë për t’i informuar me situatën aktuale, por edhe me diskutimet apo negociatat e zhvilluara edhe dje me përfaqësuesit e Parlamentit Evropian, por edhe me Nënkryetarin e Partisë Popullore Evropiane.

Dhe në këtë drejtim besoj se është e rëndësishme që të gjithë të jenë të mirinformuar për përpjekjet që janë bërë, pasi janë bërë përpjekje të rëndësishme, serioze nga partnerët ndërkombëtar, ndërkohë që shumë më tepër përpjekje duhen bërë nga ne këtu brenda vendit.

Dialogu ka munguar për një kohë të gjatë dhe është për të ardhur keq, që nuk po demonstrohet vullneti, përgjegjshmëria për t’u dhënë qytetarëve shqiptar një proces normal, një proces të qetë, një proces demokratik, siç e meriton çdo qytetar shqiptar, siç e meriton çdo familje shqiptare, siç e meriton vendi dhe shoqëria jonë".


A besoni akoma në gjetjen e një zgjidhje në momentin kur opozita e cilëson “fasadë” tryezën e thirrur nga ju?
Opozita ka të drejtën e saj të quaj të kotë çdo përpjekje tonën dhe timen personalisht. Është e drejtë e saj. Mos prisni asnjëherë që unë të them se ajo e bën këtë gjë për çdo lloj arsyeje. Është e drejta e saj.

Si Kryetar i Kuvendit kam bërë të gjitha përpjekjet për t’u vendosur dialogu që nga dita e parë e vendosjes së çadrës dhe protestës së opozitës për këtë çështje, por është për të ardhur keq që opozita barazon dialogun me ultimatumin.

Ju e dini se falë përpjekjeve të bëra edhe nga partnerët ndërkombëtar, por edhe falë përpjekjeve të bëra edhe nga unë, edhe si Kryetar Kuvendit edhe si Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, janë bërë disa hapa të rëndësishëm përpara nga ana e mazhorancës aktuale, për të krijuar një klimë sa më konstruktive dhe mirëbesimi. Por kuptohet që opozita ka një axhendë të sajën politike, që për fat jo të mirë nuk po i shërben këtij procesi dhe që nuk besoj se do t’i shërbejë edhe vetë opozitës.

Vetëm pjesëmarrja dhe garantimi i gjithëpërfshirjes, dhe i vetë opozitës dhe i gjithë partive opozitare, do të bënte të mundur që opozita jo vetëm të ndihmonte përmirësimin dhe garantimin e standardeve të zgjedhjeve, por njëkohësisht të ishte ajo opozitë për të cilën ka nevojë të gjithë qytetarët shqiptarë, jo vetëm ata që janë në opozitë.

Z. Meta, a u diskutua në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Është e mundur kjo në këtë moment?
Lidhur me kodin, ky është një kod i mallkuar zgjedhor që në 2008-n, një kod i bërë në errësirë nga shqiptarë dhe ndërkombëtarë dhe përsëri ky kod dëshiron të mbajë në errësirë zgjedhjet në Shqipëri për fat të keq.

Sepse nëse ka një konsensus është ai i nëndheshëm për të penguar çdo përpjekje që rrit transparencën e procesit zgjedhor dhe që e kalon atë nga dy-tre duar në një proces të hapur, konkurrues dhe demokratik. Pasojat e krizave të këtyre viteve, të gati një dekade, janë pasojat e kodit të bërë në errësirë me ndryshimin e dhunshëm që iu bë Kushtetutës me konsensusin e madh.

Megjithatë, duhet bërë çdo përpjekje që t’u jepen garanci maksimale qytetarëve shqiptarë se vota e tyre do të jetë e drejtë, se vota e tyre do të jetë e barabartë dhe ky do të jetë një proces që do të forcojë legjitimitetin e institucioneve shqiptare.

Ne si LSI kemi bërë çdo përpjekje për t’i kontribuar një zgjidhjeje politike, do të donim që të gjithë të bënin përpjekje maksimale. Fakti që nuk kemi arritur një marrëveshje tregon që këto përpjekje nuk janë shteruar.

Nuk duhet të kontribuojmë në momentet kur kjo krizë apo parakrizë të na çojë drejt situatave të paparashikuara apo të pamenaxhueshme, sepse vendi meriton qetësi, meriton paqe sociale dhe qytetarët tanë meritojnë të votojnë në mënyrë të drejtë, në mënyrë të barabartë dhe të përfaqësohen nga njerëz dinjitozë në Kuvendin e ardhshëm dhe në të gjitha institucionet.

Po thoni që jeni dakord për Kodin Zgjedhor dhe nuk është dakord Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, kur flisni për negociata të nëndheshme?
Më duket se isha shumë i qartë. Ky Kod Zgjedhor nuk ka provuar që t’i japë shqiptarëve demokracinë që meritojnë, demokracinë që funksionon dhe vazhdimisht e çon vendin nga një krizë në një krizë tjetër. Besoj se isha shumë i qartë.

Nesër Parlamenti është para raundit të tretë për të zgjedhur Presidentin e Republikës. Cilat janë shanset për të pasur një kandidaturë nesër apo edhe ky raund do të digjet? Dhe pyetja e dytë, më datë 29 prill është afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë. Ky afat i përcaktuar a do të diktojë edhe në ndryshimet e Kodit Zgjedhor në ditët e mbetura?
Unë nuk dua të hyj në çështje teknike. Çdo gjë që i shërben transparencës, besimit të qytetarëve shqiptarë te zgjedhjet e lira, garancive të sa më shumë forcave politike, dhe jo thjesht burokratëve të OSBE-ODIHR-it apo kujtdo institucioni tjetër, patjetër që duhet bërë në mënyrë që shqiptarët të kenë mundësi që të shkojnë më në fund drejt zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të barabarta.

Po për Presidentin z. Meta, a mund të kemi një kandidaturë nesër?
Për çështjen e Presidentit, ju e dini që qëndrimi ka qenë maksimalisht i hapur dhe konstruktiv. Unë kam qenë ndër nxitësit kryesorë, nuk është ndonjë sekret kjo, që maxhoranca të ketë këtë qëndrim. Pavarësisht se kemi një shumicë të padiskutueshme të cilësuar, Presidentin ta kemi sa më konsensual dhe në këtë proces të ecim së bashku me opozitën, të kërkojmë konsensusin e saj, por të kërkojmë edhe kandidatë prej saj, përse jo, në mënyrë që ne të jemi një vend sa më i bashkuar dhe normal. Për këtë po luftojnë gjithë shqiptarët për një vend normal.

Z. Meta, ndërkohë LSI a është dakord që ta ndryshojë Kodin Zgjedhor pa miratimin e opozitës?
Ne nuk duam të bëjmë asnjë veprim pa opozitën sepse po të ishte se do donim të bënim veprime të tilla, këto i kishim bërë me kohë. Presidentin e kishim zgjedhur me kohë, Kodin e kishim ndryshuar me kohë, edhe gjithçka tjetër. Ka një shqetësim nga opozita se mos bëhet ndonjë ndryshim që mund t’i krijojë afate të reja opozitës që të regjistrohet në zgjedhje dhe është shumë e shqetësuar për këtë opozita se mos kjo do të cilësohet si një problem edhe nga raporti i ardhshëm i burokratëve të ODIHR-it, por nuk e shqetëson në fakt opozitën që në këtë mënyrë do t’i mohohej mundësia opozitës që të regjistrohet në zgjedhje.

Presidenti do të zgjidhet në këtë legjislaturë?
Unë besoj se duhet të zgjidhet në këtë legjislaturë dhe nuk ka asnjë arsye se përse të mos zgjidhet dhe kemi ende kohë. Le të shpresojmë që dialogu mund të rivendoset edhe sot në mbrëmje, nesër në mëngjes...

I qëndroni mendimit se mund të ketë zgjedhje edhe pa Partinë Demokratike edhe pas negociatave të djeshme, z. Meta?
Jemi duke pritur PD-në në këtë proces. Mendoj që i janë bërë mjaft oferta Partisë Demokratike për të cilat unë edhe informova përfaqësuesit e partive parlamentare që morën pjesë dhe që nuk kanë pasur informacion të plotë, por edhe Partia Demokratike duhet të tregojë vullnet që të përfshihet në këtë proces.

Deri kur do ta prisni sepse PD dhe z. Basha kërkon vetëm qeveri teknike, asgjë tjetër?
Qeveria teknike nuk është diçka që mund të përcaktohet në mënyrë të njëanshme dhe në rast se çdo përpjekje synon apo personalizohet thjesht tek një apo edhe disa individë, atëherë humbasim fokusin nga standardet që ka nevojë Shqipëria, që ka nevojë qytetarët shqiptarë dhe nuk ndihmojmë zgjidhjen dhe dialogun.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Pakistan/ 82 njerëz të vrarë në 3 ditë si pasojë e dhunës sektariane

Pakistan/ 82 njerëz të vrarë në 3 ditë si pasojë e dhunës sektariane