Në orën 11.00 ai ka hyrë në zyrën e kryeministrit Berisha me mesazhin e prerë: Të “divorcohej” nga koalicioni katërvjeçar me PD, duke lajmëruar daljen e LSI nga koalicioni qeverisës, kur kanë mbetur afërsisht dy muaj nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Ilir Meta ka qënë vetëm në zyrën e kryeministrit, ku në bisedën kokë më kokë me të mësohet se ka konfirmuar tërheqjen e ministrave të tij në kabinetin qeveritar, pasi tashmë ka marrë vendimin e pakthyeshëm për të bërë koalicion me PS të drejtuar nga Edi Rama, duke i dhënë fund “mërisë” gati 6 vjeçare mes tyre.
Meta ka qënë shumë konkret në argumentat që i ka paraqitur Berishës në zyrën kryeministrore në lidhje me largimin pa kthim nga koalicioni qeverisës. Ai mesohet se është shprehur se do bëjë koalicion me PS pasi s’ka asnjë alternativë tjetër duke nënvizuar se “me PD nuk dal dot në koalicion parazgjedhor”. Por njëherësh Meta i ka bërë me dije kreut të qeverisë Berisha se s’ka arritur as të formatojë Polin e Tretë duke nënvizuar se s’kishte arritur akord në bisedimet me Bamir Topin kreun e FRD, Vangjel Dulen kreun e PBDNJ e Shpëtim Idrizin kreun e PDIU, pavarësisht se me këtë të fundit ishte në prag të arritjes së konsensusit. Meta ka nënvizuar se ideja Polit të Tretë politik kishte dështuar. Mësohet se kreu i LSI i ka thënë Berishës se koalicioni me PS ishte i detyrueshëm për të, dhe për pasojë dhe largimi nga qeveria për shkak sa vetëm me socialistët ai mund të arrinte të merrte deputetë për të qënë pjesë e Kuvendit, duke barazuar votat me mandatet, në një sistem zgjedhor proporcional rajonal që detyron koalicione parazgjedhore vetëm me partitë e mëdha politike.
Njëherësh kreu i LSI ka qënë konkret me Berishën, teksa i ka bërë të ditur se do të tërheqë menjëherë ministrat e tij nga kabineti qeveritar, por duke premtuar që do të
votonte secilin emër për ministër që kreu i qeverisë do të sillte në Kuvend për votim, një largim i butë ky i LSI nga bashkëqeverisja, që shmang krizën qeverisëse. Ndërsa premtoi që në seancën e pasditës do të votonte dekretet e presidentit Nishani për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të cilët janë votuar dhe me votat e LSI ditën e djeshme në seancën e Kuvendit të Shqipërisë.
Më pas Meta është takuar me zyrtarët e lartë të partisë së tij, më pas me kreun e PBDNJ Dule, për të dalë para gazetarëve dhe për të thënë se ishte një takim normal me kreun e qeverisë. “Sot është 1 prilli e kuptohet që s’ka vlerë të bëjmë ndonjë deklaratë sepse nuk e di se sa të besueshme do ishin deklaratat. Po ne takime kemi vazhdimisht e takimet janë mjaft konstruktive. Këto janë qëndrime, që në fund fare do t'i vlerësojnë forumet e LSI. Meqënëse kam dëgjuar qëndrime të ndryshme për çështjen e dekreteve, natyrisht siç kemi vepruar gjithmonë, për çdo dekret do të shprehemi sipas bindjes së cdo deputeti", tha Meta. Ndërkohë që kryeministri Berisha s’ka bërë asnjë deklaratë në lidhje me prishjen e koalicionit me LSI.
TAKIMI I METËS ME BERISHËN, ÇFARË U DISKUTUA
-Do të bëj koalicion me Partinë Socialiste, nuk kam asnjë alternativë tjetër. Me ty nuk dal dot në koalicion parazgjedhor.
-Nuk po arrij të formatoj Polin e Tretë politik. Nuk kam arritur akord për koalicion as me FRD e Topit, as me PBDNJ e Dules dhe as me PDIU të Idrizit.
-Unë arrij të fitoj deputetë duke barazuar votën me mandatet vetëm në koalicion parazgjedhor me PS.
-Do të tërheq ministrat përfaqësues të LSI nga kabineti qeveritar
-Çdo emër për ministër që do të sjellësh në Kuvend unë do ta votoj, por nuk rri më në qeveri
-Do të votoj dekretet e Presidentit Nishani për Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese
HESHTJA
Kryeministri Berisha s’ka bërë asnjë deklaratë në lidhje me prishjen e koalicionit me LSI, ndërkohë që në Kuvend ka vijuar normalisht batutat dhe akuzat ndaj opozitës dhe kreut të PS Edi Rama, mbështetur dhe nga kryetarja e Kuvendit, Topalli.
ALEANCAT
“Sot është 1 prilli dhe kuptohet që s’ka vlerë të bëjmë ndonjë deklaratë sepse nuk e di se sa të besueshme do ishin deklaratat. Po ne takime kemi vazhdimisht e takimet janë mjaft konstruktive. Këto janë qëndrime, që në fund fare do t'i vlerësojnë forumet e LSI”- tha Meta dje në 12:28 para gazetarëve të mbledhur në hotel Rogner. Ai tha se takimet ishin normale, por ishte dhe 1 prilli dhe s’do bëj deklarata.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) .02.04.2013
(sg/shqiptarja.com)