“Një pjesëmarrje më e madhe e të rinjve në politikë, jo vetëm në Shqipëri por edhe në vendet e rajonit apo shtete të tjera në zhvillim,  do ta përshpejtojë rritjen e progresit dhe rritjen e mirëqenies duke sjellë prosperitet.” Kështu ka deklaruar kreu i Kuvendit, Ilir Meta në foltoren e Parlamentit ku ka folur para disa të rinjve nga Shqipëria dhe vende të tjera të botës.
 
Aktivitet është bërë në kuadër të veprimtarisë “Modeli Shqiptar i Kombeve të Bashkuara/ Porta hyrëse e një Studenti për në Çështjet dhe Negociatat Ndërkombëtare”, i organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me Zyrën e UN në Shqipëri, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, USAID, Korpusin e Paqes, Fondacionin ShqiptaroAmerikan të Zhvillimit.
 
Më tej Meta është ndalur edhe te arsimi i të rinjve, e cila sipas tij është zgjidhja e shumë problemeve.
 
“Është detyra jonë dhe duhet të jetë edhe kërkesa juaj për një arsim më të mirë. Arsimi sjell paqe, zhvillim të vazhdueshëm, ul varfërinë.”- tha Meta. Fjala e plotë e Metës me të rinjtë në Parlament 

Meta duke sjellë në kujtesë angazhimin e tij të hershëm politik në një moshë te re, kur bota nuk ishte aq e globalizuar sa sot, tha se të rinjtë janë ata që e mbushin me energji pozitive dhe japin kuptim investimit tonë të sotëm për të ardhmen e vendit të përbashkët.

“Vizioni dhe pritmëria jonë për shekullin e 21 duhet të shkojë përtej garantimit të së drejtës të çdo qytetari për arsimimin. Është detyra jonë për një arsim sa më cilësore e koherent që iu përgjigjet sfidave zhvillimore dhe ekonomike në këtë botë të ndërlidhur globale, ku rajonet më shumë se shtetet, po konkurojnë me njëri-tjetrin, sepse arsimi sjell paqe, sjell zhvillim të qëndrueshëm, ul varfërinë dhe konsolidon të ardhmen njerëzore sociale e ekonomike të vendit me qëllim rritjen e standardeve të jetesës për të gjithë. Nga ana tjetër shtoi Meta, debati politik e kulturor kërkon kultivimin e pandërprerë të dijes e njohurive për të qënë në një ritëm me trendin e kohës.

Nikolla: Merrni në dorë kohën tuaj dhe kontribuoni për zgjidhjen e konflikteve
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, duke vlerësuar kontributin e të rinjve për të ardhmen e vendit informoi se në muajin maj ne do të kemi panairin e nismave dhe ideve të shkollave komunitare dhe ju do të mund të ndani edhe me shkolla të tjera suksesin tuaj. “Merrni në dorë kohën tuaj dhe kontribuoni. Të qenit pjesëmarrës në këtë model të rëndësishëm ju mundëson që të krahasoni, por edhe të trajtoni me besim atë që sot kurrikula shkollore synon, pra dhënien e njohurive sa më afër çështjeve që janë në qendër të zhvillimeve të sotme, krijimin e vlerave në arsimin tuaj, në qytetarinë demokratike, të prezantoni denjësisht në publik të jeni të aftë të merrni pjesë si qyetarë të përgatitur për zgjedhjen e zgjidhjen e konflikteve”, tha Nikolla.

Më tej, ajo shtoi se së bashku me fondacionin shqiptaro-amerikan për zhvillim në rrugën e bashkëpunimti të disa viteve në fushëm e arsimit do të vijohet me shtrirjen e moduleve “Junior Achievement” në të gjithë sistemin tonë arsimor madje që në parashkollor. “Në këtë kuadër, firmosja e marrëveshjes sot me Presidentin e Fondacionit shqiptaro-amerikan të Zhvillimit, Michael Granoff synon pikërisht materializimin e vizionit tonë që duke përgatitur sot brezat e rinj me ekonominë që në moshë të re ne do të mund të nxjerrim nesër specialistë të mirëpërgatitur dhe cilësorë, të cilët do të përballen me sfidat për një qëndrim të qëndrueshëm në Shqipëri në hapësirën rajonale por edhe më tej në hapësirën europiane”, tha Nikolla. Nëse investojmë sot, qoftë edhe nje dollar tek fëmijët tanë, theksoi ministrja e Arsimit, ai do të na kthehet mbrapsh njëqindfishi i tij.

Në ceremoninë e hapjes së Konferencës së Modelit të Kombeve të Bashkuara 2015, e cila po mbahet në Parlamentin shqiptar ishte i pranishëm ishte edhe zv. ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Henry Jardine.

Aktiviteti “Modeli shqiptar i Kombeve të Bashkuara/Porta hyrëse e një studenti për çështje dhe neogociata ndërkombëtare” u organizua nga Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me Zyrën e Kombeve të Bashkuara në vendin tonë, Ministrinë e Arsimit e të Sportit, USAID, Korpusin e Paqes dhe Fondacionin shqiptaro-amerikan të Zhvillimit.

Nxënës nga e gjithë Shqipëria janë mbledhur në Tiranë për të përfaqësuar shtete nga e gjithë bota, për të rikrijuar eksperiencën e organizatës së Kombeve të Bashkuara. Këta nxënës kanë mësuar me trajnerët nga vullnetarët e Korpusit të Paqes, mësuesit dhe me njëri-tjetrin, për të krijuar një atmosferë të vërtetë diplomatike.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)