Meta: Qeveri ekspertësh? Ide 
vetëm për të arritur konsensusin

Meta: Qeveri ekspertësh? Ide <br />vetëm për të arritur konsensusin
Ilir Meta sqaron se do të vijojë koalicionin me Edi Ramën sipas marrëveshjes dhe se nuk do të ketë një mocion mosbesimi për qeverinë. Në një intervistë për emisionin “Opinion” ai tha se ideja e tij për një qeveri teknikësh është keqkuptuar, pasi ai ka kërkuar vetëm përshpejtimin e procesit për votimin e reformës në drejtësi. Meta ka deklaruar se LSI do ta votojë reformën pavarësisht qëndrimit të PD.

“Qeveria ekspertëve, atë që z. Basha e quajti teknike sot, kjo erdhi si ide krejtësisht e imja. Dyshimi kryesor i opozitës është se qeveria mund të kapë institucionet kryesore të drejtësisë. Unë mendoj se ne duhet të jemi shumë të drejtë me opozitën, pasi ata kanë dhënë kontributin më serioz për drejtësinë, këtë ua kam thënë edhe ndërkombëtarëve. PD për arsye pragmatike apo për arsye të kuptueshme që kanë të bëjnë me dyshimin se mos kapet sistemi, ajo me dëshirë apo padëshirë ka pranuar një ndryshim total të sistemit të drejtësisë, madje ka dhënë ca ide të guximshme. Unë mendoj se opozita ka të drejtë të kërkojë që sistemi i drejtësisë të mos kapet nga pala tjetër“, tha Meta.

"Nëse nuk ka konsensus, por procesi i mëtejshëm i integrimit vihet në diskutim sepse minohet dialogu. Një draft i njëanshëm, nuk mund të jetë i besueshëm. Unë jam më i qetë se kushdo tjetër për reformën në drejtësi. Nuk kam asnjë arsye arsye apo merak që të kap sistemin e ri të drejtësisë", u shpreh Meta përballë gazetarit Blendi Fevziu duke shtuar se pas takimit të sotëm me Ramën dhe Bashën është shumë i bindur se jemi shumë pranë konsensusit në Reformën në Drejtësi”

Sipas kreut të LSI-së, “drafti që është diskutuar është ai i fillimit dhe unë besoj se ai draft bazuar në qëndrimet publike të zonjës Nuland dhe të zotit Flakenstein është tërësisht i mundshëm për tu arritur". "Unë mendoj se duke patur parasysh frymën pozitive të takimit të sotëm, nëse do të ishte angazhuar zoti Kukan dhe Flenkenstain menjëherë pas rekomandimeve të Venecias, çështja do të ishte zgjidhur dhe do të ishte implementuar".

INTERVISTA
Kjo reformë do të kalojë me bindje, apo është një përfundim që vjen nga bisedimet e sotme?

Së pari, këtë e kam pasur një bindje prej kohësh. M’u lëkund pak javë më parë, por pas takimit të sotëm me Kryeministrin Rama dhe me kryetarin e opozitës, zotin Basha, jam shumë i bindur se jemi shumë pranë konsensusit për reformën në drejtësi.

Thatë që iu është rikthyer bindja që reforma në drejtësi do të kalojë pas takimit të sotëm. Duhet të përzinit z. Lu dhe znj. Vlahutin që të arrinit në përfundimin se reforma do të kalojë, se, për sa kohë, ishin ata në takime nuk kalonte? Do të kalojë drafti hibrid, i propozuar nga ndërkombëtarët apo ndonjë draft që është rakorduar ndërmjet jush, z. Rama dhe z. Basha?

Jo, drafti që është diskutuar është ai hibrid dhe unë besoj se ai draft, bazuar edhe në qëndrimet publike të zonjës Nuland dhe qëndrimet e sotme publike të zotit Flekenshtajn, i cili erdhi edhe në emër të raporterit tjetër të Parlamentit Europian, pra të grupit të djathtë të Partive Popullore Europiane, të zotit Kukan, është tërësisht i mundshëm për t’ua arritur konsensusi.

Atëherë, çfarë diskutojnë? Një “po” dhe një “jo” është, çfarë diskutojnë ekspertët që kanë katër orë që janë mbyllur dhe çfarë diskutuat ju për dy orë?
Unë mendoj se, duke pasur parasysh frymën pozitive të takimit të sotëm, nëse z. Flekenshtajn me zotin Kukan do të ishin angazhuar vetëm një fundjavë pas rekomandimeve finale të “Venecias”, kjo çështje do të ishte zgjidhur dhe tani reforma do të kishte filluar të implementohej. Pra, mendoj se ka qenë më shumë një atmosferë komunikimi...

Keqkuptim...
... pak telefon i prishur dhe një frymë...

Pse në këtë pikë është politika shqiptare, z. Meta, që punon telefon i prishur dhe nuk kuptohet, mjafton të vijë një ndërkombëtar për dy orë, të kthejë dhe t’ju bindë sesi duhet votuar?
Kjo pa dyshim që është një përgjegjësi e politikës shqiptare, e cila duhet të marrë më shumë përgjegjësi dhe unë besoj se edhe takimi i sotëm është një rast i mirë për ta demonstruar këtë përgjegjshmëri.

Pra, e thënë ndryshe, z. Meta, ju, Basha dhe Rama jeni dakordësuar në parim sot për ta kaluar reformën në datën 21 korrik?
Natyrisht që vullneti për këtë çështje nuk diskutohet.

Por vullneti është po ose jo, se këtu nuk po shpikim ndonjë gjë të madhe. Është një draft i propozuar nga znj. Nuland për të cilin keni diskutuar. Mund ta di se çfarë ju pengon të thoni po për draftin e znj. Nuland?
Votat e LSI-së janë prej kohësh në Uashington, por nuk është ky problemi.

Si janë në Uashington? Që do të thotë se në datën 21 korrik, 20 votat e LSI-së do të jenë në favor të draftit apo jo, pavarësisht votimit të të tjerëve?
Padyshim që do të jenë në favor të draftit, por porosia që kam marrë unë nga Uashingtoni është që të bëj çdo përpjekje për konsensus dhe kjo është shumë e rëndësishme.

Nëse konsensusi dështon, 20 votat tuaja do të jenë pro reformës?
Nuk ka asnjë arsye që konsensusi të dështojë, vetëm në rast se e provokojmë ne konsensusin, siç dhe ka ndodhur, për fat të keq, këto kohë.

Në rast se opozita vendos të mos e kalojë këtë draft, ju, si LSI do të votoni pro apo kundër këtij drafti?
Padyshim që do ta votojmë, sepse drafti aktual është një draft i cili përputhet plotësisht me rekomandimet finale të Venecias. Pretendimet aktuale të opozitës unë mendoj që janë të drejta dhe askush nuk mund t’i kontestojë ato.

Ju tremb personalisht ju, z. Meta, reforma në drejtësi? A keni frikë ju nga një drejtësi ndryshe nga kjo që është deri tani? Në fjalën tuaj, ka bërë përshtypje fakti se fjalën “burg” e keni përmendur 11 herë. Kaq frikë keni realisht nga burgu pas reformës në drejtësi?
Së pari, të jeni i sigurt që jam më i qetë se kushdo tjetër për reformën në drejtësi. Së dyti, LSI është një forcë politike, e cila nuk ka pasur asnjë arsye të mbrojë sistemin aktual. Përkundrazi, ka qenë mjaft mbështetëse për një ndryshim të thellë dhe të plotë të sistemit aktual të drejtësisë, ashtu sikurse nuk ka asnjë arsye dhe asnjë shqetësim për të kapur sistemin e ri. I vetmi angazhim dhe preokupim imi dhe i LSImbetet stabilitetit i vendit dhe forcimi i institucioneve në vend.

Z. Meta, kaq keq janë raportet tuaja me SHBA-të dhe Uashingtonin? E përmendët vetë në fjalën tuaj. Ndërkohë ka rënë vazhdimisht në sy fakti që znj. Nuland, kur ka ardhur në Shqipëri, nuk ju ka takuar, megjithëse ju jeni faktor i rëndësishëm dhe përfaqësoni një nga tri forcat kryesore politike, ose ka shmangur takimet me ju.
Unë nuk e di nëse znj. Nuland ka shmangur ndonjë takim me mua dhe nuk e di pse duhet të takohet patjetër me mua, sepse unë jam Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë...

Përderisa ka ardhur për reformën në drejtësi...
Unë çështjen e angazhimit të LSI-së e kam sqaruar prej kohësh në Departamentin Amerikan të Drejtësisë dhe në mënyrë të veçantë me ndihmës- Sekretarin e Shtetit, pra Departamentin e Shtetit që merret pikërisht, që mbulon programet e drejtësisë, të antikorrupsionit, të antidrogës e kështu me radhë, ambasadorin Brownfield, i cili më ka kërkuar të angazhohem sa më fuqimisht që kjo reformë të përfundojë brenda korrikut, për shumë arsye, për të konkretizuar edhe mbështetjen dhe ndihmën financiare të

Z. Meta, ju thoni se pas miratimit të reformës, që lë të kuptohet se, nëse  nuk miratohet reforma, të shkojmë në një qeveri teknike. Pse keni arritur në këtë përfundim?
Atëherë ky ishte një mesazh për të gjithë ata  që e kanë seriozisht reformën në drejtësi dhe që duan patjetër që ajo të realizohet. Iniciativa ime për t’i ftuar të pesë aktorët, ose të katër aktorët, ishte si kryetar i parlamentit, sepse në fund fare  kemi edhe procedurat parlamentare, për të cilat unë kam përgjegjësinë time dhe që  duhet të jenë korrekte, sepse kemi të bëjmë me ndryshime  kushtetuese. Kjo kishte të bënte me faktin  që nuk po gjendej një zgjidhje. Kemi një reagim të z.  Rama, i cili thotë që z. Basha të negociojë me SHBA-në dhe me BE-në, kemi një reagim të ambasadorit amerikan z. Lu, që z. Rama dhe z. Basha të takohen ditën e hënë me njërit-tjetrin, duke përjashtuar propozimin e Partisë Demokratike, që ishte i papranueshëm e  të tjera për SHBA-në dhe të rrinin dhe ta zgjidhnin këtë çështje.

Ndërkohë, z. Rama ka deklaruar sot se i ka 94 vota dhe e kam në sinkron. I keni gjetur këto vota, zoti Meta?
Jo, jo. Unë e kam bërë të qartë që nuk do të komunikojë me asnjë deputet, përveç grupit parlamentar të Lëvizjes Socialistë për Integrim, sepse ti e di që pastaj thonë që i mori Meta. Apo jo? Ky është një moment mjaft i rëndësishëm dhe historik për vendin, i cili duhet të kthehet në histori suksesi dhe jo në një histori elektorale sepse do të jetë shumë e hidhur për të gjithë ata që do ta sabotojnë këtë konsensus.

Z. Meta, ndërkohë keni thënë që pas miratimit të reformës, duke e quajtur të miratuar atë, por që kuptohet edhe nëse nuk miratohet, duhet shkuar në një qeveri teknike. I qëndroni ende kësaj?
Jo, nuk kam thënë kështu. Ja ky është keqkuptimi që ka ndodhur. Unë kam thënë se duhet të takohemi të gjithë, duhet të gjejmë patjetër një zgjidhje për datën 21, kam vlerësuar se nuk kemi të bëjmë thjesht me një aspekt të caktuar apo me një aspekt tjetër të elementeve të reformës, por kemi të bëjmë me  një mosbesim të madh për shkak të klimës konfliktuale se kush e do, kush është i ndershëm, kush është i pandershëm. Nuk është normale që politikanët të shprehen për këtë çështje, pasi mendoj që Venecia është shprehur qartë dhe nuk mund të paragjykojmë vendimet e saj dhe ne, në të ardhmen nuk mund të bëjmë punën e drejtësisë. Jam distancuar nga e gjithë fryma në mënyrë të vazhdueshme, që hajdeni ju, jepni konsensusin, ose pse nuk jepni konsensusin ju, se ju do të shkoni në burg dhe se ne jemi më të mirë se ju, sepse kjo nuk është një frymë që na ndihmon për konsensus.

Pra, Basha e quan shantazh, e quan provokim ndaj opozitës deklarimin e sotëm të 94 votave, nga kreu i PS-së.
Natyrisht, nuk është një thirrje dhe një kontribut për konsensus. Në mënyrë të vazhdueshme, gjatë gjithë këtij viti, që ka filluar procesi i reformës, kam bërë të qartë se sa e rëndësishme është që Shqipëria ta miratojë me konsensus reformën në drejtësi. Dua të them se opozita, për fat të mirë, nuk bëri gabimin që bëri me reformën administrative territoriale, ku neve, edhe pse na duheshin më pak vota, pra 84, u treguam shumë herë më zemërgjerë, më të hapur...

Kthehemi edhe një herë te qeveria. Pyetja është e drejtpërdrejtë: a ka mbaruar koalicioni PS-LSI? A ka marrë fund koalicioni juaj me Edi Ramën?
Në rregull! Atë që unë thashë: “qeveri e ekspertëve”, dhe atë që z. Basha e quajti “qeveria teknike”. Kjo ide erdhi nga domosdoshmëria e miratimit të reformës, dhe me konsensus. Kjo ishte një ide krejtësisht imja, pasi problemi kryesor që ne kemi është dyshimi i opozitës se qeveria mund të përdorë instrumentet e saj për të kapur institucionet e reja të drejtësisë. Duhet të jemi shumë të drejtë dhe shumë të ndershëm edhe me opozitën, aktualisht, sepse unë mendoj se opozita ka dhënë kontributin kryesor për kompromis.

Pse?
Dhe këtë ua kam thënë edhe partnerëve ndërkombëtarë, ia kam thënë edhe z. Rama. Sepse ne themi, ju mund të thoni, përfaqësues të maxhorancës aktuale, se ky sistem duhet ndryshuar, sepse ky sistem i korruptuar e të tjerë e të tjerë,  mbrohet nga PD, e kështu me radhë, për arsye se shumë emërime mund të jenë bërë në periudhën tetëvjeçare, kur PD-ja ka pasur shumicën në parlament. Atëherë PD, normalisht, për arsye pragmatike apo edhe për arsye të kuptueshme, që kanë të bëjnë me shqetësimin për moskapjen e sistemit, normalisht do ta kishte apo jo shumë më komode për të vazhduar me sistemin aktual. PD, me dëshirë apo pa dëshirë, apo me përgjegjësi, kjo nuk më mbetet mua ta gjykoj, ka pranuar një ndryshim total të sistemit të drejtësisë, madje ka dhënë disa nga propozimet më të  guximshme. Atëherë, kur kjo forcë politike, e cila është e interesuar që të mos ndryshojë ky sistem, pranon që të gjitha këto institucione të ndryshojnë, të rikompozohen, të bëhet edhe procesi i vetingut, nuk paska të drejtë që të kërkojë disa garanci, që sistemi i ardhshëm të mos kapet nga pala tjetër?! Kështu që, në këtë drejtim, unë besoj se duhen bërë të gjitha përpjekjet për ta mbyllur këtë si një histori suksesi të të gjithëve, sepse, në fakt, kjo ka nisur si një histori për të kërkuar fajtorë. Sepse kjo ka të bëjë me Shqipërinë.

A do të qëndrojnë ende ministrat e LSI-së, pas deklaratës suaj, në qeverisjen e vendit?
Atëherë ju nuk e keni kuptuar thelbin e propozimit tim. Qëllimi im ishte: meqenëse të gjithë e duan reformën, por PD mendon se qeveria aktuale “Rama-Meta”, do ta kapë këtë sistem, atëherë kjo mund të ishte një zgjidhje, që të votohej reforma në datën 21 korrik, dhe të bihej dakord për zgjedhjet të reja, në mënyrë që të miratohej reforma, sepse kjo ishte sfida dhe kërkesa kryesore.

A funksionon më marrëveshja juaj me Edi Ramën?
Po, patjetër që funksionon.

Pra, ju jeni  që kjo qeverisje e zotit Rama me ministrat e LSI-së të vazhdojë?
Po, pa dyshim që ajo normalisht duhet të vazhdojë. 

A do të përgatisni ju një mocion mosbesimi për Kryeministrin për ta rrëzuar atë z. Meta?
Absolutisht.

A do t’i bashkonit votat ju me PD-në për të ndërtuar një qeveri teknike, e cila mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme?  
Nuk ka asnjë arsye dhe  nuk e kuptoj se pse duhet të ndodhë kjo gjë.

Pra, aktualisht ju dhe z. Edi Rama jeni në “muaj mjalti” sërish  me njëri-tjetrin, sepse kam vënë re vazhdimisht sulme ndaj njëri- tjetrit, në mos publike “underground”, që do të thotë: a funksionon më marrëveshja juaj?
Nuk ka asnjë sulm nga ana ime. Unë i kam dhënë zoti Rama besim të plotë për të provuar aftësitë e tij si Kryeministër...

Nëse konsensusi realizohet, gjithçka do të vazhdojë  normalisht? Pra, do të ikni me pushime dhe do të vazhdoni normalisht? Nuk keni ndër mend  të tërhiqni  ministrat e LSI-së dhe ju të jepni dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Kuvendit siç paralajmëruat?
Kjo  do të  bëhej për hir të miratimit të reformës në drejtësi, nëse do të  kishte një mirëkuptim.

Pra, z. Basha ju lë ta vazhdoni koalicionin. Po nëse zoti Basha ju kërkon nesër një qeveri teknike, a  jepni gati ta sakrifikoni  këtë  maxhorancë për hir të kërkesës së opozitës?
Dua t’ju them dy gjëra. Jam habitur kur jam takuar herën e parë me z. Basha, në takimin, i cili kishte të bënte me përpjekjen time për të marrë konsensusin e opozitës  për  të filluar  procedura normale dhe të pakontestueshme  në komisionin parlamentar për diskutimin e reformës, pasi ishte zhvilluar  një takim më përpara midis z. Basha dhe z. Rama dhe kishin mbetur disa çështje të  rëndësishme pa u zgjidhur apo pa u dakordësuar dhe ideja ime ishte për të fituar  kohë, pra për të kapur datën 21  korrik. Desha të merrja mirëkuptimin e tij dhe të opozitës që të ecnim përpara me kalendarin  dhe ndërkohë, të  negociohej për çështjet e tjera. Unë jam habitur nga konstruktiviteti i zotit Basha në atë takim. Kam vënë re që kërkesat  që ai kishte, i famshmi neni 88, ishte në thelb një kërkesë  tërësisht legjitime e opozitës.

Po z. Rama, po tenton ta  prishë këtë konsensus?
94 votat  nuk janë konsensus  dhe janë një problem i madh për Shqipërinë, jo vetëm për tani, por edhe për një kohë shumë të gjatë.

Z. Ilir Meta, a do të vazhdojë qeverisja juaj deri në qershor të vitit 2017? 
Patjetër, ne kemi një marrëveshje 4-vjeçare dhe nuk ka asnjë arsye pse të mos vazhdojë.

Do të paraqisni një mocion mosbesimi për Kryeministrin Rama, për ta rrëzuar në parlament?
Nuk ekziston asnjë plan i tillë.

Po në qoftë se Kryeministri do të tentojë t’i nxjerrë jashtë ministrat e LSI-së nga maxhoranca dhe të marrë votat për t’i zëvendësuar ata?
Absolutisht, do t’i urojmë suksese! Mjafton të vazhdojë përpjekjet për konsensusin për reformën në drejtësi.

A ka dështuar lidhja juaj me Edi Ramën?
Unë nuk e kam këtë mendim, ajo vazhdon të jetë në provë.

Çdo të thotë “vazhdon të jetë në provë” pas 3 vjetësh, z. Meta?
Vazhdon të jetë në provë do të thotë se vazhdon të jetë në punë.

A është qeverisja që kemi ne sot ajo që ju keni menduar në vitin 2013, kur u bashkuat me PS-në?
Po të ishte më pak arrogante, mendoj se do të kishte qenë më e suksesshme dhe, po të ishte edhe më pak konfliktuale, do të kishte qenë edhe më e  suksesshme.


Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Hamasi e mirëpret një armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut

Lufta/ Hamasi e mirëpret një armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut