Meta reflekto! 

Meta reflekto! 
Zoti Kryetar i Kuvendit e nis me juve pasi sigurisht më vjen keq për ato për cka do them më poshte sepse dhe nuk do ju pëlqejnë aq sa duhet.

Por si kryetar i grupit parlamentar i PS dhe në respekt të grupit parlamentar por dhe në respekt të opinionit publik duhet të flas sic thotë populli, troç.

Ne si grup i PS jemi dakortësuar plotësisht pa asnjë rezervë me filozofinë e lutjeve për Partinë Demokratike që ju keni adoptuar për një kohë shumë të gjatë përsa u përket proçeseve të fundit. Dakort, sot dogjëm raundin e tretë edhe pse i kemi votat për ta zgjidhur që në raundin e parë. Dhamë gjithë kohën e nevojshme dhe të domosdoshme që kundërshtarët tanë politike të na jepnin një kandidaturë të pranueshme dhe të diskutueshme dhe nga ne. Nuk erdhën.

Ju z Kryetar na kërkuar para një jave në hotel ‘Dajti’, kryetarit të PS dhe mua që isha prezent që ne t’ju jepnim dakortësinë tonë që t’ju drejtoheshim me në letër partive të PPE, të cilët në përvojën time 20 vjecare asnjëherë nuk kanë qenë dashamirëse me ne socialistët. E megjithatë ne, ramë plotësisht dakort me kërkesën tuaj dhe ju i çuat ftesën atyre, të cilët çuan një zotëri shumë të nderuar e të respektuar.

Meqë isha prezent në atë takim, ai zotëri u prezantua me status të trefishtë, u prezantua si zv/president i Partive Popullore Europiane, si kryetar i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian dhe si përfaqësues i zyrës së Kancelares gjermane. Pra me pak fjalë, në takimin që ishim bashkë, ai tha vij këtu i mandatuar nga këto 3 institucione. Ai erdhi përsëri me një zotëri tjetër që përsëri ishte gjerman nuk ishte nga familja e djathtë, por i majtë. U takuam bashkë kryetar dhe ne ramë dakort për platformën e paraqitur nga ai. Por sic duket ne socialistëve këta ndërkombëtarët na i kanë marrë dorën. Sa herë vijnë tek ne, dhe ne biem dakort me ta, ata kërkojnë të thellohen. Mendoni për një çast që ta kishin bërë këtë siç e kanë bërë me palën tjetër kundërshtare që jo vetëm nuk duan të thellohen por as të pranojnë kundërshti. Ne na kërkuan të thellohemi përsëri megjithëse ramë dakort për platformën e tyre, na kërkuan të thellohemi jashtë cdo logjike normale, ligjore, kushtetuese, demokratike e njerëzore.

Ne sigurisht që i duam dhe e respektojmë Gjermaninë dhe përfaqësuesit e saj, pasi ne shqiptarët gjermanët i kemi si fener ndriçues në Europë, për standardet, për respektin që ata kanë për ligjin e kushtetutën e për liritë e të drejtat e njeriut. Por ajo që na çuditi ishte se dhe gjermanët kur vikan në Shqipëri, çuditërisht bëhen si ne. Na kërkojnë gjëra që në vendin e tyre askush jo një politikan nuk i çojnë në mend pale më t’i imagjinojë ato. Na kërkuan t’i shtyjmë zgjedhjet, të prekim qeverinë e përse, për çfarë arsye? Vetëm për të pushuar të qarat e familjes që bërtet në kupë të qiellit në çadër se do dhe penallti, do dhe topin por veç këtyre të dyjave do dhe portën bosh.
Ju në tavolinë, z Kryetar i Kuvendit u treguat shumë i lumtur dhe pse këto dy kërkesa për mua ishin shumë absurde.

Kryeministri yt dhe kryetari im, nuk tha as po as jo, por dha të kuptohesh se jemi të gatshëm të diskutojmë por me një kusht që PD, të vijë dhe të votojë Vettingun.

Pa kaluar as 5 minuta morëm vesh se z Basha iku më parë se erdhi në pallatin e Brigadave. Z Meta unë pyes, çfarë po ndodh kështu?

Të imagjinojmë kështu për një moment sikur ne socialistët të sillemi sikur sillet PD sot me Kushtetutën, me Parlamentin, me ligjin, me rregullat me qeverinë dhe Saliu, z Kryetar yti dhe imi se të dy bashkë unë dhe ti e kemi më shumë bashkë se këta të tjerët, të na lutet amani ju more socialistë hajdeni ju dhe LSI se unë nuk bëj dot pa ju. Askush në Shqipëri nuk e imagjinon dot këtë.

Ju z Kryetar, keni 3 vite e gjysëm dhe po bëhet viti i 4 që drejtoni Kuvendin dhe Saliut i keni vënë në dispozicion këtë foltore ku ka folur 3 herë më shumë se kryeministri. Të gjithë grupit të opozitës i keni vënë në dispozicion kohën që ka folur 2 herë më shumë sesa grupi i maxhorancës edhe pse jemi 3 herë më shumë nga proporcionet parlamentare.
 
Mendoni për një çast që ne 4 vjet kërkonim vetëm një gjë, që grupi i opozitës të bënte vetëm replikë me kryeministrin dhe këtë as Saliu as Jozefina që ishte këtu jo vetëm nuk na lejoi por e futën këtë në paketën e 3 ligjeve të famshme gjasme për të siguruar ftesën e BE.

Tani, unë pyes, ka kufi kjo punë z kryetar, 1 milionë njerëz që na kanë votuar ne bashkarisht si maxhorancë për të qeverisur këtë vend po vazhdojnë të shohin sesi na merr peng një çadër, që e ka hallin e saj tek Vettingu e drejtësia.

Përgjigja ime për këtë pyetje është vetëm një; dialogu ka mbaruar.

Dhe ne duhet të kryejmë funksionet tona kushtetuese dhe ne duhet të zgjedhim Presidentin e vendit nga ky Parlament, i cili ka të drejtën morale, kushtetuese, ligjore që ia kanë dhënë jo pak por 1 milionë votues.

Sa për dijeni z Kryetar, ne socialistët i kemi bërë llogaritë tona që i kemi pasur dhe po të duam i kemi 71 vota dhe pa LSI-në për ta zgjedhur Presidentin. Por unë shpresoj që të mos na detyroni dhe as e marrim përsipër që të shkelim mbi moralin e kësaj force politike, sepse PS nuk dëshiron që të zgjedhë me forcën e numrave këtë çështje të rëndëishme për Shqipërinë për 5 vitet e ardhshme sepse ne kemi gjykuar se do zgjedhim të parin e vendit dhe jo të fondacionit ‘Qemal Stafa’.

Ndaj z Kryetar, ju takon juve si forcë politike që jeni vendosur edhe si ndërmjetës dhe si interlekutor midis dy palëve dhe keni kaq kohë, dhe pse mos ta them se thashë që në fillim që do flas troç, keni anuar nga pala tjetër dhe mirë keni bërë se keni arritur tek ai pikësynim që kemi pasur të gjithë.

Ndaj do ju kërkoja që të reflektonit, që mos ta mbyllim këtë Parlament me një dështim të tillë të paarsyetuar, të paligjëruar vetëm e vetëm për ata të çadrës.

Ndërkohë që si Kryetar i Kuvendit do ju kërkoja që të mblidhnit menjëherë Konferencën e Kryetarëve për të shqyrtuar kërkesën e PS, që qysh nesër të bëhen jo një por dy raundet e ngelura dhe ose të zgjedhim Presidentin bashkë, ose të shkojmë në zgjedhje për 45 ditë sipas Kushtetutës.

Ky ishte sugjerimi dhe propozimi ynë dhe ju sigurisht që sërish mund të kërkoni ndonjë tryezë tjetër parlamentare dhe ata sërish mund të mos e përfillin në mënyrën më të keqe po të ishin të interesuar vërtet për dialog, duke mos u interesuar për duke mos ardhur.

Ndaj duke e përfunduar, ju kërkoj ndjesë për kohën e marrë se dhe kolegët deputetë janë të lodhur, kërkoj sipas rregullores së parlamentit thirret Konferenca e Kryetarëve dhe nesër të kemi seancë, për ta zgjedhur Presidentin e Republikës, ose për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

*Fjala e plote e Gramoz Rucit sot ne Kuvend

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit