TIRANE-Presidenti i Republikës Ilir Meta do të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare mbi gjendjen e krijuar në vend nga koronavirusi. Kreu i shtetit thërriti sot në një takim në Presidencë ministrin për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, të ngarkuar nga qeveria edhe për  koordinimin  dhe  drejtimin  e  punës, ndërmjet ministrive dhe institucioneve, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga pandemia globale COVID-19. Meta shkruan se u njoh me planin e qeverisë për përballimin e pasojave të pandemisë, ndërsa thotë se bashkëpunimi do të na japë të gjithëve fuqinë e duhur pozitive për ta fituar këtë sfidë.

"Sot në mbrëmje prita me kërkesën time, ministrin e Shtetit për Rindërtimin, z.Arben Ahmetaj, të ngarkuar nga Qeveria edhe për koordinimin dhe drejtimin e punës, ndërmjet ministrive dhe institucioneve, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga pandemia globale COVID19. U njoha nga ministri Ahmetaj për masat e marra nga Qeveria për përballimin e kësaj situate kritike, si dhe diskutuam mbi mundësinë e mbledhjes në një kohë sa më të afërt të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Bashkëpunimi, gjithëpërfshirja, humanizmi dhe solidariteti mbarëkombëtar do të na japë të gjithëve fuqinë e duhur pozitive për ta fituar këtë sfidë" shkruan Meta.

Qeveria dhe Presidenca kanë ulur 'armët' dhe tonet nga momenti që koronavirusi mbërtheu edhe Shqipërinë. Kryeministri Edi Rama mbrëmjen e djeshme e falenderoi publikisht Ilir Metën për mesazhet që ka përcjellë në këto ditë të vështirë, ndërsa kreu i shtetit përshëndeti paketën social-ekonomike të qeverisë për përballimin e pasojave nga koronavirusi.

1584728633_metaahmetaj.jpg