TIRANË - Ambasadori i BE në Shqipëri, Ettore Sequi i ka dorëzuar sot kreut të Kuvendit, Ilir Meta Progres-Raportin dhe Rekomandimin e Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Kjo ka ndodhur rreth një orë pas shpalljes së këtij Progres-Raporti nga komisionieri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle.

"Nuk mund të quhet proces i përfunduar, por një moment i ri inkurajues, nxitës për klasën politike në radhë të parë, për parlamentin, ku çdo ditë mazhoranca dhe opozita takohen dhe mbajnë përgjegjësitë e përbashkëta për punët e vendit. Dua të shpreh falenderimin më të përzemërt për mbështetjen që BE i jep vendit tonë. Falenderoj zotin Fyle dhe stafin për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm, falenderoj ambasadorin e BE, Sequi për ndihmën gjatë gjithë kësaj periudhe dhe besoj se do vazhdojë dhe në të ardhmen", theksoi fillimisht kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

"E sigurova ambasadorin Sequi se unë si kryetar i Kuvendit dhe grupet parlamentare dhe komisionet parlamentare do ta studiojnë me vëmendje këtë raport-progres sipas fushave përkatëse dhe qeveria do ta bëjë këtë me shumë përgjegjësi. Do ndërtojmë një kalendar për ditët, javët, muajt sidomos në fushat më të mprehta ku synon ky progres si: forcimin e ligjit, sigurisë, korrupsionit, për përmirësimin e mirëqeverisjes. Së bashku do fitojmë sfidat që mbeten përpara".

Më tej Meta ka vlerësuar edhe kontributin e Partisë Demokratike: "Dua të citoj Ramën kur tha se “që ky moment pozitiv vjen si rezultat i bashkëpunimit në të kaluarën, mes mazhorancës dhe pozitës së mëparshme. PD ka kontributet e saj dhe shpresoj dhe uroj që të kontribuoj dhe tani si opozita kryesore në vend që ne të vazhdojmë të punojmë, pasi integrimi në BE në themel ka gjithëpërfshirjen dhe parashikueshmërinë, që prespektiva europiane të forcohet do të thotë, e kjo do të thotë që të forcohet edhe roli i Shqipërisë si faktor integriteti".