Presidenti Meta ka pritur ambasadorin e Izraelit, Noah Gal Gedler me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale (dokument zyrtar që ambasadori i paraqet kryetarit të shtetit kur fillon punën në një vend) që zyrtarizon besimin midis dy shteteve.
Presidenti Meta e uroi Ambasadorin Gedler për marrjen e detyrës si dhe e siguroi për bashkëpunim të ngushtë me qëllim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore e historike ndërmjet Izraelit dhe Shqipërisë dhe dy popujve.
Duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve, si dhe trendin pozitiv të bashkëpunimit ekonomik, Presidenti Meta theksoi se ka ende potencial për t’i rritur më tej marrëdhëniet ekonomike-tregtare.
Po kështu Meta konfirmoi pjesëmarrjen në Konferencën Botërore për Holokaustin, që do të zhvillohet në Janar 2020 në Jerusalem, i ftuar nga Presidenti i Izraelit Reuven Rivlin.
“Izraeli mund të shërbejë si një shembull i shkëlqyer se si një komb i vogël, që përballet me shumë sfida, mund të zhvillojë vendin e tij, mbështetur në kapacitetin njerëzor e intelektual. Jam krenar, për kontributin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”, - u shpreh Presidenti Meta.